Qeverisja

2017-09-18 - 11:15

Struktura e qeverisjes është krijuar dhe zhvilluar duke u bazuar në statutin e ShKÇAK si akti më i lartë i shkruar i cili është aprovuar nga Asambleja e ShKÇAK.

Kuvendi i Anëtarëve të ShKÇAK

Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës i Shoqatës i përbërë nga të gjithë anëtarët që i plotësojnë kushtet për anëtarësim. Kuvendi i ShKÇAK përbëhet nga anëtarët aktivë, kontabilistë dhe auditorë.

Bordi i ShKÇAK

Bordi është organ i caktuar nga Kuvendi që në emër të saj (Kuvendit) ta mbikëqyrë qeverisjen e SHKÇAK. Bordi i ShKÇAK përbëhet nga 7 anëtarë prej të cilëve zgjidhet Kryetari, Nënkryetari dhe Thesaristi. 

Funksioni dhe përgjegjësitë e Komisioneve

Komisionet e ShKÇAK janë pjesë integrale e strukturës organizative të ShKÇAK. Komisionet themelohen për fushat përkatëse me qëllim të përkrahjes në implementimin e planit strategjik të ShKÇAK, përmes aktiviteteve të përcaktuara me planin e punës të secilit komision. Funksionimi i Komisioneve të ShKÇAK paraqet rol kyç në arritjen dhe zhvillimin e qëllimeve, objektivave dhe aktiviteteve të Shoqatës. Komisionet e ShKÇAK funksionojnë në bazë të Rregulloreve dhe në bazë të Statutit të ShKÇAK.

Komisioni për Sjellje dhe Disiplinë

Komisioni për Sjellje dhe Disiplinë është një prej komisioneve themelore të ShKÇAK-së, i cili e përcakton përgjegjësinë disiplinore të anëtarëve të Shoqatës në rast të shkeljes së dispozitave të ligjeve, Statutit të ShKÇAK-së si dhe parimeve themelore të Kodit të Etikës profesionale.

Komisioni për Nominime

Komisioni për Nominime është përgjegjës për zhvillimin e procesit të nominimeve për anëtarë të Komisioneve si dhe për anëtarë të Bordit të ShKÇAK-së. Gjatë realizimit të përgjegjësive të përcaktuara me Statut dhe me Rregullore, Komisioni për Nominime bashkëpunon ngushtë me Bordin e Shoqatës, përderisa për punën e vet i raporton Asamblesë.

Komisioni për Auditorë Ligjor

Komisioni për Auditorë Ligjor ka për qëllim sigurimin e respektimit dhe aplikimit të plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit (SNA) nga auditorët ligjor me qëllim të ofrimit të shërbimeve të auditimit ligjor të një cilësie të lartë profesionale.

Komisioni për Kontabilistë të Çertifikuar

Komisioni për Kontabilistë të Çertifikuar ka për qëllim të siguroj që Kontabilistët e Çertifikuar të ofrojnë shërbime të cilësisë së lartë profesionale në fushën e kontabilitetit dhe raportimit financiar duke implementuar Standardet Ndërkombëtare të Kontabiliteti (SNK) dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) sidomos tani kur me Ligjin në fuqi është përcaktuar nivel më i lartë i përgjegjësisë së Kontabilistëve të Certifikuar.

Komisioni për Edukim dhe Standarde Profesionale

Qëllimi dhe objektiva e Komisionit është që të siguroj se ShKÇAK është duke i adresuar dhe implementuar në mënyrë të drejtë të gjitha standardet ndërkombëtare të profesionit të lëshuara nga standard-vënësit vendor dhe global me rëndësi  për  interesin publik dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Komisioni për Menaxhimin e Cilësisë në Pajtueshmëri me Standardet

Qëllimi dhe objektiva e Komisionit është që të sigurojë mbrojtjen e interesit publik si dhe të sigurojë që të gjithë anëtarët e ShKÇAK-së të ofrojnë shërbime profesionale sipas standardeve më të larta etike dhe në përputhje me Deklaratat mbi Obligimet e anëtarësisë (DOA 1) të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK) si dhe të sigurojë se këto shërbime janë në pajtueshmëri me kërkesat e Kodit të Etikës profesionale.

