ShKÇAK pjesëmarrëse në punëtorinë e Komunitetit të Praktikës për Raportim Financiar

2019-07-02 - 04:48

Përfaqësues të ShKÇAK, Ministrisë së Financave dhe Këshillit Kosovar për Raportim Financiar po marrin pjesë në punëtorinë dy ditore të Komunitetit të Praktikës për Raportim Financiar me temë “Vlerësimi i Implementimit të Reformës dhe Planifikimi për të Ardhmen”, e cila po mbahet në Vjenë, Austri.

Objektivi i kësaj punëtorie të Komunitetit të Praktikës të Raportimit Financiar është të sigurojë një diskutim interaktiv për zbatimin e reformave në kontabilitet dhe auditim, i cili mbështet zhvillimin e kornizave të harmonizuara me acquis communautaire të Bashkimit Evropian dhe ndërtimin e kapaciteteve në raportimin financiar në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë seminarit pjesëmarrësit janë duke:

  • Rishikuar progresin në implementimin e reformave në: auditim, mbikëqyrje të auditimit; dhe kontabilitet;
  • Eksploruar mekanizmat drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal në mes të disa grupeve të interesuara;
  • Diskutuar aktivitetet e ardhshme që mund të sigurojnë zbatimin e duhur të reformave.

Rezultati i dëshiruar është të sigurohet që të gjithë akterët relevant mund të përfitojnë nga reforma dhe së fundi nga reformat përfitojnë kompanitë, duke përfshirë NVM-të dhe duke mundësuar rritjen e përbashkët dhe prosperitetin për të gjithë.

Për të arritur këtë objektiv, pjesëmarrësit janë duke ndarë përvojat mes tyre dhe janë duke i  diskutuar ato me përfaqësuesit e Qendrës për Reformën e Raportimit Financiar dhe Komisionit Evropian.

Diskutimet janë tematike të cilat gjithashtu do të ndihmojnë në ndërtimin e aktiviteteve të ardhshme për një program të ardhshëm BE-REPARIS. Punëtoria  ka të ftuar  pjesëmarrës nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia).

Ndër pikat e agjendës së punëtorisë gjatë ditës së parë janë disa sesione si: azhurnimi i përgjithshëm nga Komisioni Evropian, progresi në implementimin e reformave të auditimit, progresi në mbikëqyrjen publike dhe implementimin e sigurimit të cilësisë si dhe progresi në zbatimin e reformës së kontabilitetit.