Kontabiliteti dhe Auditimi në Ballkanin Perëndimor: Bashkëpunimi rajonal mund të shpie në avancime kombëtare

2018-10-09 - 02:11

Gjatë tranzicionit nga sistemi socialist në ekonomi të tregut, duke përfshirë disa dekada turbulente dhe konfliktuoze, vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, kanë bërë progres të dukshëm në adoptimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në raportimin financiar të korporatave, dhe tani ndajnë një angazhim të përbashkët për të hyrë në Bashkimin Evropian. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme në sigurimin e implementimit efektiv të standardeve ndërkombëtare dhe në arritjen e pajtueshmërisë së plotë me kërkesat e BE.

Tashmë ekziston një bashkëpunim i konsiderueshëm bilateral mes organizatave rajonale profesionale të kontabilitetit dhe auditimit (OPK), sipas një studimi rajonal të dhjetë OPK-ve të Ballkanit Perëndimor që përfaqësojnë më shumë se 20,000 profesionistë të çertifikuar nga  Qendra për Reformimin e Raportimit Financiar (QRRF) e Bankës Botërore. Pyetja tani është: a mund të rritet ky bashkëpunim në baza rajonale për të përshpejtuar zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në Ballkanin Perëndimor?

Në një punëtori të përbashkët rajonale, të mbështetur nga QRRF dhe FNK, OPK-të kombëtare, përfaqësuesit e OPK-ve evropiane dhe ndërkombëtare, dhe ekspertët ndërkombëtarë hulumtuan për këtë ide dhe integrimin më të afërt të mundshëm rajonal. Konkluzioni përfundimtar ishte se nga një bashkëpunim më i madh do të mund të kishte më shumë përfitim.

Statusi i adoptimit të Standardeve Ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor

Analiza e të dhënave të grumbulluara përmes Programit të Pajtueshmërisë së Anëtarëve të FNK-së tregon se shumica e standardeve ndërkombëtare për raportimin financiar të korporatave janë adoptuar dhe janë duke u praktikuar në të gjashtë juridiksionet në Ballkanin Perëndimor (shih më shumë hollësi për Standardet Ndërkombëtare: Raporti i Statusit Global, 2017). Përkthimi në kohë i standardeve dhe nevoja për t’i siguruar të tjerët nga jashtë se standardet janë duke u përmbushur janë disa nga sfidat e implementimit me të cilat ballafaqohet profesioni në rajon.

Megjithëse është bërë progres në vendosjen e sistemeve të rishikimit të sigurimit të cilësisë dhe janë duke vazhduar përpjekjet për të krijuar rrjete ndërkufitare të sigurimit të cilësisë, ende pritet të prezentohen sistemet efektive hetimore dhe disiplinore. Përveç kësaj, nevojiten më shumë përpjekje në adoptimin e Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP) dhe inkorporimin e Standardeve  Ndërkombëtare të Edukimit (SNE) të rishikuara.

Si mund të përfitojnë OPK-të nga integrimi i mëtejshëm rajonal?

OPK-të  e  zhvilluara dhe të njohura ndërkombëtarisht mbështesin profesionin e kontabilitetit dhe auditimit në përmbushjen e rolit tij esencial të sigurimit të raportimit financiar të cilësisë së lartë, i cili kontribon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. OPK-të në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndonëse të zhvilluara në krahasim me ekonomitë e tjera në tranzicion, përballen me një numër të madh sfidash.

Përderisa profesioni i kontabilitetit dhe auditimit në shumicën e rasteve është i njohur ligjërisht, pjesëmarrja e tij në vendosjen dhe rregullimin e standardeve është e kufizuar, sidomos në edukim, sistemet efektive hetimore dhe disiplinore, dhe vendosjen dhe monitorimin e kërkesave etike. OPK-të ose nuk kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për adoptimin e standardeve ndërkombëtare  ose ndajnë përgjegjësinë me një sërë akterësh relevant, përfshirë qeverinë, autoritetet e mbikëqyrjes së auditimit dhe OPK-të e tjera. Prandaj, profesioni duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive me palët e tjera të interesit për të nxitur adoptimin dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira.

