Takimet e Grupeve të Ekspertëve të Kontabilitetit dhe Auditimit të EFAA-së

2019-06-26 - 06:57

Përfaqësues të ShKÇAK po marrin pjesë në Takimet e Grupeve të Ekspertëve të Kontabilitetit dhe Auditimit të Federatës Evropiane të Kontabilistëve dhe Auditorëve për NVM (EFAA), që po mbahen në Amsterdam, Holandë.

Ndër pikat e agjendës së takimit të Grupit të Ekspertëve të Auditimit është përmbledhja e aktiviteteve që nga takimi i fundit i mbajtur në prill 2019, dokumenti i diskutimit të Bordit për Standarde Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS/IAASB) mbi auditimin e entiteteve më pak komplekse, dhe Drafti i Ekspozimit të BSNAS/IAASB mbi Menaxhimin e Cilësisë.

Gjithashtu, gjatë këtij takimit janë duke u diskutuar dhe çështje të tjera me rëndësi, ku grupi i ekspertëve të auditimit është duke u përgjigjur në dokumentin e grupit të monitorimit për propozimet e reformës për fuqizimin e qeverisjes dhe mbikëqyrjes së bordeve ndërkombëtare për përcaktimin e standardeve të auditimit në interes të publikut. Pjesë e diskutimit janë dhe zhvillimet e fundit në vendet anëtare dhe takimi i  radhës i grupit të ekspertëve të auditimit.

Në anën tjetër, Grupi i Ekspertëve të Kontabilitetit është duke diskutuar Planin e Punës 2019-2020, konsultimet e Bordit të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit (IASB), Grupit Këshillues për Raportim Financiar Evropian (EFRAG) dhe Komisionit Evropian dhe shqyrtimin gjithëpërfshirës të SNRF për NVM-të. Gjithashtu, po diskutohet edhe për projekte të tjera që janë pjesë e Planit të Punës si raportimi jo-financiar i NVM-ve, pasuritë e paprekshme  dhe raportimi i aktiviteteve kërkimore dhe zhvillimore të NVM-ve, si dhe cilësia e informacionit.  Ekspertët e kontabilitetit gjithashtu po diskutojnë mbi zhvillimet e fundit në vendet anëtare.