Raporti i përbashkët i FNK dhe CIPFA zbulon se 65% e qeverive globale do të raportojnë në baza akruale deri në vitin 2023

2018-11-19 - 02:01

Raporti i përbashkët i Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve(FNK) dhe Institutit të Licencuar për Financa Publike, Kontabilitet dhe Auditim(CIPFA) parashikon avancim të shpejtë të kontabilitetit akrual dhe adoptimit të standardeve ndërkombëtare.

Brenda pesë viteve, 65% e qeverive do të raportojnë në baza akruale, sipas raportit të fundit nga FNK dhe CIPFA. Raporti është nxjerrë nga Indeksi Ndërkombëtar i Llogaridhënies Financiare të Sektorit Publik, i cili përfshin përdorimin aktual dhe të ardhshëm të bazave dhe kornizave të raportimit financiar publik nga qeveritë në mbarë botën.

Raporti i Statusit të Indeksit i vitit 2018, i cili përfshin informacione nga 150 vende, zbulon se përderisa 25% e qeverive aktualisht raportojnë në baza akruale, 65% e qeverive do të raportojnë në baza akruale deri në fund të vitit 2023. Azia, Afrika, Amerika Latine dhe Karaibet do të udhëheqin rritjen e parashikuar deri në fund të vitit 2023.

Duke ofruar një pasqyrë gjithëpërfshirëse të financave qeveritare, raportimi akrual ndihmon që shpenzimet e fondeve publike të jenë transparente, zyrtarët publik të mbahen më përgjegjës, detyrimet e ardhshme të njihen zyrtarisht dhe të planifikohen siç duhet.

"Bazat akruale të kontabilitetit dhe pasqyrat financiare të auditueshme janë esenciale që qeveritë të promovojnë besimin dhe transparencën, identifikojnë dhe luftojnë korrupsionin dhe mbi të gjitha ofrojnë rezultatet që qytetarët e tyre presin dhe meritojnë", tha Rob Whiteman, Kryeshefi Ekzekutiv i CIPFA.

Kornizat e raportimit financiar publik janë zhvilluar në mënyra të ndryshme, shumë prej tyre duke përdorur Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP). SNKSP-të ofrojnë udhëzime të kualitetit të lartë të raportimit financiar për qeveritë dhe organet e tjera publike në të gjithë botën, në mënyrë që ato të përmirësojnë konsistencën dhe transparencën e tyre. 51% e qeverive që aktualisht raportojnë në baza akruale përdorin në mënyrë direkte, indirekte ose si pikë referimi SNKSP-të. Deri në fund të vitit 2023, afërsisht  tre të katërtat (73%) e qeverive që raportojnë në baza akruale do të përdorin SNKSP në njërën nga këto tre mënyra.

Raporti gjithashtu përshkruan veprimet kyçe për reforma të suksesshme akruale. Sipas raportit, implementimi i suksesshëm i reformave akruale kërkon planifikim të koordinuar dhe përkrahje të qëndrueshme. Rekomandime të tjera përfshijnë: komunikime të shpeshta dhe të qarta, një program menaxhimi për ndryshim, trajnim të koordinuar dhe ngritje të kapaciteteve.

"Avancimi i përshpejtuar i raportimit akrual në sektorin publik, dhe SNKSP në veçanti, është një shenjë premtuese për qytetarët anembanë globit. Kontabilistët dhe auditorët profesionistë luajnë një rol të rëndësishëm në zhbllokimin e përfitimeve të plota të kontabilitetit akrual dhe në përmirësimin e vendimmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies në të gjithë ekonominë ", tha Kevin Dancey, drejtori ekzekutiv i ardhshëm i FNK-së.

FNK dhe CIPFA planifikojnë të zgjerojnë Indeksin në mënyrë progresive në aspektin e mbulimit dhe thellësisë së informacionit dhe të ofrojnë raporte periodike të statusit gjatë gjithë kësaj periudhe të rëndësishme të pranimit për raportimin financiar akrual global.

Për FNK-në

FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e zotuar në shërbim të interesit publik, duke e forcuar profesionin dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive ndërkombëtare. FNK përbëhet nga 175 anëtare me të drejta të plota dhe anëtarë të asocuar, që i përfaqësojnë rreth 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në shërbime publike, edukim, shërbime qeveritare, industri dhe tregti.

Për CIPFA

CIPFA është organi profesional për njerëzit në financat publike. Ajo përfaqëson përafërsisht 14,000 anëtarë, të cilët janë udhëheqës dhe zyrtarë të financave publike në Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj, të specializuar në menaxhimin e financave publike dhe qeverisjes me cilësi të lartë për organizatat dhe sigurimin e mbështetjes për qeverinë dhe shërbimet publike. Anëtarët e saj punojnë në  sektorin publik, në agjencitë kombëtare të auditimit, në firmat kryesore të kontabilitetit dhe auditimit dhe në organet e tjera publike dhe private, ku paratë publike duhet të menaxhohen në mënyrë efektive dhe efikase. Si organi profesional i vetëm i kontabilitetit dhe auditimit në botë që ofron specializime në shërbimet publike, portofolio e kualifikimeve të CIPFA është themeli për një karrierë në financat publike. Ajo gjithashtu përkrah performancën e lartë në shërbimet publike, duke transferuar përvojën dhe njohjen e saj në këshilla të qarta dhe shërbime praktike. Globalisht, CIPFA tregon rrugën për financat publike duke ngritur zërin për një menaxhim financiar të shëndoshë publik dhe një qeverisje të mirë.