Konferenca Ndërkombëtare e EFAA-së - "Ndërtimi i Praktikës Digjitale"

2019-06-27 - 02:57

Përfaqësues të ShKÇAK po marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Federatës Evropiane të Kontabilistëve dhe Auditorëve për NVM (EFAA) me temë “Ndërtimi i Praktikës Digjitale”, që po mbahet në Amsterdam, Holandë.

Digjitalizimi ka ndikuar dhe do të vazhdojë të ndikojë në mënyrë dramatike edhe në të ardhmen mënyrën se si jetojnë, punojnë dhe veprojnë evropianët. Teknologjitë - në veçanti, Inteligjenca Artificiale, Blockchain si dhe rreziku i lidhur me sigurinë kibernetike po ndikojnë shumë në profesionin e kontabilitetit dhe auditimit dhe në firmat e kontabilitetit dhe auditimit të të gjitha madhësive. Ndërkohë që kompanitë e mëdha dhe firmat e kontabilitetit dhe auditimit po i përvetësojnë këto teknologji, shumë të tjerë pyesin nëse e njëjta gjë vlen edhe për firmat e vogla dhe të mesme (FVM) dhe për impaktin në klientët e tyre që janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme (NVM).

Cilat janë teknologjitë digjitale relevante për FVM-të dhe klientët e tyre  NVM? Si janë duke ndryshuar FVM-të mënyrën e veprimit dhe shërbimet që ofrojnë? Dhe si mund FVM-të të tërheqin, të mbajnë dhe të zhvillojnë stafin e ri dhe ekzistues për të shfrytëzuar më mirë mundësitë e reja? Kjo konferencë është duke adresuar këto pyetje dhe do të shërbejë si ngjarje e lansimit të një mjeti të ri për të ndihmuar FVM-të e Evropës të rrisin kompetencën e tyre digjitale.

Ndër pikat e agjendës së konferencës është azhurnimi mbi teknologjinë digjitale, lansimi i modelit të kompetencës digjitale të EFAA-së, fjalë rasti dhe ndarje e eksperiencës së saj nga Femke Hogema – sipërmarrëse, praktikat që aplikohen në teknologjinë digjitale, përvetësimi dhe zhvillimi i talenteve dhe  fjalimi përmbyllës nga Bodo Richard –President i EFAA-së