HULUMTIMI I RI GLOBAL SHFAQË TRANSFORMIMIN DIGJITAL DHE MENAXHIMIN E TALENTIT SI PIKË KYÇE PËR RRITJEN E FIRMAVE TË VOGLA TË KONTABILITETIT DHE AUDITIMIT

2018-10-31 - 03:50

Nju Jork, 23 tetor, 2018 - Sipas rezultateve të një studimi global të bërë nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilitetit mbi Praktikat e Vogla dhe të Mesme (PVM) gjatë vitit 2018, kontabilistët dhe auditorët që punojnë në PVM po shfrytëzojnë teknologjinë për t'i shërbyer më mirë klientëve dhe për të tërhequr dhe mbajtur talentët e nivelit të lartë.  FNK mori më shumë se 6,000 përgjigje nga PVM-të nga 150 vende në lidhje me performancën e tyre në vitin 2018 dhe faktorët e tregut që me gjasë do të ndikojnë në të ardhmen.

Hulumtimi zbuloi se një e katërta e PVM-ve (28%) planifikojnë të ndajnë më shumë se 10% të të ardhurave gjatë vitit të ardhshëm në investimet për teknologji, duke reflektuar rëndësinë e saj në menaxhimin e praktikës dhe operacioneve. Përgjigjet më të shpeshta për avancimet teknologjike kanë qenë zhvillimi i ekspertizës së teknologjisë informative brenda firmave si dhe adoptimi dhe përdorimi i opsioneve të “cloud” për t'i shërbyer më mirë klientëve.

"Si konsulentë strategjik të zgjedhur nga klientët e tyre, firmat po e pranojnë rëndësinë e përdorimit të teknologjisë për të ofruar njohuri dhe ekspertizë dhe për të fuqizuar rolin e tyre si partnerë biznesi të besueshëm", tha Kryeshefi Ekzekutiv  i FNK-së  Fayez Choudhury. "Është e njohur se shumica e të ardhurave të PVM-ve gjenerohen nga shërbimet tradicionale të pajtueshmërisë, por ka pasur një rritje dhe diversifikim në ofrimin e shërbimeve konsulente që janë në kohë reale, të avancuara dhe të bazuara në industrinë e specializuar ose në njohuri sektoriale, e cila është një prirje që ne presim të vazhdojmë në të ardhmen ".

Ofertat e shërbimit të mundësuara nga teknologjia

Meqë transaksionet po bëhen gjithnjë e më të automatizuara, edhe firmat po përdorin teknologjinë për të ofruar njohuri të biznesit nga analiza e të dhënave si një ofertë e re shërbimi. Një shumicë domethënëse e firmave (86%) ofrojnë shërbime të konsulencës për biznes, dhe një shumicë (51%) parashikojnë një rritje të moderuar ose të konsiderueshme të të ardhurave gjatë 12 muajve të ardhshëm nga tarifat në këtë linjë shërbimi.

Talenti në Ekonominë Digjitale

Talenti mbetet sfida kryesore për PVM-të. Shumica (54%) kanë vështirësi në tërheqjen e talentëve të gjeneratës së ardhshme, dhe 66% deklarojnë që arsyeja numër një  është mungesa e kandidatëve me kombinimin e duhur të aftësive. Kjo thekson rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm dhe zhvillimin e kompetencave të reja për ekonominë digjitale globale. Përveç kësaj, firmat po implementojnë iniciativa për menaxhimin e talentëve për të tërhequr dhe mbajtur personelin. Iniciativa më e njohur është përdorimi i orëve fleksibile të punës ose ditëve të punës.

Metoda e Hulumtimit

Studimi Global i FNK për PVM gjatë vitit 2018 mori 6,258 përgjigje, duke përfaqësuar 150 vende dhe u krye gjatë periudhës  mars-maj, 2018,  në 24 gjuhë. Dizajni i hulumtimit dhe raportimi u ndërmorrën në bashkëpunim me Sarah Webber dhe Donna L. Street, hulumtuese kryesore nga Universiteti i Dejtonit (SHBA).

I dizajnuar për t'u kompletuar nga profesionistë të lartë të PVM-ve, klientët e të cilëve janë kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme (NVM), studimi merr një pamje të çështjeve kyçe dhe përcjell trendet dhe zhvillimet e rëndësishme, me të cilat ballafaqohet ky sektor i rëndësishëm.

Për FNK-në

FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e zotuar në shërbim të interesit publik, duke e forcuar profesionin dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive ndërkombëtare. FNK përbëhet nga 175 anëtare me të drejta të plota dhe anëtarë të asocuar, që i përfaqësojnë rreth 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në shërbime publike, edukim, shërbime qeveritare, industri dhe tregti.