Nju Jork, 25 shtator, 2018 - Gjenerata-Z është e interesuar për ekonominë dhe perspektivat e tyre për punë, sipas një studimi të ri të publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK) si zëri global i profesionit të kontabilitetit dhe auditimit. Studimi i mbi 3,300 individëve të moshës 18-23 vjeç nga 19 vende të G20 analizon qëndrimet e gjeneratës së ardhshme për politikat publike dhe pritshmëritë e tyre në lidhje me karrierën.
Kuptimi i prioriteteve të Gjeneratës-Z do të jetë kritik për politikëbërësit dhe punëdhënësit, pasi që debatet për politikat publike ballafaqohen gjithnjë e më shumë me kompromiset e bëra mes gjeneratave në lidhje me pasurinë dhe pasi që Gjenerata-Z parashihet të përbëjë gjeneratën më të madhe në botë.
Të angazhuar në politikë, dhe konservativ në ekonomi
Prioritetet kryesore të politikave publike për këtë gjeneratë janë: avancimi i stabilitetit ekonomik, edukimi cilësorë, dhe mundësia e punësimit. Megjithatë, pikëpamjet se si të arrihen rezultatet e dëshiruara varen nga aspekti gjeografik. Studimi zbuloi se 51% e Gjeneratës Z globalisht preferojnë një qasje kombëtare ndaj politikave publike, ndërsa 32% favorizojnë globalizimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtarë .
Gjenerata-Z në Francë (52%) dhe Gjermani (43%) e mbështesin më së shumti bashkëpunimin politik ndërkombëtarë, ndërsa preferenca për një qasje kombëtare të politikave publike është më e theksuar në Kinë (65%), Afrikën e Jugut (63%), Indi (60%), dhe Rusi (59%).
“Të interpretuara në debatet bashkëkohore gjeopolitike dhe ekonomike, pikëpamjet e Gjeneratës-Z duket se pasqyrojnë tensionin mes mbrojtjes së vlerave kombëtare dhe bashkëpunimit politik ndërkombëtarë” tha Russell Guthrie, Drejtori Ekzekutiv i FNK. “Theksi mbi stabilitetin ekonomik flet shumë për atë që e ardhmja do të sjell, duke pasur parasysh se kjo gjeneratë tashmë po ushtron zërin e saj aktiv në skenën globale.”
Përtej konfliktit mes mbrojtës së vlerave kombëtare dhe globalizimit, shqetësime të tjera përfshijnë kujdesin shëndetësorë , veçanërisht në Kanada, Francë, Gjermani dhe SHBA, dhe trajtimin sistematik të korrupsionit, i cili u vlerësua si prioritet i lartë nga të anketuarit në Argjentinë, Brazil, Indi dhe Indonezi.
Dëshira për siguri të punës në profesionet stabile
Dëshira e Gjeneratës-Z për stabilitet është gjithashtu e dukshme në pritjet mbi vendin e punës. Ata parashikojnë që digjitalizimi dhe teknologjia në zhvillim janë një thikë me dy tehe që do të sjellë mënyra të reja të punës por edhe rënien e vendeve tradicionale të punës.
Në kontrast me pikëpamjen "jeto ëndrrën pa marrë parasysh shpenzimet" që zakonisht i atribuohet gjeneratës së mileniumit, prioritetet kryesore të Gjeneratës-Z për zgjedhjen e një karriere përfshijnë një rrugëtim stabil të karrierës (89% e rëndësishme ose shumë e rëndësishme), paga dhe beneficione konkurruese (87%) dhe ekuilibër mes punës dhe jetës (84%).
Perceptimi i Gjeneratës-Z për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit është shumë i përafruar me dy prioritetet kryesore të tij për zgjedhjen e karrierës. 87% e Gjeneratës-Z shohin profesionin e kontabilitetit dhe auditimit si tërheqës ose shumë tërheqës në ofrimin e një rrugëtimi stabil të karrierës, ndërsa 86% e shohin këtë profesion si përmbushje e pritshmërive të tyre për paga dhe beneficione.
Afërsisht tre të katërtat (73%) e të anketuarve të Gjeneratës-Z do të konsideronin një karrierë në profesionin e kontabilitetit dhe auditimit dhe mbi një e pesta e të anketuarve (21%) tregojnë se ata tashmë kanë vendosur të ndjekin një karrierë në këtë profesion.
Gjenerata-Z sjellë një numër të madh të talenteve të reja dhe unike për fuqinë punëtore globale. Ky studim identifikon pse profesioni global i kontabilitetit dhe auditimit është i pozicionuar mirë për të tërhequr dhe mbajtur gjeneratën e ardhshme të talentuar, veçanërisht pasi roli i kontabilistit dhe auditorit po bëhet gjithnjë e më strategjik", tha Fayezul Choudhury, Kryeshefi Ekzekutiv i FNK. Punëdhënësit nga të gjitha industritë do të jenë në pozitë më të përshtatshme kur të kenë kuptuar perspektivat e Gjeneratës-Z, teksa ata vijnë të krijojnë të ardhmen e vendit të punës".
Metoda e Anketimit
Për këtë studim, Gjenerata-Z është përcaktuar si individë të lindur në mes të viteve 1990 dhe në mes të viteve 2000. I kryer nga FNK, ky studim u jep zë 3,388 individëve mes moshës 18 dhe 23 vjeç në vendet e G20. Kjo përfaqëson një madhësi prej 150-300 pjesëmarrësish nga: Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Republika e Koresë, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Britania e Madhe dhe SHBA.
Për FNK-në
FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e zotuar në shërbim të interesit publik, duke e forcuar profesionin dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive ndërkombëtare. FNK përbëhet nga 175 anëtare me të drejta të plota dhe anëtarë të asocuar, që i përfaqësojnë rreth 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në shërbime publike, edukim, shërbime qeveritare, industri dhe tregti.