ShKÇAK dhe IAAB nënshkruajn Memorandum Mirëkuptimi

2023-04-13 - 01:36

Sot, me datë 13.04.2023, Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) dhe Instituti AAB kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit përmes të cilit shprehin vullnetin e tyre për të vendosur bashkëpunim institucional në drejtim të avancimit të profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë.


Në kuadër të memorandumit, dy organizatat do të bashkëpunojnë në një gamë iniciativash si: zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta në fushën e edukimit, harmonizimi i literaturës, organizimi i konferencave, seminareve, sesioneve të përbashkëta të edukimit të vazhdueshëm profesional, menaxhimi i cilësisë në pajtueshmëri me standardet si dhe promovimi i standardeve më të larta etike dhe profesionale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit.


SHKÇAK duke qenë anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe Auditorëve (FNK/IFAC) përmes Memorandumit të Mirëkuptimit do të sigurojë gjithashtu një mekanizëm për monitorimin e progresit të IAAB në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të profesionit (Deklaratat mbi Obligimet e Anëtarësisë - DOA) përmes ofrimit të ekspertizës teknike dhe praktikave më të mira.


Ky bashkëpunim mes shoqatave profesionale është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë dhe besueshmërisë në profesionin e kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë.