Përcaktimi i Kostos së Produktit

2024-02-22 - 09:47

Për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të prodhuesve, ShKÇAK ka zhvilluar një program të specializuar për trajnimin profesional “Përcaktimi i kostos së produktit”, një program i krijuar posaçërisht për trajnimin e profesionistëve, në fushën e përcaktimit të kostos së produktit. 

Programi ka potencialin për të ndryshuar mënyrën se si operojnë kompanitë prodhuese dhe për të rritur efikasitetin e tyre në aspektin e menaxhimit të kostos.

Në trajnimin për përcaktimin e kostos së produktit, pjesëmarrësit fitojnë një sërë aftësish të rëndësishme që i ndihmojnë ata të bëhen më efikas dhe të suksesshëm në fushën e tyre. Disa nga aftësitë kryesore të fituara përfshijnë:

  • Njohuri të thella mbi strukturën e kostos: Pjesëmarrësit mësojnë të kuptojnë dhe të analizojnë elementët e ndryshëm që përbëjnë kostot e prodhimit, duke përfshirë kategorizimet e ndryshme të kostove të nevojshme për përcaktimin e kostos së produktit për njësi, si p.sh. kostot direkte dhe indirekte, kostot fikse dhe variabile etj.
  • Aftësi në llogaritjen e kostos së njësisë: Trajnimi ndihmon pjesëmarrësit të zhvillojnë aftësi në llogaritjen e kostos së produktit për njësi, një element kyç në vendimmarrjen për çmimet për krijimin e përparësive konkurruese në treg.
  • Analizën e ndikimit të vëllimit të prodhimtarisë në kosto: Pjesëmarrësit mësojnë të kuptojnë se si ndryshimet në vëllimin e prodhimit ndikojnë në kostot totale dhe kostot për njësi, identifikimin e kostove të cilat nuk i shtojnë vlerë produktit, zhvillimin e planit optimal për maksimizimin e  fitimit duke u lejuar atyre të bëjnë renditjen e produkteve sipas përfitueshmërisë dhe të përmirësojnë efikasitetin.
  • Zbatimi i metodave të ndryshme të kalkulimit të kostos: Trajnimi përfshin mësimin e metodave të ndryshme për llogaritjen e kostos, si metoda e kostos përvetësuese, metoda e kostos variabile apo sipas sistemeve të organizimit të proceseve të prodhimtarisë si puna e bazuar në porosi apo puna e bazuar në procese, duke i aftësuar pjesëmarrësit të përdorin metodën më të përshtatshme për sistemet e ndryshme të prodhimtarisë.
  • Vendimmarrje bazuar në analizën e kostos: Trajnimi ndihmon pjesëmarrësit të zhvillojnë aftësi në vendimmarrjen strategjike, duke iu lejuar atyre të përdorin informacionin e kostos për të bërë vendime mbi çmimet të bazuara në informata të duhura, buxhetimin, investimet kapitale dhe strategjitë e tjera biznesore.

Përmbledhje e syllabusit për Përcaktimin e Kostos së Produktit

  • Koncepti i kostos
  • Klasifikimi i kostos
  • Shpërndarja e kostos
  • Caktimi i kostos sipas sistemit përvetësues
  • Caktimi i kostos sipas sistemit variabil
  • Caktimi i kostos standarde
  • Llogaritja e kostove sipas urdhëresës së punës
  • Llogaritja e kostos të proceseve të prodhimit (punës në proces)
  • Produktet e përbashkëta, produktet anësore dhe kostot e përbashkëta
  • Caktimi i kostos në industrinë e shërbimeve


*Pas përfundimit të programit kandidatët pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje  dhe nuk i nënshtrohen provimit.