Ardiana Bunjaku -Drejtoreshë Ekzekutive

Ardiana Bunjaku e ka udhëhequr ShKÇAK-në që nga themelimi i saj. Ajo e ka zbatuar një koncept të ri të profesionit të kontabilitetit, auditimit dhe të edukimit, në sektorin privat dhe publik, duke e bërë kështu ShKÇAK-në qendër të përsosmërisë profesionale për kontabilistët, auditorët, auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit, specialistët e insolvencës, auditorët e brendshëm dhe ekspertët e forenzikës financiare. Ajo e ka vënë Kosovën në hartën e zhvillimeve globale të profesionit, duke e bërë ShKÇAK-në anëtare në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK), Federatën Evropiane të Kontabilistëve (EFAA) dhe Federatën e Kontabilistëve të Vendeve të Mesdheut (FCM). 

Gjithnjë e angazhuar në shërbim të interesit publik, ka shërbyer dy mandate si anëtare dhe tani është këshilltare teknike e Komisionit për Zhvillim të Organizatave Profesionale të FNK-së, ku është pjesë e grupeve punuese në programin e bashkëpunimit më donatorët globalë-MOSAIC, programin e mentorimit dhe programin e zhvillimit të udhëzuesve për qeverisje. Anëtare e Bordit Ekzekutiv të FCM-së, anëtare e Bordit të NLB Bankës në Kosovës, anëtare e Bordit të Guvernatorëve në Odën Ekonomike Amerikane, anëtare e Komisionit Këshillues për Buxhet dhe Financa të Rektoratit të Universiteti të Prishtinës dhe për disa vite me radhë, është pjesë e programit regjional për reforma në raportim financiar, auditim dhe edukim për kontabilitet dhe auditim - EU-REPARIS, të Bankës Botërore.  Si pjesë e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës - G7, është anëtare e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Gjatë karrierës së saj në zhvillimin e profesionit, Ardiana Bunjaku ka qenë anëtare e disa komisioneve të institucioneve kosovare që kryejnë mbikëqyrje në sektorët kyçë që janë relevantë për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, duke përfshirë Komisionin për Zhvillimin Strategjik të Kosovës, grupin punues të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve të Kosovës dhe Komisionin Këshillues të Autoritetit të Administratës Tatimore. Ishte iniciatore dhe pjesë e krijimit të programit  të kontabilitetit dhe auditimit në Universitetin e Prishtinës, ka shërbyer si anëtare e komisionit të sigurimit të cilësisë në Bordin Kosovar për Standarde dhe Raportim Financiar me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, dhe për dy mandate ka qenë anëtare e Bordit të Guvernatorëve në Odën Ekonomike Amerikane dhe anëtare e Bordit të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Ardiana Bunjaku është e angazhuar edhe në iniciativa filantropike si Kryesuese e Bordit në organizatën humanitare “Nëna dhe Fëmija”.