Standardi i ri i edukimit ka në fokus zhvillimin profesional

2019-02-11 - 03:33

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit në Kontabilitet (BSNEK) ka publikuar Standardin Ndërkombëtar të Edukimit (SNE) 7 të rishikuar - Edukimi i Vazhdueshëm Profesional. Standardi sqaron parimet dhe kërkesat se si organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit matin, monitorojnë dhe zbatojnë sistemet e tyre të edukimit të vazhdueshëm profesional. SNE 7 (i rishikuar) e bën të qartë se të gjithë kontabilistët dhe auditorët profesionistë duhet të zhvillojnë dhe mbajnë kompetencë profesionale për të përmbushur rolin e tyre.

"Ndikimi transformues i teknologjive të reja, ndryshimi i modeleve të biznesit dhe mjedisi dinamik në të cilin veprojmë, vendosin kërkesa të reja në profesionin global të kontabilitetit dhe auditimit", sipas Anne-Marie Vitale, kryetare e BSNEK.  "Edukimi i vazhdueshëm profesional është thelbësor në adresimin dhe avancimin e njohurive që u mundëson kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë të ofrojnë shërbime të kualitetit të lartë për klientët e tyre. Këto rishikime do të ndihmojnë në rritjen e konsistencës, cilësisë dhe relevancës së kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë. "

SNE 7 i rishikuar i kushton më shumë rëndësi nxënies së njohurive dhe zhvillimit të nevojshëm për rolin dhe përgjegjësitë e kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë sesa fokusimit në një numër minimal të orëve. Rishikimet e rëndësishme përfshijnë:

  • Kërkesën e kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë për të regjistruar zhvillimin përkatës të edukimit të vazhdueshëm profesional (EVP);
  • Sqarimin e qasjes së matjes të bazuar në rezultate, e cila kërkon që kontabilistët dhe auditorët profesionistë të demonstrojnë kompetencë;
  • Sqarimin e qasjes së matjes të bazuar në të dhëna, e cila kërkon që kontabilistët dhe auditorët profesionistë të demonstrojnë kompetencë duke plotësuar një sasi të caktuar orësh të nxënies së njohurive dhe zhvillimit;
  • Promovimin e përdorimit të një kornize të EVP-së për të siguruar një strukturë shembull dhe një udhëzim për të ndihmuar kontabilistët dhe auditorët profesionistë të identifikojnë, ndërmarrin dhe regjistrojnë zhvillimet përkatëse; dhe
  • Sigurimin e qasjeve të matjes së EVP-ve me shembuj të provave të verifikueshme që lidhen me përmirësimin e adoptimit.


Bashkangjitur me standardin e ri janë materialet mbështetëse që do t'i ndihmojnë organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit të kuptojnë dhe zbatojnë kërkesat dhe të mbështesin të gjithë akterët relevant, përfshirë organizatat e edukimit, punëdhënësit, rregullatorët dhe autoritetet qeveritare. SNE 7 (i rishikuar) hyn në fuqi më 1 janar, 2020.

Rreth BSNEK-së

BSNEK zhvillon standardet e edukimit, udhëzimet dhe dokumentet informuese për përdorim nga organizatat anëtare të FNK-së në kuadër të një procesi të përbashkët të përcaktimit të standardeve që e përfshinë Bordin e Mbikëqyrjes së Interesit Publik, i cili i mbikëqyrë aktivitetet e BSNEK-së dhe Grupin Këshillues Konsultativ të BSNEK-së, i cili i inkorporon interesat publike në zhvillimin e standardeve dhe udhëzimeve. Strukturat dhe proceset që i mbështesin aktivitetet e BSNEK-së ndihmohen nga FNK.

FNK dhe BSNEK kanë zhvilluar një plan për një rrugëtim të ri përpara në edukimin e përgjithshëm të kontabilitetit dhe auditimit dhe zhvillimin profesional. Ky plan do të transformojë BSNEK në një model të ardhshëm që do të dizajnohet si pjesë e një mandati më të gjerë, për të përforcuar rëndësinë dhe autoritetin e standardeve të rishikuara ndërkombëtare të edukimit, të cilat do të vazhdojnë të jenë baza për një qasje gjithëpërfshirëse dhe të integruar në edukimin ndërkombëtar të kontabilitetit dhe auditimit.

Rreth FNK-së

FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e përkushtuar për t'i shërbyer interesit publik për fuqizimin e profesionit dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive të fuqishme ndërkombëtare. FNK përbëhet nga më shumë se 175 anëtarë dhe bashkëpunëtorë në më shumë se 130 vende dhe juridiksione, që i përfaqësojnë afër 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në praktikën publike, edukim, shërbim qeveritar, industri dhe tregti.