BSNAS avancon Auditimin e Vlerësimeve Kontabël në mbështetje të Cilësisë së Auditimit

2018-11-06 - 11:19

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS) ka lansuar Standardin Ndërkombëtar të Auditimit (SNA) 540 (të rishikuar), standard për auditimin e vlerësimeve kontabël dhe shpalosjen e informacioneve shpjeguese lidhur me të.

Bankat, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e tjera që ofrojnë shërbime financiare kanë vërejtur ndryshime rrënjësore në praktikat e tyre të kontabilitetit pas transferimit në standardet e reja të  kontabilitetit që ndryshuan mënyrën e trajtimit të provizioneve të kredive dhe kontratave të sigurimeve. SNA 540 (i rishikuar) pasqyron këtë zhvillim të shpejtë në mjedisin e biznesit dhe siguron që standardi të vazhdojë të mbajë ritmin e njejtë me ndryshimin e tregut.

Ky standard i rishikuar është i pari që është përfunduar si pjesë e programit të gjerë të BSNAS-së  “Adresimi i elementeve themelore të një auditimi” dhe është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të BSNAS-së për të përmirësuar cilësinë e auditimit në nivel global. Disa rishikime të rëndësishme përfshijnë:

  • Një vlerësim të shtuar të rrezikut që kërkon që auditorët të marrin në konsideratë kompleksitetin, subjektivitetin dhe faktorët e tjerë të rrezikut përveç pasigurisë së vlerësimeve kontabël. Kjo do t'i nxisë auditorët të mendojnë më thellë në lidhje me rreziqet që lidhen me vlerësimet kontabël.
  • Një lidhje më të ngushtë ndërmjet vlerësimit të shtuar të rrezikut dhe metodave, të dhënave dhe supozimeve të përdorura në vlerësimin kontabël, duke përfshirë përdorimin e modeleve komplekse.
  • Materialin specifik për të treguar se si standardi është fleksibil për të gjitha llojet e vlerësimeve kontabël.
  • Theksin mbi rëndësinë e aplikimit të një skepticizmi të duhur profesional kur bëhet auditimi i vlerësimeve kontabël për të nxitur një mendim skeptik më të pavarur dhe sfidues te auditorët.

SNA 540 (i rishikuar) hyn në fuqi për auditimin e pasqyrave financiare për periudhat që fillojnë më ose pas datës 15 Dhjetor, 2019.Është e rëndësishme që të gjitha palët në zinxhirin e raportimit financiar, veçanërisht rregullatorët, standardvënësit kombëtarë dhe firmat të bashkëpunojnë në  implementimin e një standardi me ndikim kaq të gjerë në auditimin e pasqyrave financiare. BSNAS do të ofrojë mbështetje për auditorët që të drejtojnë dhe të zbatojnë implementimin e këtij standardi të rishikuar.

Për BSNAS-në 

BSNAS zhvillon standarde dhe udhëzime të auditimit dhe sigurisë për nevojat e të gjithë kontabilistëve dhe auditorëve në një proces të përbashkët të vënies së standardeve me Bordin Mbikqyrës të Interesit Publik, i cili i mbikëqyrë aktivitetet e BSNAS-së dhe Grupin Këshilldhënës të BSNAS-së, i cili jep e kontributin e vet në zhvillimin e standardeve dhe udhëzimeve, në favor të interesit publik. Strukturat dhe proceset që e mbështesin anën operative të BSNAS-së ndihmohen nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK).