Takim diskutimi me Auditorët Ligjorë për kërkesat kryesore të ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim

2020-01-28 - 05:04

Prishtinë, 28 Janar, 2020 - Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës organizoi takim me Auditorët Ligjorë.  Qëllimi i këtij takimi ishte që bashkërisht me anëtarët Auditorë Ligjorë të diskutohen kërkesat kryesore të ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Z. Arbër Hoti, anëtar në KKRF dhe ekspert i raportimit financiar, prezantoi para të pranishmëve lidhur me Udhëzimin Administrativ për Strukturën, Përmbajtjen dhe Dorëzimin e Raportimeve Vjetore si dhe Udhëzimin Administrativ për pavarësinë e Auditorëve Ligjor dhe Firmave të Auditimit. Ndër të tjera u diskutuan raporti i auditorit, klasifikimi i ndërmarrjeve në Kosovë, raporti i menaxhmentit, deklarata e pajtueshmërisë si dhe raporti i transparencës.

Takimi në theks të veçantë pati fokusin në - obligimin për nënshkrimin e pasqyrave financiare vjetore ku ndër të tjera Z. Hoti theksoi se Pasqyrat Financiare për ndërmarrjet e mëdha dhe subjektet tjera me interes publik, ndërmarrjet e mesme dhe ndërmarrjet e vogla, duhet të nënshkruhen nga drejtori ekzekutiv dhe nga zyrtari kryesor financiar dhe nëse drejtori financiar apo zyrtari kryesor financiar nuk është i çertifikuar si kontabilist, atëherë pasqyrat i nënshkruan edhe Kontabilisti i Çertifikuar i cili është anëtar me status të rregullt në një shoqatë profesionale të kontabilitetit dhe auditimit, dhe emri i tij figuron në listën publike të kontabilistëve të çertifikuar të publikuar nga shoqatat e licencuara nga KKRF (neni 1.3 & 8 i UA-MF 07/2019). Ky obligim vlen për pasqyrat financiare të vitit 2019 e tutje.

Takimi përfundoi me pyetje dhe përgjigje nga ana e pjesëmarrësve.