Mos të ngecim në të kaluarën - Si ndryshimi i qeverisjes së Organizatës Profesionale të Kontabilitetit dhe Auditimit ndihmoi në vendosjen e Kosovës në hartën globale të këtij profesioni

2018-09-12 - 04:56

Në janar të vitit 2018, Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve(FNK) publikoi botimin “Përqëndrimi në Përformancë”  i cili ka për qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit të Organizatave Profesionale të Kontabilitetit dhe Auditimit (OPK-ve) për rëndësinë e praktikave dhe parimeve të mira të qeverisjes së organizatave. Kjo seri e artikujve karakterizohet me tregime nga organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit nëpër botë që theksojnë rëndësinë e adaptimit të qeverisjes së organizatave për të nxitur performancën  duke marrë parasysh aranzhimet e qeverisjes në të tashmen dhe në të kaluarën.
 
Së fundmi, Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve bisedoi me znj. Ardiana Bunjaku, Drejtoreshë Ekzekutive në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK). Znj. Bunjaku ka shërbyer si Drejtoreshë Ekzekutive e ShKÇAK-së që nga themelimi i saj në 2001 dhe është këshilltare teknike e Komisionit të Zhvillimit të Organizatave Profesionale të Kontabilitetit dhe Auditimit në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilistëve. FNK bisedoi me Znj. Bunjaku mbi rëndësinë e krijimit të një strukture të qeverisjes së mirë brenda Shoqatës të cilën ajo udhëheqë.

 

Prapavija

Për të kuptuar më mirë ShKÇAK-në, është e rëndësishme që së pari të kuptojmë më shumë për Kosovën. Kosova është një shtet i vogël që është ende në tranzicion, nga një shtet në konflikt në një shoqëri më të hapur, demokratike dhe të bazuar në treg, e cila ende ka një rrugë të konsiderueshme drejt zhvillimit. Po ashtu, ShKÇAK është një shoqatë e re - vetëm 17 vjeçe – dhe pranon se një pjesë e madhe e zhvillimit dhe rritjes  do të vazhdojnë të ndodhin në vitet e ardhshme. Kështu, themeluesit dhe stafi i menaxhmentit ekzekutiv e dinin se ShKÇAK do të duhej të ndërtohej rreth strukturave të fuqishme të qeverisjes të cilat mund të përshtateshin në një mjedis në zhvillim dhe të mbështesnin rritjen dhe zgjerimin potencial.

 

Struktura jonë e parë e qeverisjes

Statuti dhe rregulloret e para të ShKÇAK-së krijuan një Këshill prej shtatë anëtarësh të Kontabilistëve të Çertifikuar. Të shtatë anëtarët do të zgjidheshin për një mandat të vetëm dyvjeçar. Shumë shpejtë u vërejt se kjo strukturë ishte problematike pasi menaxhmenti ekzekutiv i ShKÇAK-së do të kalonte një nga ato vite duke edukuar dhe zhvilluar njohuritë e anëtarëve të Këshillit dhe kur ata përfundonin mandatin, i tërë procesi fillonte përsëri me anëtarët e rinj të Këshillit. Rrjedhimisht, ShKÇAK rishikoi statutin e saj dhe zbatoi një plan të ri të vazhdimësisë që mundësoi vazhdimin dhe shkëmbimin e njohurive mes anëtarëve të Këshillit. Ky ndryshim gjithashtu i mundësoi menaxhmentit ekzekutiv të ShKÇAK-së të ketë kohë për të ndjekur iniciativa të reja për të përparuar drejt zbatimit të planit dhe vizionit strategjik të Shoqatës.

