BSNKSP paraqet udhëzime për fushat e rëndësishme të Shpenzimeve Publike

2019-02-11 - 02:32

Çështjet e përfitimeve sociale të SNKSP dhe Drafti i Ekspozimit për shërbimet kolektive dhe individuale

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (BSNKSP) ka lëshuar një standard të ri dhe një Draft të Ekspozimit mbi kontabilitetin e përfitimeve sociale dhe shërbimeve kolektive dhe individuale. Midis tyre, Standardi Ndërkombëtar i Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP) 42 - Përfitimet Sociale dhe Drafti i Ekspozimit(DE) 67 - Shërbimet Kolektive dhe Individuale si dhe Reagimet në raste emergjente (Ndryshimet në SNKSP 19), adresojnë një gamë të gjerë shpenzimesh të rëndësishme qeveritare që direkt dhe globalisht ndikojnë në jetën e qytetarëve.

SNKSP 42 siguron udhëzime shumë të nevojshme për kontabilitetin e shpenzimeve për përfitime sociale, që përfshin rreth një të pestën e PBB-së nëpër vendet e Organizatave për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD-së). Ai përcakton përfitimet sociale si transfere parashë të paguara për individë dhe / ose familje të veçanta për të zbutur efektin e rrezikut social. Shembuj të veçantë përfshijnë përfitimet e pensionit shtetëror, përfitimet për aftësi të kufizuar, mbështetjen e të ardhurave dhe përfitimet e papunësisë. Standardi i ri kërkon që një njësi ekonomike të njohë një shpenzim dhe një detyrim për pagesën e ardhshme të përfitimeve sociale.

"SNKSP 42 paraqet një hap të madh përpara për raportimin financiar global në sektorin publik dhe plotëson një nga mangësitë kryesore në standardet e BSNKSP-së", tha kryetari i BSNKSP, Ian Carruthers. "
“Përfitimet sociale kanë qenë një projekt sfidues për shkak të pikëpamjeve të ndryshme dhe të fuqishme për sa i përket lindjes së një detyrimi për përfitime sociale. Ne jemi të sigurt që standardi përfundimtar do të rrisë transparencën dhe krahasueshmërinë në raportimin financiar të sektorit publik ".

Për të zgjeruar udhëzimet e BSNKSP për shërbimet publike, si dhe për transferet në para, DE 67 propozon kërkesa të reja për kontabilitetin e shërbimeve kolektive (të tilla si mbrojtja në nivele kombëtare dhe ndriçimi rrugor në nivel nën-kombëtar), shërbimet individuale (si përkujdesja shëndetësore dhe edukimi) dhe reagimet në raste emergjente.

Për shërbimet kolektive dhe individuale, DE 67 propozon që një shpenzim të njihet në pikën e ofrimit të shërbimit. DE 67 gjithashtu propozon që një shpenzim dhe një detyrim të njihen për disa reagime në raste emergjente, por jo kur reagimi në rast emergjent është dorëzuar si një aktivitet i vazhdueshëm i qeverisë.

"Dallimi ndërmjet përfitimeve sociale dhe shërbimeve kolektive dhe individuale është i rëndësishëm, por trajtimi kontabël i këtyre transaksioneve duhet të jetë konceptualisht i qëndrueshëm", tha z. Carruthers. "Lëshimi i DE 67 tani, së bashku me SNKSP 42, do të lejojë palët e interesit të identifikojnë dhe të japin llogari në mënyrë më të qëndrueshme për gamën e plotë të detyrimeve të politikave sociale të qeverisë".

Si të komentoni

Për të pasur akses në Draftin e Ekspozimit 67 dhe në përmbledhjen e tij si një dokument i plotë, ose për të paraqitur një koment, vizitoni faqen e internetit të BSNKSP në www.ipsasb.org. Komentet mbi draftin e ekspozimit kërkohen deri më 31 maj, 2019. BSNKSP inkurajon organizatat anëtare të FNK dhe organizatat rajonale të kontabilitetit për të promovuar disponueshmërinë e këtij Drafti të Ekspozimit për anëtarët dhe punonjësit e tyre.

Rreth IPSASB

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (BSNKSP) punon për të fuqizuar menaxhimin financiar publik global përmes zhvillimit dhe mbajtjes së Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP) në baza akruale dhe përmes udhëzimeve të tjera të raportimit financiar të kualitetit të lartë për përdorim nga qeveritë dhe subjektet tjera të sektorit publik. Gjithashtu rritë vetëdijen për SNKSP dhe përfitimet nga adoptimi akrual. Bordi merr mbështetjen nga Banka Aziatike e Zhvillimit, Kontabilistët Profesionistë të Çertifikuar të Kanadasë, Bordi i Raportimit të Jashtëm të Zelandës së Re dhe qeveritë e Kanadasë dhe Zelanda e Re. Strukturat dhe proceset që mbështesin veprimtaritë e BSNKSP lehtësohen nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK).

Rreth Komitetit të Interesit Publik

Aktivitetet e qeverisjes dhe përcaktimit të standardeve të BSNKSP mbikëqyren nga Komiteti i Interesit Publik (KIP), për të siguruar që ata të ndjekin procesin e duhur dhe të pasqyrojnë interesin publik. KIP përbëhet nga individë me ekspertizë në sektorin publik ose raportim financiar dhe angazhim profesional në organizata që kanë interes në promovimin e informacionit financiar të cilësisë së lartë dhe të cilat janë ndërkombëtarisht të krahasueshme.