Rëndësia e Çertifikimit në Auditim të Brendshëm

2019-08-08 - 12:21

Auditimi i Brendshëm është një profesion dinamik dhe mjaft interesant pasi që të jep mundësi të panumërta për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të dhënë kontribut të dukshëm në të gjitha nivelet organizative. Auditimi i Brendshëm është një aktivitet i pavarur që jep siguri objektive dhe ofron këshillim për menaxhmentin për të shtuar vlerën e organizatës, arritur objektivat dhe për të përmirësuar operacionet si në sektorin publik po ashtu edhe në atë privat.


Auditorët e Brendshëm ndihmojnë organizatat e sektorit publik dhe privat të arrijnë objektivat, nëpërmjet një qasjeje të disiplinuar dhe sistematike, për të vlerësuar dhe përmirësuar produktivitetin e menaxhimit të rrezikut si dhe proceset e kontrollit dhe qeverisjes.


Në Kosovë, profesioni i auditimit të brendshëm është në fazat e para të zhvillimit dhe tashmë ky profesion është edhe i rregulluar me Ligjin nr. 06/L-021 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike. Profesionistët që ofrojnë shërbime të auditimit të brendshëm, sipas nenit 22 të këtij Ligji, duhet të posedojnë “çertifikatë të auditorit të brendshëm në sektorin publik, e lëshuar nga Ministria e Financave ose çertifikatë për auditor të brendshëm në sektorin publik nga ndonjë institucion relevant ndërkombëtar apo vendor në pajtueshmëri me kriteret e nxjerra nga Ministri i Financave”.


ShKÇAK – Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës ofron program çertifikues për Auditor të Brendshëm në sektorin privat dhe publik, të akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Edukimit dhe Trajnimit (SNE) si dhe standardet profesionale të kësaj fushe.


Për të fituar njohuri ekuivalente me njohuritë ndërkombëtare të këtij profesioni, çertifikohuni si Auditorë të Brendshëm në ShKÇAK, meqenëse ky program çertifikues ofrohet me materiale, planprogram dhe provime të Institutit Ndërkombëtar të Auditorëve të Brendshëm (IIA, me bazë në Amerikë) dhe me tekste nga Wiley, botues i aprovuar i IIA.


Për më shumë informata rreth programit Auditor i Brendshëm i Çertifikuar, kliko KËTU