Ceremonia e Ndarjes së Çertifikatave për Ekspertët e Licencuar të Forenzikës Financiare nga ShKÇAK dhe UNDP

2019-03-26 - 05:57

Sot më 26 mars, 2019, u mbajt ceremonia e ndarjes së çertifikatave për zyrtarët e institucioneve publike të cilët përfunduan me sukses ligjëratat dhe provimet e programit specializues të ShKÇAK-së, Ekspert i Licencuar i Forenzikës Financiare, mbështetur nga UNDP dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe programi DANIDA i Qeverisë së Danimarkës.  

Programi për Ekspert të Licencuar të Forenzikës Financiare është zhvilluar nga ShKÇAK dhe UNDP me qëllim të përgatitjes së ekspertëve të licencuar të forenzikës financiare duke i pajisur ata me njohuri, aftësi dhe ekspertizë të duhur që rezultojnë të jenë thelbësore për luftimin e korrupsionit si parakusht për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë. Ekspertët e Licencuar të Forenzikës Financiare do t’i përshpejtojnë në masë të madhe hetimet dhe do të sigurojnë një numër më të madh të aktakuzave të rasteve të korrupsionit dhe krimeve financiare.

Me këtë rast para kandidatëve të çertifikuar mbajtën fjalë mirëseardhje  Z. Patrick Etienne - Drejtor në Zyrën Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC),  Z. Anders Kragh Bingen – Përfaqësues i DANIDA, Znj. Valbona Bogujevci - Asistente e Përfaqësueses së Përhershme dhe Koordinatore e Programit në UNDP dhe Znj. Ardiana Bunjaku - Drejtoreshë Ekzekutive e ShKÇAK, të cilët folën për rëndësinë e këtij programi në luftën kundër korrupsionit, si mënyra e vetme për rritjen e stabilitetit, ngritjen e besimit të publikut në institucionet publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.  

Z. Patrick Etienne gjatë fjalimit të tij i përgëzoi UNDP dhe ShKÇAK-në për përpjekjet në dizajnimin e këtij programi. Ndërkaq Z. Andre Kragh Bingen ndër të tjera theksoi se ky program dhe ky çertifikim është  shumë i rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe krimeve financiare. Më tutje, Znj. Bunjaku i përgëzoi zyrtarët e institucioneve publike për përkushtimin e tyre në programin e Ekspertit të Licencuar të Forenzikës Financiare duke marrë parasysh që ka qenë një program i cili kërkon shumë punë, si dhe falënderoi donatorët dhe UNDP për bashkëpunimin në zhvillimin dhe implementimin e programit çertifikues.

Fjalë rasti mbajtën edhe Z. Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror, Z. Rashit Qalaj - Drejtor i Policisë, Z. Shaip Havolli - Drejtor i Agjencisë Anti-Korrupsion, Z. Dardan Nuhiu - Drejtor i Njësitit të Inteligjencës Financiare, Z. Ilir Murtezaj - Drejtor i Administratës Tatimore dhe Z. Bahri Berisha - Drejtor i Shërbimit Doganor.

Udhëheqësit e institucioneve publike falënderuan donatorët për financimin e këtij projekti, UNDP dhe ShKÇAK për implementimin e programit specializues, dhe përgëzuan të çertifikuarit në këtë program duke theksuar se ata do të jenë asete brenda institucioneve publike me aftësi dhe ekspertizë  për të luftuar korrupsionin, krimet ekonomike dhe ekonominë jo formale.

Grupi i parë i kandidatëve të çertifikuar në këtë program ka qenë i përbërë nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Kosovës, Njësisë për Intelegjencë Financiare, Administratës Tatimore të Kosovës, Agjencisë Kundër Korrupsionit, Doganës së Kosovës, dhe BIRN, të cilët  janë të përfshirë në aktivitetet anti-korrupsion.