Profesioni i kontabilitetit dhe auditimit në Ballkanin Perëndimor është kryesisht tradicional në ofrimin e shërbimeve ku dominojnë shërbimet që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave ligjore. Prandaj, shërbimet e ofruara të kontabilitetit dhe auditimit kanë tendencë të perceptohen si shërbime me  vlerë të vogëldhe kryesisht konsiderohen më tepër si një kosto se sa një shërbim me vlerë të shtuar. Bashkëpunimi në mbrojtjen e rolit të rëndësishëm të profesionit dhe komunikimi i vlerës së shtuar të OPK-ve mund të ketë një ndikim më të fuqishëm nëse bëhet përpjekje e përbashkët regjionale.

Gjithashtu, ekziston një shkallë e lartë  fragmentimit të profesionit. Ekzistenca e OPK-ve të shumta në nivel kombëtar në faza të ndryshme të pjekurisë dhe të integrimit të tyre në institucionet ndërkombëtare çojnë në vështirësi në arritjen e standardeve uniforme, konsistente dhe të cilësisë së lartë të raportimit financiar në disa juridiksione. Mungesa e kërkesave të përbashkëta për edukimin e kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë dhe niveleve të ndryshme të cilësisë së edukimit pengojnë lëvizjen e fuqisë punëtore dhe kufizojnë numrin e marrëveshjeve të reciprocitetit dhe njohjen e kualifikimeve.

Së fundi, në disa vende të Ballkanit Perëndimor, kufizimet ligjore kanë bërë që shumë OPK të luftojnë për të financuar në mënyrë të qëndrueshme operimin e tyre. Shpërndarja e kostove përmes bashkëpunimit në iniciativa të ndryshme - për shembull, përkthimi i standardeve ndërkombëtare do të ndihmojë OPK-të të mbështesin operimin dhe t'i shërbejnë interesit publik.

Hapat e ardhshëm

Duke njohur rëndësinë e sfidave të tanishme dhe duke shkuar nga e ardhmja, OPK-të e Ballkanit Perëndimor mund të eksplorojnë nevojën për të bashkëpunuar më ngushtë në nivel rajonal dhe të angazhohen unanimisht në zgjidhjen kolektive të problemeve, duke u bazuar në shumë sinergji dhe ngjashmëri mes vendeve, në mënyrë që të arrijnë një zhvillim të qëndrueshëm. Disa nga përfitimet e bashkëpunimit të zgjeruar përfshijnë:

  • përmirësimin e zbatimit të standardeve ndërkombëtare për raportimin financiar të korporatave;
  • rritjen e ndikimit të profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në komunikimin me akterët relevant dhe promovimin e interesave të tij;
  • përmirësimin e cilësisë së edukimit profesional të kontabilitetit dhe auditmit (p.sh., ndarjen e përvojave, shkëmbimin e praktikave të mira, nismat e përbashkëta, harmonizimin e pikëpamjeve);
  • mundësitë për ndarjen e kostos (p.sh., përkthime, zhvillim të vazhdueshëm profesional, trajnime, konferenca, seminare); dhe
  • mobilitetin e fuqisë punëtore (p.sh., marrëveshjet e reciprocitetit dhe njohjen e kualifikimeve).

 QRRF e Bankës Botërore dhe FNK do të vazhdojnë të mbështesin OPK-të në Ballkanin Perëndimor përgjatë këtij udhëtimi përmes një analize të përbashkët dhe të thellë të përfitimeve nga integrimi më i afërt dhe duke i ndarë përvojat ndërkombëtare, si dhe duke ndihmuar në organizimin e një serie webinarësh për të vazhduar dhe përmirësuar diskutimin rajonal.

Artikull i shkruar nga:

Kalina Shukarova Savovska është një Specialiste e Lartë e Menaxhimit Financiar në Qendrën për Reformimin e Raportimit Financiar (QRRF) të Bankës Botërore. Ajo mbështet aktivitetet që përfshijnë edukimin në kontabilitet dhe auditim dhe ngritjen e kapaciteteve, duke ofruar këshilla për politikat mbi reformën e raportimit financiar të korporatave dhe zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit, me fokus primar në standardet e auditimit.
 
Maria Chuvasheva është një Menaxhere e Lartë Teknike për Cilësi dhe Zhvillim në FNK. Si pjesë e Programit të Pajtueshmërisë së Anëtarëve të FNK, Maria punon me organizata profesionale të kontabilitetit dhe auditimit nga Evropa Lindore dhe Jugore, duke i mbështetur ata në adoptimin dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare në juridiksionin e tyre dhe duke siguruar përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit në FNK.