Fitore Neziri është Kryetare e Bordit të ShKÇAK në mandatin 2026-2029.
Znj.Neziri dëshmohet si profesioniste në bankingun qendror, me mbi 20 vitesh përvojë në procese të rëndësishme në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) dhe njëkohësisht përvojë edhe në fushën akademike dhe atë të shoqërisë civile.
Ka mbajtur pozita menaxhuese në Mbikëqyrjen e Bankave, IMF‑ve dhe IFJB‑ve në BQK, ndërsa aktualisht është Udhëheqëse e Divizionit të Rishqyrtimit të Kërkesave të Institucioneve Financiare. Në këto role, ka udhëhequr një varg procesesh mbikëqyrëse që kanë avancuar funksionimin dhe efikasitetin e BQK‑së. Ajo është angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e Ligjit për Bankat, IMF‑të dhe IFJB‑të, Manualit të Mbikëqyrjes Bazuar në Rrezik, si dhe në Grupin punues për aplikacionin e anëtarësimit në SEPA. Gjithashtu, ka luajtur rol thelbësor në zhvillimin e rregulloreve kyçe për banka, IMF dhe IFJB, duke kontribuar në ngritjen kornizes rregullative të harmonizuar me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Është vlerësuar për kontributin dhe menaxhimin profesional në një proces arbitrazhi ndërkombëtar.
Nga viti 2019 deri në 2021 ka qenë Anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit Publik të Shkencave të Aplikuara, dhe gjatë kësaj kohe ka shërbyer si Anëtare e Komisionit për Sjellje dhe Disiplinë në ShKÇAK. Në vitin 2022 u zgjodh Anëtare e Bordit të Drejtorëve të Institutit për Ekonomi të Tregut të Lirë. Gjatë viteve 2018–2020 ka vepruar si eksperte e jashtme në projekte të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, krahas angazhimit në projekte të shoqërisë civile. Ka ligjëruar për një periudhë të shkurtër në Institutin AAB dhe Kolegjin Aga Xhite (Universum).
Znj. Neziri ka përfunduar studimet e magjistraturës në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet. Ajo është anëtare e ShKÇAK, me thirrjen Kontabiliste e Çertifikuar dhe Auditore e Brendshme e Çertifikuar. Së fundmi është licencuar edhe si eksperte financiare.