Komisioni për Tatime

Komisioni për tatime këshillon lidhur me çështjet tatimore bazuar në hulumtimet e ShKÇAK-së dhe përvojën e anëtarëve të saj të punësuar në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe fushën financiare. Komisioni siguron se anëtarët e ShKÇAK-së kanë qasje të mjaftueshme në informata dhe nivel të lartë të edukimit për t’u ofruar punëdhënësve, klientëve dhe palëve tjera këshilla profesionale të nivelit të lartë lidhur me çështjet tatimore.

Zyra Ekzekutive

Drejtori Ekzekutiv është Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës i zgjedhur nga Bordi dhe i raporton Kryetarit dhe Bordit.

Departamentet në Zyrën Ekzekutive

Zyra Ekzekutive funksionon përmes departamenteve të saj dhe strukturës organizative brenda saj të përcaktuar nga Drejtori Ekzekutiv dhe e aprovuar nga Bordi.

Departamentet në kuadër të Zyrës Ekzekutive janë:

  • Departamenti i Edukimit dhe Standardeve Profesionale
  • Departamenti i Menaxhimit të Cilësisë në Pajtueshmëri me Standardet
  • Departamenti i Financave
  • Departamenti Ligjor dhe i Prokurimit
  • Departamenti i Administratës dhe Burimeve Njerëzore

Departamenti i Edukimit dhe Standardeve Profesionale

Menaxhohet nga Udhëheqësi i Departamentit, duke mbikëqyrur programin çertifikues të sektorit privat dhe atij publik si dhe programin çertifikues për auditim të brendshëm dhe duke punuar ngushtë me të gjitha departamentet dhe Drejtorin Ekzekutiv të SHKÇAK.

Njësia e programit çertifikues të sektorit privat

Kjo njësi në kuadër të Departamentit të Edukimit dhe Standardeve Profesionale ka për qëllim zhvillimin e tërë programit çertifikues për sektorin privat, duke përfshirë zhvillimin e planprogrameve të lëndëve, mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit të ligjëratave, bashkëpunimin me ligjëruesit e Shoqatës.

Njësia e  programit çertifikues e auditimit të brendshëm

Kjo njësi e Departamentit të Edukimit dhe Standardeve Profesionale merret me analizën e nevojave specifike të tregut, si të atij privat ashtu edhe të atij publik, në lidhje me fushën e auditimit të brendshëm, përgatitë detajet e programit certifikues dhe azhurnimin e tij në baza periodike, zhvillon dhe adapton materiale trajnuese për të gjitha nivelet e trajnimit. .

Njësia e programit çertifikues të sektorit publik

Njësia e sektorit publik është e fokusuar në thellimin e bashkëpunimit me institucionet publike për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm në arritjen e zhvillimit të politikave të sektorit publik, marrëveshjeve institucionale dhe zbatimin efektiv i cili do të stimulojë zhvillim dhe rritje ekonomike brenda kornizës së zbatimit të kërkesave për anëtarësim në BE. 

Departamenti i Menaxhimit të Cilësisë në Pajtueshmëri me Standardet

Qëllimi i këtij departamenti është që të sigurojë se auditorët e licencuar (ligjorë), auditorët e çertifikuar, kontabilistët e çertifikuar dhe auditorët e brendshëm të çertifikuar të ShKÇAK janë në pajtueshmëri me standardet profesionale të kërkuara nga ShKÇAK dhe legjislacioni vendor dhe standardet ndërkombëtare duke krijuar një sistem të menaxhimit të cilësisë në përputhje me DOA-1 dhe duke mbajtur lidhje me KKRF-në dhe BQK-në, në implementimin e Programit të Rishikimit të Kontrollit të Cilësisë për Kosovë në pajtueshmëri me Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Departamenti i Financave

Merret me raportimin financiar, mirëmbajtjen e sistemit informativ të raportimit financiar, harmonizimin e arkëtimeve dhe pagesave në sistemin e kontabilitetit, si dhe ka rolin monitorues, parashikues dhe këshillues të buxheteve.

