Për Rritjen Ekonomike, Bota ka nevojë për Kontabilistë dhe Auditorë

2019-05-16 - 03:37

Segmenti më i madh i pasurisë në botë është i fshehur.

Ky segment mbahet nga qeveritë, por asetet nuk janë të vlerësuara dhe menaxhuara si duhet. Qytetarët - pronarët përfundimtarë të këtyre aseteve - duhet të kërkojnë më shumë. Nëse "pasuria publike" vlerësohet, menaxhohet dhe kuptohet siç duhet, shoqëria në tërësi do të përfitojë. Por kjo kërkon kontabilitet dhe auditim modern në sektorin publik dhe kontabilistë dhe auditorë  profesionistë për të ndihmuar në ndërtimin e fuqishëm të financave publike.

Nëse bota dëshiron rritje ekonomike, ajo ka nevojë për kontabilistë dhe auditorë profesionist në sektorin publik.

Tregu botëror i aksioneve është me vlerë rreth 78 trilionë dollarë amerikanë, që është afërsisht e barabartë me madhësinë e ekonomisë globale - ose PBB globale. Ky segment i pasurisë shqyrtohet në çdo moment nga një mori e analistëve, ndërmjetësve, investitorëve, rregullatorëve, autoriteteve tatimore dhe mediave. Pjesa më e madhe e informacionit që analizohet, bazohet në llogaritë e audituara duke përdorur standardet moderne të kontabilitetit dhe auditimit të përmirësuara gjatë 800 viteve të fundit. Zhvillimi i këtyre standardeve jo vetëm që ka mundësuar zhvillimin e tregut të kapitalit, por edhe të pasurisë që ne të gjithë e gëzojmë sot.

Megjithëse vlera e aseteve publike është dy herë më e lartë se ajo e tregjeve globale të aksioneve, ose 2x PBB globale, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbetet e pa audituar, pa mbikëqyrje dhe e pa rregulluar. Edhe më keq, është pothuajse tërësisht e pa llogaritur. Shumica e qeverive injorojnë këto pasuri dhe vlerën që mund të gjenerohet prej tyre, kur zhvillojnë buxhetet e tyre.

Pyetja është se a përdoren dhe menaxhohen pasuritë publike në interesin më të mirë të qytetarëve? Fatkeqësisht, sipas gjitha gjasave përgjigjja është jo. Kontabiliteti dhe Auditimi më i mirë mund të mos garantojë që asetet të menaxhohen më mirë. Por, të ditur se çfarë pasurish keni dhe çfarë vlere posedojnë, është parakusht për menaxhimin profesional dhe rrit gjasat për kthim të mjeteve ndaj shoqërisë - në vend të rritjes së tatimeve.

Në fakt, menaxhimi profesional i pasurive publike në të gjithë ekonomitë e zhvilluara mundet të gjenerojë çdo vit e më shumë të ardhura sesa ato që qeveritë marrin në mbledhjen e tatimeve të korporatave. Kjo gjithashtu mund të shumëfishojë fondet e disponueshme për investime në infrastrukturë ose Objektivat e Qëndrueshme Zhvillimore të OKB-së.

Politikanët vazhdimisht nënvlerësojnë ose injorojnë tërësisht vlerën e pasurive dhe detyrimeve publike, duke përfshirë koston e premtimeve të pensioneve të bëra për punonjësit e sektorit publik. Megjithëse kjo është qartë një recetë për qeverisje të dobët, është dëgjuar rrallë herë në debate politike. Arsyeja kryesore mund të jetë se kjo ka të bëjë me kontabilitet dhe auditim – temë kjo me interes të kufizuar për shumë politikanë.

Për më tepër, sipas Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe Auditorëve, organizatës globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit, vetëm 8% e të gjithë kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë janë në sektorin publik. Mungesa relative e kontabilistëve dhe auditorëve të sektorit publik është pasqyruar drejtpërdrejt në cilësinë e dobët të informacionit të përdorur nga qeveritë në menaxhimin e tyre financiar. Menaxhimi i performancës financiare dhe pozitës pa informacion të shëndoshë është sikur të fluturosh i verbër në një stuhi. Dhe, zona ku informacioni financiar është më i dobët është menaxhimi i aseteve.

Kjo nuk i sjell dobi askujt, meqenëse praktikat e varfëra ose të rrezikshme të kontabilitetit dhe auditimit mund të luhatin dhe në fund të rrëzojnë shoqëritë e tëra. Kontabiliteti  dhe Auditimi na prek të gjithëve, siç bëhet e dukshme sa herë që ka një krizë financiare, qoftë për bankat, korporatat apo qeveritë. Kontabiliteti dhe Auditimi i duhur është thelbësor për sektorin publik dhe nga kontabiliteti dhe auditimi i duhur nënkuptojmë llojin e kontabilitetit dhe auditimit që është përdorur në sektorin e korporatave për shekuj.

Realiteti është se shumica e qeverive kanë stagnuar në Mesjetë kur bëhet fjalë për kontabilitetin dhe auditimin. Ata kanë qenë për një kohë të gjatë të ndikuar nga ekonomistët perspektiva e të cilëve në menaxhimin e financave publike është e kufizuar në masa të thjeshta të flukseve të mjeteve monetare dhe të borxhit. Kjo është si përpjekja për të menaxhuar një korporatë moderne duke përdorur vetëm informacionin në dispozicion nga transaksionet në para të gatshme të regjistruara në pasqyrat bankare. Kontabiliteti  dhe auditimi i kompanisë kërkon informata më komplekse se kjo. Kjo është po aq e vërtetë edhe për qeveritë.

Për menaxhimin e çështjeve financiare të një qeverie moderne dhe shumë komplekse, mjeti i duhur është kontabiliteti akrual. Një qeveri moderne ka nevojë për një mendim të ndryshëm, një mendim që do të njohë se menaxhimi i pasurive publike mund të gjenerojë të ardhura për të paguar për shërbimet publike, për të financuar investimet në infrastrukturë dhe për të rritur ekonominë - pa rritur tatimet. Ashtu si në sektorin privat, kjo do të thotë zhvendosjen e fokusit në vlerën neto, në vend që të fokusohet vetëm në para të gatshme dhe borxhe.

Deri më tani, vetëm Zelanda e Re ka futur kontabilitetin dhe auditimin modern dhe ka integruar bilancin e saj të gjendjes me buxhetin, duke e përdorur atë si një mjet për buxhetimin e tij, përvetësimet dhe raportimin financiar. Që nga reformat e sektorit publik në mesin e viteve 1980, Zelanda e Re ka arritur dhe ruajtur një vlerë mjaft pozitive neto, ku shumica e qeverive të krahasueshme si Australia dhe Kanadaja apo vendet më të mëdha si Britania e Madhe dhe SHBA kanë një vlerë negative neto.

Ne mbështetemi tek inxhinierët që përdorin teknologjinë moderne për të projektuar dhe ndërtuar ura të forta. Për të ndërtuar financa të fuqishme publike, ne kemi nevojë për kontabilistë dhe auditorë që përdorin sisteme moderne të kontabilitetit dhe auditimit.

Shoqëritë do të përfitojnë sot nga ky zhvillim dhe do të reduktojë barrën për gjeneratat e ardhshme.

Artikull i shkruar nga: Dag Detter - Partner Menaxhues & Themelues i  Detter & Co.