20 VJET SCAAK

2021-05-25 - 10:59

Këtë vit, ShKÇAK, shënon 20 vjetorin e themelimit të saj.


20 vjet më parë, u themelua Shoqata e Parë e Kontabilitetit dhe Auditimit në Kosovë. Synimi i themeluesve të saj ishte krijimi i një organizate profesionale, e cila do t’i shërbente qëllimit të zbatimit dhe promovimit të standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira për profesionin e Kontabilitetit dhe Auditimit, dhe asistimit në zhvillimin e përgjithshëm në të mirë të interesit publik.


Përgjatë kësaj periudhe dhe gjithë këtij rrugëtimi kjo shoqatë është ballafaquar me sfida të mëdha, por në të njëjtën kohë ka arritur edhe suksese të jashtëzakonshme. Gjithsesi këto suksese janë reflektuar, në radhë të parë në avancimin e profesionit të Kontabilitetit dhe Auditimit, duke zhvilluar dhe përparuar një organizatë profesionale dhe konkurruese edhe në tregun ndërkombëtar. ShKÇAK tashmë përmbush standardet më të larta profesionale dhe etike, si dhe përmbush performancën organizative përmes menaxhimit financiar, sigurisë dhe ekspertizës së specializuar. Shoqata sot është lidere në avancimin e profesionit të kontabilitetit, auditimit dhe shërbimeve të tjera të specializuara duke ofruar gjithmonë zgjedhjen më të mirë për profesionistët.


Sot, 20 vjet më pas, ShKÇAK vazhdon me të njëjtin ngulm dhe përkushtim zhvillimin e profesionit dhe rritjen e reputacionit të saj, si e vetmja shoqatë profesionale e Kontabilitetit dhe Auditimit në Kosovë që është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK), Federatës Evropiane të Kontabilistëve dhe Auditorëve për NVM (EFAA), Federatës Mesdhetare të Kontabilistëve (FCM). Përmes këtyre anëtarësimeve Shoqata përfaqëson zërin e profesionistëve të Kosovës në këto organizata globale, përcaktuese të kritereve dhe standardeve në fushën e kontabilitetit dhe auditimit dhe luajnë rol aktiv në zhvillimet globale të profesionit.


Fuqia e Shoqatës sonë buron nga anëtarët e saj, angazhimi dhe përkushtimi i tyre për avancimin e profesionit, për çka ShKÇAK është mirënjohëse dhe i falënderon për punën profesionale të dëshmuar për këto 20 vjet ekzistencë. Së bashku do të vazhdojmë edhe më tej në arritjen e synimeve tona për të kontribuar në vazhdimësi në fuqizimin dhe në avancimin e profesionit dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë!


Gëzuar dhe urime 20 vjetori i sukseseve të deritashme të Shoqatës!