Konferenca e Ministrave me temë “Informacioni Financiar: Katalizator për Integrimin Ekonomik”

2018-11-27 - 11:39

Sot, më 27 nëntor, 2018, po mbahet Konferenca e Ministrave me temë “Informacioni Financiar: Katalizator për Integrimin Ekonomik”, organizuar nga Qendra për Reforma në Raportim Financiar e Bankës Botërore në Vjenë.
 
Në këtë konferencë pjesëmarrës nga Republika e Kosovës janë z. Bedri Hamza, Ministër i Financave, përfaqësues të Thesarit të Kosovës, Këshillit Kosovar për Raportim Financiar (KKRF), Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Universitetit të Prishtinës, Zyrës së Harmonizimit, dhe Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).
 
Konferenca po mbahet nën patronazhin e  Presidencës Austriake të  Këshillit të Bashkimit Evropian dhe ka mbledhur rreth 300 delegatë të nivelit të lartë, duke përfshirë  Ministra të Ministrive të Financave, përfaqësues të rregullatorëve  financiar  si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të sektorit publik dhe atij privat, përfaqësues të komuniteteve profesionale dhe akademike, dhe ekspert nga institucionet kyçe ndërkombëtare  dhe institucione të Bashkimit Evropian.
 
Konferenca ka në fokus mënyrën se si rritja e llogaridhënies dhe transparencës financiare në sektorët publik dhe privat mund të mbështesin integrimin më të thellë ekonomik të BE-së dhe fqinjëve të saj në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin me vendet partnere të Lindjes.