 

Iniciativat e fundit

Ndër iniciativat e menaxhmentit ekzekutiv ishte përqendrimi në zhvillimin e edukimit dhe trajnimit për të shërbyer si sektorin privat ashtu edhe atë publik. Së fundi, ShKÇAK ka lansuar tre çertifikime të reja në fushën e tatimeve dhe forenzikës financiare. Rrjedhimisht, ShKÇAK ka zgjeruar me shpejtësi anëtarësinë e saj për të përfshirë një gamë të specializimeve nga fusha e Kontabilitetit dhe Auditimit. Anëtarët e SHKÇAK-së përfshijnë Kontabilistët e Çertifikuar, Auditorët e Çertifikuar, Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Specialistët e Insolvencës, Auditorët e Brendshëm dhe Ekspertët e Forenzikës Financiare. Në vend që të mbante Këshillin e saj të përbërë vetëm nga Kontabilistë të Çertifikuar, ShKÇAK gjithashtu i riorganizoi strukturat e saj qeverisëse - Këshillin dhe Komisionet siç është Komisioni i Edukimit - që të përfshijnë një përfaqësim të balancuar të anëtarësisë së saj të llojllojshme. Kjo siguron që ShKÇAK vazhdon të ofrojë trajnime dhe edukim relevant për anëtarët e saj për të përmbushur kërkesat e tregut dhe nevojat e palëve të interesit; jep zë dhe përfaqësim të të gjithë anëtarëve; dhe lejon ShKÇAK të marrë njohuri nga organizata të tjera në fusha të rëndësishme, si kontrolli i cilësisë dhe sigurimi i cilësisë.

 

Vështirësitë gjatë rritjes

Vështirësitë që ShKÇAK ka hasur gjatë rritjes ishin të ngjashme me ato të shumë OPK-ve në mbarë botën. Për fat të mirë, themeluesit e ShKÇAK-së kishin bindje të thella për investimin në zyrën ekzekutive dhe kishin një vizion të një grupi kryesor të stafit të kualifikuar me aftësitë e duhura teknike që mund të udhëheqnin në mënyrë të qëndrueshme një shoqatë në rritje.

 

Vendosja e ShKÇAK-së në hartë

Vendosja e këtij  toni dhe ekuilibri në të gjithë shoqatën - qofshin ato në Këshill, Komisione, dhe mes Këshillit dhe Zyrës Ekzekutive - kanë qenë esenciale në vënien e Kosovës dhe ShKÇAK-së në hartë sa i përket zhvillimit dhe udhëheqjes të OPK-ve. Për shembull, procesi i pranimit si anëtarë në FNK është hartuar të jetë rigoroz për të siguruar që OPK-të kuptojnë plotësisht dhe janë në gjendje të përmbushin dhe obligimet e tyre të anëtarësimit. OPK-ve të sapo themeluara ju duhen nga dy deri në katër vite për t'u bërë anëtare të nivelit të asociuar dhe nga katër deri në pesë vite pas kësaj për t'u bërë anëtare të plota. ShKÇAK arriti të bëhej anëtare e asociuar vetëm dy vite pas themelimit  të saj, dhe pesë vite më vonë u bë edhe anëtare e plotë. Si një Shoqatë e cila u themelua për t'iu shërbyer qytetarëve të Kosovës, ne mbetemi plotësisht të përkushtuar jo vetëm në përmbushjen e të gjitha Deklaratave të Obligimeve të Anëtarësisë të FNK, por gjithashtu të thellojmë rëndësinë dhe shërbimet e ShKÇAK-së tek akterët relevant dhe publiku. Kjo është e mundur vetëm përmes përmirësimit të vazhdueshëm të strukturave tona qeverisëse për të nxitur performancën.

Ardiana Bunjaku ka qenë Drejtoreshë Ekzekutive në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës që nga themelimi i saj në 2001 dhe aktualisht është këshilltare teknike në Komisionin e Zhvillimit të OPK-ve të FNK në të cilin ka qenë anëtare për dy mandate. Gjatë 17 viteve të fundit, ajo ka pasur rol kyç në zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe edukimit profesional në Kosovë duke bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës dhe donatorë të ndryshëm dhe duke nxitur bashkëpunimin institucional. Znj. Bunjaku është gjithashtu aktive si Kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (universiteti më i madh publik në Kosovë); anëtare e bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë; anëtare e bordit dhe anëtare e komisionit të auditimit të Nova Ljubljanska Banka - NLB Bank në Kosovë; dhe u emërua nga Presidentja e Kosovës për të themeluar dhe udhëhequr Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës, e cila është e fokusuar në fuqizimin ekonomik të grave kosovare.