RRITJA E PRITSHMËRIVE NGA KONTABILISTËT DO TË THOTË NDRYSHIM I NEVOJAVE PËR EDUKIM DHE TRAJNIM

2018-08-16 - 01:48

Gjatë takimit të Komisionit për Zhvillimin e Organizatave Profesionale të Kontabilitetit (OPK) të FNK që u mbajt në Manila, Filipine në qershor të vitit 2018, anëtarët e komisionit, shumë prej të cilëve kanë punuar për ose në afërsi me OPK-të dhe rregullatorët e kontabilitetit në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, diskutuan Standardet Ndërkombëtare të Edukimit (SNE) të rishikuara dhe menaxhimin e financave publike. Ky artikull bazohet në diskutimet dhe konkluzionet e tyre në lidhje me rëndësinë e OPK-ve në adresimin e kërkesave për edukim në fushën e kontabilitetit dhe auditimit në sektorin privat dhe publik.

Lëvizshmëria e profesionistëve të kontabilitetit dhe auditimit. Cilësia më e lartë e shërbimeve të ofruara. Rritja e bashkëpunimit që nxit adoptimin e standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira. Këto janë disa nga përfitimet e marrëveshjeve të njohjes së ndërsjellë që u mundësojnë profesionistëve të kontabilitetit të punojnë në nivel global.

Përfitimet e njëjta vlejnë në edhe në rastet e tranzicioneve të punësimit brenda të njëjtit vend dhe të njejtës ekonomi, por në sektorë të ndryshëm - p.sh., sektori publik dhe privat. Kapacitetet dhe aftësitë e duhura nga profesionistët e kontabilitetit në sektorin publik janë në përgjithësi të njëjta me ato të sektorit privat, por objektivat, konteksti dhe kufizimet e tyre janë më të larmishme. Gjatë angazhimit të OPK-ve për të adresuar ndryshimet e kërkesave që dalin nga rishikimi i SNE 2015 dhe për të përshtatur programet arsimore për të theksuar rezultatet e mësimit dhe demonstrimin e aftësive, do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme të merren parasysh edhe aftësitë dhe kompetencat e nevojshme për sektorin publik.

Bashkëpunimi për Adresimin e Kërkesave Ekonomike

Raporti i Statusit Global mbi Standardet Ndërkombëtare i publikuar nga FNK në vitin 2017 zbuloi se 84% e OPK-ve ndajnë përgjegjësinë për krijimin dhe ofrimin e programeve të edukimit të kontabilitetit dhe auditimit. OPK-të bashkëpunojnë me palët kryesore të interesit, si universitetet, punëdhënësit, organet e mbikëqyrjes, agjencitë qeveritare ose me një kombinim të përgjithshëm të tyre, për të ofruar opsione për edukim në kontabilitet dhe auditim. Duke marrë parasysh se OPK-të shpeshherë nuk kontrollojnë të gjitha hallkat e zingjirit të ofrimit të edukimin në kontabilitet dhe auditim, OPK-të duhet të luajnë rolin si këshilltarë të besueshëm në lidhje me standardet e edukimit, duke theksuar kështu kontributin e tyre në cilësinë dhe përmbajtjen e edukimit dhe trajnimit në kontabilitet dhe auditim.

Një nga sfidat kryesore në zbatimin e SNE-ve të rishikuara është se ka ndërgjegjësim të ulët në mesin e palëve të tjera të interesit. Rëndësia e avokimit dhe angazhimit në ngritjen e vetëdijes së palëve tjera të interesit është tejet e madhe. Për shembull, në vendet ku ka kurrikula universitare jokonsistente, OPK-të duhet të bashkëpunojnë me universitetet në një sistem "njohjeje" për programet e kontabilitetit dhe auditimit në mënyrë që të konsultohen edhe akademikët po edhe OPK-të. Kjo eventualisht mund të kalojë në një program akreditimi që siguron që cilësia dhe përmbajtja e planprogrameve dhe materialeve të plotësojnë kërkesat e tregut dhe standardet ndërkombëtare.

Një tjetër sfidë e madhe në zbatimin e SNE-ve të rishikuara janë resurset e kufizuara njerëzore, teknike dhe financiare të OPK-ve dhe ofruesve tjerë të edukimit për kontabilitet dhe auditim. Për shembull, përderisa Raporti i Statusit Global i vitit 2017 tregon se të gjitha OPK-të ofrojnë edukim të vazhdueshëm profesional (EVP), trajnimi ekzistues është në masë të madhe duke u bazuar në marrjen e një numri të caktuar të orëve të EVP (kredive), në vend të demonstrimit të aftësive të reja dhe të mësimit. Disa OPK kanë qenë në gjendje të përshtatin trajnimin e tyre duke i vendosur individët në një skenar biznesi me një klient hipotetik që u kërkon atyre t'u përgjigjen pyetjeve, të japin këshilla dhe të aplikojnë njohuritë teknike të mësuara, në vend të përgjigjeve me shkrim ose pyetësorëve në fund të punëtorive.

