Kontabilistët duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të udhëhequr në mënyrë efektive Menaxhimin e Rrezikut të Ndërmarrjeve

2019-01-18 - 09:51

Sipas një raporti të publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK), kontabilistët profesionistë kanë një mundësi të madhe për të ndihmuar në menaxhim të rrezikut të ndërmarrjeve (MRN) më efektiv brenda organizatave të tyre.

Bizneset përballen me ndryshime të shpejta dhe rritje të pasigurisë të nxitur nga një numër faktorësh, duke përfshirë ngjarjet gjeopolitike, tregjet financiare të paqëndrueshme, zhvillimet teknologjike, sigurinë kibernetike, shqetësimet e privatësisë së të dhënave dhe ndryshimet klimatike. Sipas raportit, kontabilistët profesionistë mund të luajnë një rol të rëndësishëm brenda organizatave të tyre për të identifikuar, matur dhe lehtësuar rreziqet që mund të shfaqen, përmes praktikave të fuqishme të MRN.

Raporti nënvizon realitetin se menaxhimi i rrezikut mbetet i pazhvilluar në shumë organizata. Një studim i organizatave kryesisht me bazë në SHBA, i kryer nga Universiteti i Karolinës së Veriut dhe Instituti Amerikan i Kontabilistëve të Çertifikuar të Sektorit Publik (AICPA), gjeti se më pak se 20% e organizatave e shohin procesin e tyre të rrezikut si të integruar me strategjinë dhe objektivat, dhe 69% e organizatave nuk kanë një proces gjithëpërfshirës të MRN. Për të nxitur MRN më efektive, menaxhmenti duhet patjetër të shfrytëzojë informatat nga Udhëheqësi Financiar dhe Departamenti i Financave për t’u siguruar që praktikat e menaxhimit të rrezikut ofrojnë një kuptim gjithëpërfshirës të mundësive dhe rrezikut të lidhura me objektivat dhe krijimin e vlerës.

"Kjo është një kohë veçanërisht e pasigurt për bizneset, pasi ekonomia globale është duke u përballur me  luhatshmëri dhe ndryshime të shpejta. Në këtë mjedis, menaxhimi i duhur i rrezikut do të jetë gjithnjë e më i rëndësishëm për organizatat që të sigurojnë elasticitetin dhe suksesin e tyre afat-gjatë ", tha Kevin Dancey, drejtori i FNK-së. "Kontabilistët profesionistë janë të pozicionuar mirë për t'iu shërbyer më mirë organizatave për të cilat ata punojnë duke mundësuar një menaxhim efektiv të rrezikut të ndërmarrjeve që identifikon të dyja si rreziqet po ashtu dhe mundësitë e biznesit".

Udhëheqësit financiar dhe kontabilistët me përgjegjësi të qarta të menaxhimit të rrezikut janë në një pozitë më të mirë për të kontribuar më shumë në mënyrë individuale dhe funksionale në menaxhimin e rrezikut. Raporti identifikon tre mënyra në të cilat udhëheqësit financiar dhe departamenti i financave mund të rrisin kontributin e tyre në MRN:

  • Menaxhimi i rrezikut i bashkuar me krijimin dhe ruajtjen e vlerës;
  • Përvetësimi i njohurive dhe mundësimi i  marrjes së vendimeve përmes dispozitës së modelimit të rrezikut dhe analizave, qeverisjes së të dhënave dhe identifikimit organizativ të rrezikut; dhe
  • Mundësimi i integrimit dhe ndërlidhjes duke i thyer barrierat në të gjithë organizatën për të shkëmbyer informacion.

Mundësimi i MRN-së efektive do të kërkojë që kontabilistët të përdorin kompetenca të ndryshme, duke përfshirë udhëheqjen e fuqishme dhe aftësitë ndërpersonale, dhe të angazhohen në të mësuarit gjatë gjithë jetës për menaxhimin e rrezikut dhe çështjet e rrezikut në rritje. Në dekadat e ardhshme, do të jetë kritik integrimi i menaxhimit të rrezikut në edukimin profesional dhe trajnimin e kontabilistëve, si dhe përmirësimi i rëndësisë dhe cilësisë i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).  

Për FNK-në

FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e zotuar në shërbim të interesit publik, duke e forcuar profesionin dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive ndërkombëtare. FNK përbëhet nga 175 anëtare me të drejta të plota dhe anëtarë të asocuar, që i përfaqësojnë rreth 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në shërbime publike, edukim, shërbime qeveritare, industri dhe tregti.