TOP 6 AFTËSITË PËR KONTABILISTËT

2019-03-19 - 09:36

Identifikimi i aftësive të cilat do t’iu çojnë drejt suksesit në profesionin e kontabilitetit, jo vetëm që rritë efektivitetin në punë por gjithashtu e bën më të lehtë ndërtimin e qëllimeve afatgjate të karrierës.

Këto janë 6 aftësitë që do t’iu ndihmojnë të dalloheni si një kontabilist i shkëlqyer. Kemi përfshirë disa këshilla që të ju ndihmojmë në fillimin e zhvillimit të këtyre aftësive!

ORGANIZIMI

Kontabilistët janë persona të rëndësishëm. Ata menaxhojnë punë me shumë përgjegjësi, që do të thotë se zakonisht janë shumë të zënë me punë.

Për të qenë një kontabilist i mirë, ju duhet të keni një sistem për të menaxhuar këto përgjegjësi – si p.sh. portofolet që menaxhoni, transaksionet që i trajtoni, çfarëdo date të rëndësishme dhe afatet që duhet t’i përmbushni - për të siguruar që ju i përmbushni të gjitha detyrat tuaja sa më mirë që mundeni.

Ju mund të përdorni mjete si kalendarë, dosje sipas rendit alfabetik, planifikues ditor, dhe programe e aplikacione që janë dizajnuar për t'iu ndihmuar të qëndroni të organizuar në afat të shkurtër dhe të gjatë.

Të qenit të organizuar mirë është një mënyrë adekuate për t’ia demonstruar kolegëve apo  menaxherit tuaj që jeni i besueshëm, kompetent dhe i aftë të kryeni punën. Filloni të rritni aftësitë tuaja organizative dhe kur filloni të aplikoni për punë, do të jeni në gjendje të diskutoni aftësitë tuaja organizative me vetëbesim.

MENAXHIMI I KOHËS

Aftësitë e mira të menaxhimit të kohës shkojnë paralelisht me aftësitë organizative. Një sistem për menaxhimin e ngarkesës së punës tuaj është efektiv vetëm nëse ju dini edhe si të organizoni kohën tuaj. Si kontabilist, ju do të duhet të menaxhoni punët sipas prioritetit duke kryer çdo gjë në kohë.

Aftësia të punoni brenda afateve dhe vazhdimisht të bëni ri-organizimin e punëve tuaja sipas prioriteteve do t’ju çoj larg në karrierë. Jo vetëm që do t’i bëni përshtypje udhëheqësit tuaj, kolegëve dhe klientëve, por gjithashtu do t’ju ndihmojë të mbani një ekuilibër të shëndetshëm mes jetës personale dhe punës.  

PËRSHTATSHMËRIA

Industria e kontabilitetit është shumë dinamike, kështu që kontabilistët të cilët janë në gjendje që të përshtaten shpejt dhe lehtë janë në një avantazh.

Përveç kësaj për të qenë në gjendje të ofrojnë shërbime më të mira për klientët e tyre, individët që përshtaten lehtë kanë më shumë gjasa për të mësuar dhe të zhvillohen gjatë karrierës së tyre, sepse ata shohin çdo sfidë të re si një mundësi për të mësuar dhe për të provuar aftësitë e tyre.

Adaptohu me ndryshimin, mësohu të marrësh më të mirën nga çdo pengesë që paraqitet në punën tuaj. Pra, është shumë e rëndësishme të jeni proaktiv. Edhe pse kjo kërkon më shumë përpjekje për t'u informuar në lidhje me ndryshimet gjatë kohës që ato ndodhin, proaktiviteti shpaguhet duke ju mbajtur në hap me kohën me ndryshimet në industri dhe duke fituar respektin tek kolegët tuaj.

KOMUNIKIMI

Pa marrë parasysh se ku punoni, çfarë përfshin puna juaj, ose me kë punoni, aftësitë e mira të komunikimit janë tepër të vlefshme. Të jesh në gjendje të komunikosh mirë në të shkruar dhe në të folur do të ju ndihmojë të gjeni punë, të punoni në ekip me kolegët tuaj, të bashkëpunoni me klientët tuaj dhe me kalimin e kohës të avancoheni profesionalisht.

Aftësitë ndërpersonale të zhvilluara mirë do të jenë të dobishme për krijimin e bashkëpunimeve me njerëz tjerë të industrisë ku punoni. Nëse do të merrni pjesë në ndonjë event korporativ ose thjesht jeni duke mirëpritur një koleg të ri në zyrë, aftësia për të treguar veten kur takoni njerëz të rinj në mënyrë që të krijoni marrëdhënie fitimprurëse, do t’iu shërbej. Kurrë mos e nënvlerësoni rëndësinë e përshtypjes së parë.

ETIKA

Sinqeriteti dhe integriteti vlerësohen lartë në botën e kontabilitetit. Kontabilistët dhe firmat për të cilat ata punojnë, janë krenarë për respektimin e standardeve të etikës. Kjo është arsyeja pse publiku, bizneset tjera dhe qeveria kanë besim te kontabilistët, që gjithmonë do të punojnë në interes të tyre.

Transparenca në vendim-marrje dhe në këshillim është e dobishme sepse mund të përmirësoni marrëdhëniet tuaja të punës. Kjo do të bëjë punën në grup më të lehtë dhe do të ju ndihmojë të mbani një mjedis që është i respektueshëm dhe bashkëpunues.

Shumë kontabilistë punojnë në ekipe të mëdha kështu që rëndësia e të pasurit besimin e të tjerëve është një faktorë shumë i rëndësishëm. Prandaj, bëni shprehi që gjithmonë të mendoni për pasojat e veprimeve tuaja para se të merrni një vendim të madh.

LIDERSHIPI

Të jesh një udhëheqës i mirë do të thotë të dish se si të jesh mentor dhe mësues i mirë dhe ta bësh veten të afrueshëm dhe në dispozicion për njerëzit për të cilët jeni përgjegjës. Ju duhet të balanconi rolet e të qenit një model për ta dhe personi përgjegjës, duke vazhduar të mbeteni pjesë e ekipit të punës. Po ashtu duhet të keni besim, durim, dhe aftësi për të deleguar - tipare të cilat nuk pranohen lehtë nga shumica e njerëzve.

Në kontabilitet, aftësitë e lidershipit përfshijnë edhe të menduarit strategjik dhe planifikimin afatgjatë. Shumë kontabilistë ofrojnë shërbime të konsulencës, që do të thotë se ata ofrojnë këshilla dhe zgjidhje për të ndihmuar bizneset që të përmirësojnë veprimtarinë e tyre, kështu që aftësia e të qenit largpamës është kyçe.

Profesionistët më të shquar në kontabilitet janë të njohur në përgjithësi si vizionar - për marrjen e vendimeve logjike që përfshin edhe një dozë kreativiteti. Për të qenë një kontabilist i suksesshëm, ju duhet të jeni në gjendje t’u tregoni klientëve tuaj se ju jeni duke punuar për të përmirësuar të tashmen dhe të ardhmen e tyre.