Për më tepër, trajnimet aktuale mund të vënë theksin më të madh në këndvështrimin e sektorit privat duke mbuluar Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) dhe jo Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP). Kjo mund të shkaktojë mungesë të trajnimeve në aspektet kyçe të menaxhimit financiar të sektorit publik, siç janë përcaktimi i politikave publike, partneritetet publiko-private, borxhi publik dhe fushat e specializuara duke përfshirë pajtueshmërinë dhe auditimet e performancës.
 
Në mënyrë që të fokusohen dhe të maksimizohen burimet në dispozicion kur të zhvillohen programet e trajnimit ose të avokohen për ndryshime të rëndësishme, është thelbësore që OPK-të dhe palët e interesit të përdorin hulumtimin e tregut dhe të dhëna nga sektori privat dhe publik. Kryerja ose qasja në analizat e Bruto Produktit Vendor (BPV), trendet makroekonomike, shtigjet e karrierës dhe rolet e punonjësve në sektorin publik dhe privat, si dhe vlerësimi i ofertave aktuale për zhvillimin profesional fillestar dhe për EVP ofrojnë të dhëna për aftësitë dhe kompetencat e nevojshme për një sërë mundësish për punësim. Për më tepër, si një praktikë më e mirë e qeverisjes, është e rëndësishme që OPK-të të konsiderojnë përfshirjen e përfaqësuesve të sektorit publik brenda komitetit të tyre të edukimit dhe/ose brenda organeve të tjera të qeverisjes për të kuptuar më tej nevojat e punonjësve të sektorit publik.

Si rrjedhojë e hulumtimit të tregut dhe kuptimit të kërkesave të tregut, OPK-të janë më të përgatitura për të marrë rolin e tyre si këshilltarë dhe avokatë të besueshëm gjatë komunikimit me ofruesit e edukimit rreth rëndësidë së zhvillimit të programeve arsimore më fleksibile, më të përgjegjshme dhe më relevante për të gjithë sektorët. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht promovimin e kualifikimeve të ndryshme për kontabilistët dhe auditorët e sektorit privat dhe publik, por duke theksuar një qasje që fokusohet në rezultatet mësimore ku individët duhet të demonstrojnë kompetenca që i lejojnë ata të ushtrojnë profesionin në çdo fushë dhe të kryejnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të përshtatshme, ekonomike, efikase dhe efektive.
 
Zhvillimi i Fuqishëm

 
Disa lajme të kohëve të fundit theksojnë se menaxhimi i financave publike dhe kontabiliteti, këshillimi dhe vendimmarrja që bën pjesë në këtë proces kërkojnë fuqizim. Rritja e llogaridhënies, etikës dhe integritetit vjen përmes një profesionalizmi dhe trajnimi më të madh. Kjo, nga ana tjetër, mbështet menaxhimin e financave publike dhe, së fundi, rritjen ekonomike dhe përparimin. Duke rritur vetëdijesimin mbi SNE-të e rishikuara dhe duke ndërmarrë hapa për të përfshirë në trajnim metoda të mësimit të bazuara në rezultate dhe kompetenca të fituara për të adresuar nevojat e sektorit privat dhe publik, OPK-të kanë mundësinë të ndihmojnë profesionistët e kontabilitetit të zhvillojnë aftësi më të fuqishme dhe më të gjera, që do të mundësojnë prodhim të informacionit financiar të kualitetit të lartë, auditimit të këtij informacioni, dhe ofrimit të shërbimeve financiare të shkëlqyera.

Komisioni i Zhvillimit të OPK ndihmon FNK të arrijë OPK të fuqishme dhe të qëndrueshme në mbarë botën. Komisioni, i përbërë nga ekspertë me përvojë dhjetëvjeçare që punojnë me dhe për OPK-të dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre, shërbejnë si këshilltarë strategjikë të rëndësishëm dhe në mënyrë aktive kontribuojnë në qëllimet strategjike të FNK-së dhe implementimin e tyre. Drejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK znj. Ardiana Bunjaku është këshilltare teknike e këtij komisioni