TË OFROHEN MË SHUMË MUNDËSI PËR GRATË NË FUSHËN E NDËRMARRËSISË

2018-11-15 - 02:15

Prishtinë, 15 nëntor, 2018 – Në vazhdën e aktiviteteve të cilat po organizohen me shënimin e Javës Globale të Ndërmarrësisë, Drejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK-së, Znj.Ardiana Bunjaku ishte e ftuar si paneliste në tryezën e diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temë “Roli i Grave Ndërmarrëse në Shoqërinë Kosovare dhe Komunitetin e Biznesit” ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë për gratë në ndërmarrësi, por dhe në treg të punës në Kosovë.

Znj. Bunjaku ndau storjen e saj në rrugëtimin për të arritur suksesin në ndërmarrësi. Ajo njoftoi të pranishmit se edhe pse fillimet e ngritjes profesionale të saj datojnë në një kohë kur profesioni i saj ka qenë i dominuar nga burrat, kjo nuk ka qenë aspak dekurajim për të. Përkundrazi, Bunjaku tha se përkushtimi, vullneti, guximi, dhe qasja pozitive në profesion kanë ndikuar që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj profesional. Ajo inkurajoi të pranishmet që të mos ngurrojnë në zhvillimin e ideve të tyre të biznesit dhe të shfaqin dhe aplikojnë shkathtësitë e tyre në punë.