Transformimi Digjital ofron mundësi të reja biznesi

2019-05-23 - 09:39

Profesioni i kontabilitetit dhe auditimit ka një mundësi të shkëlqyer për të përfituar nga transformimi digjital që po ndodh sot në shoqëri. Roli i kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë si këshilltarë të besueshëm i kombinuar me kompanitë digjitale, hap mundësi të reja dhe fusha të biznesit nëse kontabilistët dhe auditorët i shfrytëzojnë këto mundësi që teknologjia është duke i ofruar.

Por kjo kërkon që industria jonë të përshtatet me zhvillimin digjital. Përndryshe, ekziston rreziku që konkurrenca të mbizotërojë.

Ky është përfundimi kryesor i një raporti të ri, Transformimi Digjital, i cili është lansuar nga Shoqata e Auditorëve Danez – FSR.

Qëllimi i raportit është të ndërtojë një kuptim të përbashkët të mundësive dhe sfidave për industrinë e kontabilitetit dhe auditimit në Danimarkë. Raporti përshkruan disa prej teknologjive dhe tendencave të reja që do të ndikojnë në industrinë në vitet në vijim: inteligjenca artificiale (IA), të dhënat në numër të madh, machine learning , block-chain, robotët etj. Raporti bazohet në intervistat me firmat daneze të kontabilitetit dhe auditimit, bizneset daneze, ekspertët, literatura ndërkombëtare si dhe dokumentet hulumtuese.

Konkluzionet janë optimiste

Transformimi digjital prek bizneset gjerësisht. Industria e kontabilitetit dhe auditimit nuk është përjashtim. Sipas raportit McKinsey, 86% e të gjitha detyrave aktuale të ndërmarra nga auditorët, kontabilistët dhe libërmbajtësit kanë potencial për t'u automatizuar.

Përkundër këtyre parashikimeve të zymta, përfundimet e raportit janë optimiste. Nga ana pozitive në raport thuhet se rutinat dhe proceset e mërzitshme të transaksioneve do të zhduken. Kjo do t'i mundësojë kontabilistëve dhe auditorëve që të rritin vlerën dhe të përqendrohen më shumë në konsulencë dhe në vlerë të shtuar të punës.

Në anën negative, disa vende të punës do të zhduken dhe detyrat rutinë do të zëvendësohen nga robotët. Ndonëse këto ndryshime nuk do të ndodhin papritmas, raporti pret ndryshime të mëdha në industri në 3-5 apo 5-10 vitet e ardhshme.

Nga zhvillimet e përshkruara në raport, Drejtori i Përgjithshëm i BDO në Danimarkë - Stig Holst Hartwig, komentoi: "Ne ende nuk kemi përjetuar ndryshime radikale digjitale në industri. Ne deri më tani kemi parë ndryshime në rritje aty-këtu. Por ne mund të shohim se të dhënat po digjitalizohen gjithnjë e më shumë në të ardhmen dhe që mjetet shumë shpejt do të mund të organizojnë të dhënat në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë. Dhe pastaj shkalla e ndryshimit do të përshpejtohet. "

Firmat janë të parat në kryesim
 
Industria e kontabilitetit dhe auditimit ka qenë historikisht në gjendje të zhvillojë në mënyrë efektive modelin dhe shërbimet e saj të biznesit dhe ka qenë e shpejtë në shfrytëzimin e mundësive të teknologjisë së re. Disa firma kontabiliteti dhe auditimi - veçanërisht firmat më të mëdha - kanë investuar dukshëm në teknologji të reja dhe po përdorin në mënyrë aktive teknologji për të automatizuar dhe modernizuar proceset e biznesit. Në të njëjtën kohë, shumë prej tyre gjithashtu përpunojnë shërbimet bazë dhe zhvillojnë ato të reja. Ato janë të parat në kryesimin digjital dhe u shërbejnë bizneseve daneze me një gamë të gjerë mjetesh dhe shërbimesh digjitale.
 
Megjithatë, raporti gjithashtu tregon një histori rreth firmave të kontabilitetit dhe auditimit që janë më pak të gatshme për transformimin digjital. Ato nuk kanë investuar në teknologji të reja, kryesisht për shkak se klientët e tyre gjithashtu nuk janë të digjitalizuar. Por kjo do të ndryshojë në të ardhmen, thotë raporti.
 
Ndërsa bizneset e vogla dhe të mesme bëhen më të matura në mënyrë digjitale, atyre do t’iu kërkohet që të jenë të pranishme në internet. Kontabilistët, auditorët dhe këshilltarët e tyre gjithashtu do të duhet të kuptojnë mjetet dhe shërbimet digjitale, dhe të ndihmojnë klientin t'i përdorë ato në mënyrë efektive.

Nevoja të ndryshme për anëtarë të ndryshëm

Një pikë kyçe në raport është se zhvillimet digjitale sfidojnë kontabilistët dhe auditorët danezë në mënyra të ndryshme dhe në mënyra që kërkojnë lloje të ndryshme shërbimesh nga FSR.

Në përgjigje të gjetjeve të raportit, FSR kohët e fundit miratoi një strategji të re, e cila, ndër të tjera, përpiqet të sigurojë që të gjithë anëtarët të mund të përdorin teknologji të re, të zhvillojnë bizneset e tyre dhe të forcojnë marrëdhëniet me klientët.

Pikat e fokusit në strategjinë e re përfshijnë:

  • zgjidhjet digjitale dhe përdorimin e të dhënave si pjesë të integruar të programeve edukative;
  • zhvillimin e një programi trajnimi të modernizuar për kontabilistët dhe auditorët të cilët janë  përshtatur në realitetin e ri digjital; dhe
  • sigurimin e një rregullimi fleksibël dhe të shkathët që lejon industrinë të maksimizojë përdorimin e teknologjisë së re.

Meqenëse profesioni i kontabilitetit  dhe auditimit në Danimarkë është në faza të ndryshme teknologjike, kjo do të thotë se FSR duhet të ketë një gamë të gjerë shërbimesh që kujdesen për anëtarë të ndryshëm. Edukimi përkatës dhe zhvillimi i kompetencës janë një pjesë e rëndësishme e këtyre aktiviteteve. FSR është në dialog të ngushtë me universitetet dhe institucionet edukative në mënyrë që të sigurohet që trajnimi i ardhshëm i kontabilistëve dhe auditorëve  të ketë fokusin e nevojshëm në teknologjinë e re.


Artikull i shkruar nga: Anders Lau - Udhëheqës i  Departamentit të Komunikimit në Shoqatën e Auditorëve Danez – FSR.