Rëndësia e SNRF 15 “Të Ardhurat nga Kontratat me Klientët”

2018-11-15 - 11:37

SNRF 15 "Të Ardhurat nga Kontratat me Klientët” zëvendëson SNK 11, SNK 18, KIRFN 13, KIRFN 15, KIRFN 18 dhe KIS 31. Ky standard zbatohet për të gjitha kontratat me klientët, përveç kontratave që trajtohen nga standardet IAS 17, IFRS 9, dhe IFRS 4. SNRF 15 paraqet një model me pesë hapa të njohjes së të ardhurave, i njëjtë për të gjitha llojet e transaksioneve, për të gjitha shoqëritë dhe industritë, pa bërë dallim midis kontratave të ndërtimit, shitjes së produkteve apo shërbimeve.

Kush do të preket nga standardi i ri?

Standardi i ri vjen si rezultat i një projekti të përbashkët shumëvjeçar i Bordit të Standardeve Ndërkombëtar të Kontabilitetit (BSNK) dhe Bordit të Standardeve të Kontabilitetit Financiar në SHBA. Ky standard pritet të sjell ndryshime të mëdha në kohën dhe shumat e njohura në të ardhura për shoqëritë që ofrojnë produkte dhe shërbime në një paketë të artikujve dhe/ose shërbimeve, zbritje tregtare, shërbime në formën e kontratave afatgjata dhe atyre që aplikojnë çmim të ndryshueshëm ose shpërblim të kushtëzuar në kontratat e tyre me klientët. Industritë që do të preken më shumë janë: telekomunikacioni, teknologjia e informacionit, energjia, mediat, ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, farmaceutika, kujdesi shëndetësor, dhe disa shërbime të ofruara nga institucionet bankare. Megjithatë, ndikimi tek çdo shoqëri do të lidhet ngushtë me natyrën kushteve kontraktuale. Gjë që mund të sjellë ndryshime në mënyrën se si shoqëritë do të përcaktojnë kushtet kontraktuale në vijim.

Çfarë do të ndryshojë?

SNRF 15 paraqet një model të vetëm me pesë hapa të njohjes së të ardhurave. Sipas këtij modeli, të ardhurat do të njihen (a) në një moment të caktuar kohor ose (b) përgjatë një periudhe kohore në varësi të përmbushjes së detyrimeve të performancës sipas kontratës.

Si rrjedhojë e zbatimit të modelit me pesë hapa, momenti i njohjes së të ardhurave mund të ndryshojë (të përshpejtohet ose të zhvendoset). Të ardhurat, të cilat aktualisht njihen për një periudhë të caktuar kohore, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, p.sh. në përputhje me metodën e përqindjes së përfundimit, në të ardhmen mund të njihen një herë, në fund të kontratës dhe anasjelltas. Parimi bazë i SNRF 15 është njohja e të ardhurave në momentin kur kontrolli mbi një produkt/shërbim transferohet tek klienti. Sfida më e madhe në zbatimin dhe përdorimin e standardit të ri është rritja e rëndësisë së vlerësimeve pa të cilat njohja e një transaksioni relativisht të thjeshtë mund të bëhet e pamundur.

Efektet tatimore

Megjithëse trajtimi për qëllime fiskale varet nga njohja e të ardhurave për qëllime të kontabilitetit, ka raste të caktuara në të cilat njohja e të ardhurave mund të krijojë diferenca midis trajtimit për qëllime kontabël dhe atij për qëllime fiskale. Në këto kushte, standardi i ri mund të ketë një ndikim të konsiderueshëm në procedurat e faturimit të shoqërisë dhe pozicionin e përgjithshëm të TVSH-së. Ndryshimet si rezultat i standardit të ri mund të ndikojnë në diferencat kontabël dhe fiskale dhe në tatimet e shtyra që lidhen me njohjen e të ardhurave.

Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë sesion të EVP-së mund të konfirmojnë pjesëmarrjen deri më 20 nëntor, 2018.