Personeli i duhur

2020-03-11 - 09:52

Auditimet me cilësi të lartë varen nga personeli i cili vepron në interesin publik, me eksperiencën, integritetin, pavarësinë, gjykimin profesional dhe aftësitë në përpjesëtim me një auditim të kualitetit të lartë. Nuk ka asnjë faktor më të rëndësishëm. Prandaj është me rëndësi jetike që auditimet të bëhen në një mjedis që tërheq, zhvillon dhe mban personelin e  talentuar  duke iu përmbajtur standardeve më të larta etike.

  • Kompleksiteti në rritje i bizneseve dhe mbështetja në teknologji po nxisin nevojën e firmave që kryejnë auditime për të punësuar profesionistë më të specializuar. IFAC beson se modeli i biznesit me shumë veprimtari, i cili lejon që specialistët me aftësi të ndryshme (p.sh., konsulencë mbi rrezikun, teknologjinë e informacionit, tatimet, etj.) të veprojnë brenda një firme — tërheq më së miri, zhvillon dhe mban këta profesionistë. Iniciativat për të kufizuar firmat me shumë veprimtari (p.sh., firmat që merren “vetëm me auditim") do të zvogëlonin aftësinë për të punësuar dhe mbajtur këtë personel të talentuar, duke rezultuar si ndikim negativ në cilësinë e auditimit.
  • Përderisa auditimi zhvillohet, po kështu duhet të zhvillohen edhe kërkesat edukative dhe arsimore të kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë. IFAC inkurajon Organizatat Profesionale të Kontabilitetit dhe Auditimit  të vazhdojnë të koordinojnë dhe lehtësojnë një dialog në mes të edukatorëve dhe punëdhënësve (si firmat ashtu edhe biznesi) në mënyrë që aftësitë dhe kompetencat  e mësuara nga kontabilistët/auditorët profesionistë të përputhen më së miri me aftësitë e kërkuara për auditimin dhe shërbimet e sigurisë të së ardhmes. Ne gjithashtu inkurajojmë Organizatat Profesionale të Kontabilitetit dhe Auditimit të sigurojnë që kontabilistët dhe auditorët profesionistë të kenë qasje në programet përkatëse, të kualitetit të lartë të edukimit dhe çertifikimit, veçanërisht duke përfshirë ato në ofrimin e shërbimeve të auditimit dhe të sigurisë për kompanitë më komplekse globale. Është shumë e rëndësishme që edukimi të marrë parasysh nevojën në rritje të kompetencës teknologjike, forenzikën financiare dhe ndërgjegjësimin për mashtrimet.
  • Profesioni i auditimit bazohet në parime themelore etike — mbështetur nga Kodi Ndërkombëtar i Etikës për Kontabilistë dhe Auditorë Profesionistë, përfshirë Standardet Ndërkombëtare të Pavarësisë (Kodi IESBA) i cili duhet të jetë thelbësor për "ADN-në" e çdo firme të auditimit.
  • IFAC beson se auditimet me cilësi të lartë kërkojnë auditorë me përvojë dhe profesionistë të trajnuar që mund të aplikojnë gjykim dhe skepticizëm profesional. Auditorët duhet t'iu qasen angazhimeve me një mendje kureshtare, duke qenë vigjilent ndaj kushteve të cilat mund të paraqesin anomalitë mundshmepër shkak të gabimeve ose mashtrimeve.
  • Diversiteti brenda këtij profesioni i shërben interesit publik dhe drejton diversitetin e perspektivës dhe eksperiencës, të cilat promovojnë cilësi të lartë të auditimit. IFAC inkurajon firmat të reflektojnë diversitetin në praktikat e tyre të punësimit dhe Organizatat Profesionale të Kontabilitetit dhe Auditimit për të promovuar politikat e diversitetit në profesion. Më e rëndësishmja, firmat e auditimit dhe akterët relevant të auditimit gjithashtu përfitojnë nga sjellja e një diversiteti të prejardhjeve profesionale për t'u përfshirë në angazhimet e auditimit dhe të sigurisë.