Kanë filluar konsultimet globale mbi menaxhimin e cilësisë në nivel të firmave dhe angazhimeve

2019-02-21 - 02:05

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS) kërkon koment publik deri më 1 Korrik, 2019 mbi tre standardet e ndërlidhura që adresojnë menaxhimin e cilësisë.  Propozimet sjellin ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si firmat profesionale të auditimit pritet të menaxhojnë cilësinë - për auditimet, rishikimet dhe angazhimet tjera të sigurisë.

Standardet e propozuara përfshijnë një qasje të re pro-aktive dhe të bazuar në rrezik, ndaj sistemeve efektive të menaxhimit të cilësisë brenda firmave që krijojnë bazën për nivel të angazhimit të qëndrueshëm dhe cilësor. Qasja e re ofron mundësi që standardet të aplikohen në shkallë të ndryshme, sepse promovon një sistem të përshtatur për natyrën dhe rrethanat e firmës dhe angazhimet e saj.
 
Propozimet e BSNAS kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së angazhimeve përmes:

  • Modernizimit të standardeve për një mjedis në zhvillim gjithnjë e më kompleks, duke përfshirë adresimin e ndikimit të teknologjisë, rrjeteve dhe përdorimit të ofruesve të jashtëm të shërbimeve;
  • Rritjes së përgjegjësive dhe llogaridhënies së udhëheqësve të firmës dhe përmirësimit të qeverisjes; 
  • Monitorimit më rigoroz të sistemeve të menaxhimit të cilësisë dhe përmirësimit të mangësive;
  • Rritjes së përgjegjësisë së partnerëve për udhëheqjen e angazhimeve të auditimit dhe cilësinë e auditimit; dhe
  • Adresimit të qëndrueshmërisë së cilësisë së angazhimit, duke përfshirë përzgjedhjen e angazhimit, dokumentimin dhe performancën.

Duke pasur parasysh rëndësinë e ndryshimeve dhe nevojën e firmave për të rregulluar mënyrën se si ato menaxhojnë cilësinë, BSNAS gjithashtu ka hartuar udhëzime dhe mjete të tilla si shembuj dhe pyetje të shpeshta. Këto materiale do t'i ndihmojnë firmat të kuptojnë propozimet, duke përfshirë atë se si t'i zbatojnë ato në rrethana të ndryshme.

Draftet për komentim

  • Memorandumi i përgjithshëm shpjegues, Draftet e Ekspozimit të BSNAS për menaxhimin e cilësisë në nivel të firmës dhe në nivel të angazhimit, duke përfshirë rishikimet e cilësisë së angazhimit;
  • Standardi ndërkombëtar i propozuar për menaxhimin e cilësisë 1, menaxhimin e cilësisë për firmat që bëjnë auditime ose rishikime të pasqyrave financiare, ose shërbime të angazhimeve të tjera të sigurisë apo që kanë të bëjnë me sigurinë (më parë Standardi Ndërkombëtar mbi Kontrollin e Cilësisë - SNKC 1);
  • Standardi ndërkombëtar i propozuar për menaxhimin e cilësisë 2, rishikimet e cilësisë së angazhimit;
  • Standardi ndërkombëtar i propozuar mbi auditimin 220 (i rishikuar), menaxhimi i cilësisë për auditimin e pasqyrave financiare.

Komentet mbi draftin e ekspozimit kërkohen deri më 1 korrik, 2019.

Për BSNAS-në 

BSNAS zhvillon standarde dhe udhëzime të auditimit dhe sigurisë për nevojat e të gjithë kontabilistëve dhe auditorëve në një proces të përbashkët të vënies së standardeve me Bordin Mbikëqyrës të Interesit Publik, i cili i mbikëqyrë aktivitetet e BSNAS-së dhe Grupin Këshilldhënës të BSNAS-së, i cili jep kontributin e vet në zhvillimin e standardeve dhe udhëzimeve, në favor të interesit publik. Strukturat dhe proceset që e mbështesin anën operative të BSNAS-së ndihmohen nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK)