Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë 2018

2018-07-06 - 11:19

Me datë 28 qershor, 2018, në qytetin e Vlorës në Shqipëri u mbajt Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë së Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).

Në hapje të kësaj mbledhjeje, Kryetari i Këshillit të ShKÇAK z. Nazmi Pllana, theksoi se “Zhvillimi i profesionit kërkon punë të vazhdueshme. Në vitin 2018 na presin sfida të reja në nivel vendor dhe atë global. Ne jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi nevojave të mjedisit profesional dhe nevojave të zhvillimit të vendit me programe specializuese. Viti 2018 besoj që mund të themi se ka filluar mbarë për sa i takon profesionit të kontabilitetit dhe auditimit. Është miratuar Ligji i ri për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, i cili ka fuqizuar rolin e auditorit duke ia shtuar edhe një shërbim të ri: shërbimin e pajtueshmërisë që do të jetë një funksion shtesë për ta, por edhe paraqet diversifikim edhe më të gjërë të shërbimeve të auditimit. Ky ligj poashtu fuqizon për herë të parë edhe rolin e kontabilistit të çertifikuar, duke i dhënë përgjegjësinë e nënshkrimit të pasqyrave financiare, dhe rrjedhimisht duke ia shtuar vlerën si profesion dhe si thirrje. Jam krenar që kam qenë njëri nga promotorët më të zëshëm të kësaj pjese të Ligjit në lidhje me kontabilistët e çertifikuar. Me fuqizimin e rolit të kontabilistit të çertifikuar, do të shtohen përgjegjësitë e profesionit në lidhje me cilësinë e përgatitjes së pasqyrave financiare, e cila deri më tani ka qenë përgjegjësi e vetme për auditorët.”

Mbledhja vazhdoi me prezantimin e Znj. Ardiana Bunjaku, Drejtoreshë Ekzekutive e ShKÇAK, mbi raportin e aktiviteteve të Shoqatës gjatë vitit 2017 si dhe u prezantua raporti i pasqyrave financiare të audituara për vitin 2017. Më tutje, Kryetari i Këshillit të Shoqatës z. Nazmi Pllana prezantoi planin e punës të Shoqatës për vitin 2019 dhe projekt buxhetin për realizimin e tij.

Si organi më i lartë qeverisës i Shoqatës, Asambleja e përbërë nga anëtarët aktiv të ShKÇAK-së votoi dhe aprovoi me shumicë votash raportin e aktiviteteve dhe raportin e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2017, dhe planin e punës dhe buxhetin për vitin 2019.

Këtë vit u mbajtën edhe zgjedhje për anëtaret e Këshillit të Shoqatës dhe Komisionit për Nominime për periudhën 2018-2020, ku pas votimit nga Asambleja u zgjodhën kandidatët si në vijim:

Këshilli i ShKÇAK 2018-2020:

Afërdita Çarkaxhiu – Kryetare e Këshillit, Auditore Ligjore
Arbresha Tuhina – Anëtare, Kontabiliste e Çertifikuar
Arlind Sadrija – Anëtar, Kontabiliste e Çertifikuar
Fahri Breznica – Anëtar, Auditor i Çertifikuar
Shpresa Mustafa – Anëtare, Auditore e Çertifikuar
Xhevdet Beqiri – Anëtar, Auditor Ligjorë
Yll Fondaj – Anëtar, Kontabilist i Çertifikuar

Komisioni për Nominime:

Adrian Alo
Bashkim Uka
Mentor Hyseni
Tomorr Zhaveli

Asambleja gjithashtu zgjodhi auditorin e pasqyrave financiare të Shoqatës për vitet 2018, 2019, dhe 2020, si dhe vendosi për tarifat e anëtarësisë për Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Në përfundim të mbledhjes, z. Nazmi Pllana dorëzoi detyrën e Kryeatrit të Këshillit të Shoqatës tek Znj. Afërdita Çarkaxhiu. Me këtë rast, Znj. Çarkaxhiu tha se “Është priviliegj i madh të pranoj sot detyrën e Kryetares së Keshillit të Shoqatës, por edhe një përgjegjësi e madhe të jem në krye të Këshillit të një Shoqate që ka arritur kaq shumë. Edhe pse ShKÇAK tashmë është kthyer në një organizatë të vetëqëndrushme dhe me një reputacion të pakontestueshëm falë punës së palodhshme të të gjithë neve, padyshim që mbetet ende shumë për të bërë, sidomos në një mjedis si Kosova ku faktorët politik dhe ekonomik janë vazhdimisht të ndryshueshëm.

Unë dhe anëtarët e Këshillit të ri do të jemi të përkushtuar të ndihmojmë Shoqatën në zhvillimin e Strategjisë 2020-2024 dhe implementimin e saj për të mbrojtur interesat e anëtarëve dhe për të vazhduar zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë, në vazhdimin e përmbushjes së kërkesave të antarësisë së Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve, dhe në vazhdimin e ofrimit të shërbimeve të cilësisë së lartë për të gjithë studentët dhe anëtarët e saj.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj në Mbledhjen e Përgjithsme të Asamblesë 2018.”