Drejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK është zgjedhur anëtare e Panelit Këshillues mbi Pajtueshmërinë në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve

2018-11-12 - 01:34

Në mbledhjen e Këshillit të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK) të mbajtur me 1 nëntor, 2018 në Sidnej të Australisë, znj. Ardiana Bunjaku, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), është zgjedhur anëtare e Panelit Këshillues mbi Pajtueshmërinë të FNK-së.

Ky panel mbikëqyrë dhe ofron këshilla për stafin e FNK-së mbi implementimin dhe operimin e programit të pajtueshmërisë së anëtarëve dhe jep rekomandime tek Bordi i FNK-së mbi rishikimin e Deklaratave të Obligimeve të Anëtarësisë (DOA) dhe mbi pranimin e anëtarëve të rinjë. Qëllimi i përbashkët i këtij paneli dhe i programit të pajtueshmërisë është mbrojtja e interesit publik përmes promovimit të adoptimit të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, auditimit, etikës, dhe edukimit në sektorin publik dhe privat, dhe themelimi i sistemeve të sigurimit të cilësisë dhe mekanizmave të zbatimit të tyre përmes DOA-ve.

Znj. Bunjaku ka shërbyer paraprakisht për dy mandate si anëtare e Komisionit për Zhvillimin e Organizatave Profesionale te Kontabilitetit dhe Auditimit (OPK) në kuadër të FNK-së, dhe vazhdon të shërbejë si Këshilltare Teknike në këtë Komision i cili ka për detyrë t’i ndihmojë FNK-së të zhvillojë OPK-të në mënyrë që ato të bëhen të fuqishme dhe të vetëqëndrueshme.

Anëtarësia e plotë e ShKÇAK-së në FNK që nga viti 2009 dhe zgjedhja e znj. Bunjaku si anëtare në strukturat e FNK-së tregojnë se Kosova tashmë jo vetëm që ka zënë vendin e saj në hartën botërore të profesionit të kontabilitetit dhe auditimit, po edhe po luan një rol aktiv në zhvillimet globale të këtij profesioni.