ShKÇAK pjesë e Forumit të Drejtorëve Global të Edukimit dhe Zhvillimit të Organizatave Profesionale

2024-02-27 - 08:22

Përfaqësuesit e ShKÇAK morën pjesë në Forumin e Drejtorëve Global të Edukimit dhe Zhvillimin e Organizatave Profesionale, të organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve dhe Auditorëve (FNK/IFAC). Ndryshimet e fundit globale si në ekonomi dhe në çdo sferë tjetër kanë bërë që edhe organizatat profesionale dhe profesioni në përgjithësi të ballafaqohen me ndryshime të mëdha.


Në mënyrë që profesioni të jetë i azhuruar në kohë IAESB dhe IASB kanë bërë prezentimin e standardeve të propozuara. Për të identifikuar shtyllat dhe shtigjet e reja inovative të hyrjes në profesion dhe për zbatimin e suksesshëm të këtyre ndryshimeve të nevojshme te të gjithë akterët kryesorë, këto propozime që dalin nga organizmat standard- vënëse janë diskutuar në mesin e pjesëmarrësve, para se ato të dalin në publik për diskutim/komentim si draft standarde (exposure drafts).


Gjatë ditëve të forumit është punuar në rishikimet e propozuara të Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit si: Procesi i rishikimit të SNE-ve; Përditësimi në SNE 6 -Vlerësimi i Kompetencave Profesionale; Rishikimet e SNE –ve për Qëndrueshmërinë, si dhe dhe sfidat me të cilat mund të përballen organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit gjatë zbatimit të tyre.


Duke rritur rëndësinë, reputacionin dhe vlerën e profesionit global të kontabilitetit dhe auditimit si një shtytës thelbësor i institucioneve të forta dhe të qëndrueshme, tregjeve financiare, ekonomive dhe shoqërisë, gjatë ditëve të punëtorisë gjithashtu u diskutuan edhe Roli i Kontabilistëve dhe Auditorëve në Luftimin e Korrupsionit dhe Intelegjenca Artificiale në profesion, si dhe çertifikimet dhe kualifikimet profesionale për të ardhmen.


Me azhurimin e standardeve ndërkombëtare është parë shumë e rëndësishme për t`u diskutuar çështjet si gjetja e modaliteteve për shmangien e mbingarkimit të kurikulumeve, në mënyrë që profesioni të mbetet relevant dhe atraktiv për gjeneratat e reja.