Departamenti Ligjor dhe i Prokurimit

Departamenti Ligjor dhe i Prokurimit është pjesë kyçe e hartimit të dokumenteve ligjore, rregulloreve, dhe marrëveshjeve të ShKÇAK-së. Ky departament ka rol të madh në këshillimin ligjor të ZE, dhe komisioneve duke asistuar në të gjitha vendimet madhore të Shoqatës dhe azhurnimin e të gjitha procedurave. Përveç kësaj, komponenta e Prokurimit përmes komisioneve vlerësuese është përgjegjëse për mbledhjen, vlerësimin dhe aprovimin e ofertave të ndryshme për shërbime dhe mallra që ShKÇAK duhet t’i sigurojë, si dhe i përgatitë dhe mirëmbanë kontratat e ShKÇAK-së me punonjësit, ofruesit e shërbimeve, ligjëruesit, etj.

Departamenti i Administratës dhe Burimeve Njerëzore

Departamenti i Administratës ka rolin për të siguruar cilësinë në administrimin e të gjitha proceseve dhe aktiviteteve logjistike të ShKÇAK-së që janë rezultat i të gjitha departamenteve, komisioneve dhe kërkesave të anëtarëve të Shoqatës. Përveç tjerash, Departamenti i Administratës e siguron infrastrukturën dhe i menaxhon asetet e Shoqatës, përkujdeset për sistemet informative si dhe përcjellë politikat e burimeve njerëzore.

Shërbimi për Studentë

Shërbimi për Studentë si pjesë e Departamentit të Administratës është një nga njësitë më të ngarkuara të Shoqatës, meqë menaxhon rreth 6000 studentë të regjistruar në Shoqatë. Shërbimi për Studentë ka për qellim kujdesin për secilin anëtar të Shoqatës duke u përgjigjur në të gjitha kërkesat që mund të kenë si dhe përgatitjen dhe mirëmbajtjen e procedurave dhe dokumenteve relevante për ta. 

Shërbimi për Anëtarë

Shërbimi për Anëtarë shërben si një pikë kyçe për të gjitha kërkesat dhe informatat e anëtarëve të ShKÇAK-së. Shërbimi për Anëtarë i mban të azhurnuar anëtarët me të gjitha të rejat që kanë të bëjnë me profesionin e kontabilitetit dhe auditimit, dërgon informata për standardet e reja të kontabilitetit dhe auditimit, ndryshimet e standardeve, ligjet, konkurse për punësim dhe oferta për shërbime të kontabilitetit dhe auditimit si dhe lajme tjera të rëndësishme për profesionin.

Raportimi dhe Komunikimi

Zyra për Raportim dhe Komunikim shërben si një pikë qendrore e të gjitha shkëmbimeve të brendshme dhe të jashtme të informacionit. Komponenta e raportimit përfshinë shkëmbimin e brendshëm të informacionit midis të gjitha departamenteve të Zyrës Ekzekutive të ShKÇAK-së, Këshillit, dhe Komisioneve; ndërsa komponenta e komunikimit merret me shkëmbimin e informacionit të jashtëm të ShKÇAK-së, që përfshinë kryerjen e shërbimeve të informimit për anëtarë (përmes e-mailit), mirëmbajtjen dhe përditësimin e faqes zyrtare të internetit të ShKÇAK-së dhe të llogarive të rrjeteve sociale (faqeve zyrtare të ShKÇAK-së në Facebook, Twitter, LinkedIn dhe Instagram) dhe marrëdhëniet e ShKÇAK-së me publikun.