Kontabiliteti, raportimi financiar dhe auditimi konsiderohen thelbësore në aftësimin e organizatave për të marrë vendime të informuara të biznesit bazuar në performancën e kaluar dhe atë të tashme financiare. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtyre elementeve, më 19 Prill, 2018, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar Ligjin Nr. 06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, i cili ka për qëllim të rregulloj sistemin e kontabilitetit dhe raportimeve financiare të organizatave të biznesit, kërkesat për auditim, kualifikimet e nevojshme për kontabilistët dhe licensimin e auditorëve në mes të tjerash.
Me datë 8 gusht, 2018, Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) organizoi tryezë me përfaqësues të bizneseve anëtare të OEAK me qëllim të informimit të tyre mbi kërkesat e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe diskutimit të sfidave që mund të dalin gjatë implementimit të këtij ligji.
Z. Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i OEAK, tha se ngjarjet si kjo janë të rëndësishme që t'u mundësojnë bizneseve të informohen me përmbajtjen e ligjit që në fazën e parë të implementimit të tij. Ai falënderoi Ministrin e Financave Bedri Hamza si dhe Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës për partneritetin e vazhdueshëm me Odën Amerikane.
Folës kryesor në këtë tryezë ishte Ministri i Financave z. Bedri Hazma, i cili në hapje të kësaj tryeze tha se ligji i ri për Kontabilitet, Raportim Financiar, dhe Auditim tashmë do të rregullojë sistemin e kontabilitetit, raportimin financiar, kërkesat për auditim, licensimin e auditorëve e shumë sfera të tjera të cilat afektojnë bizneset kosovare. Ai tha se përmes këtij ligji të ri synohet fillimisht edhe luftimi i niveleve të larta të informalitetit në shoqërinë kosovare gjë e cila do të ndikojë edhe në krijimin e kushteve më të favorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë, duke shtuar se ky ligj është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Më tutje u prezantua Ligji Nr. 06/L-032 nga z. Lulzim Zeka, Auditor Ligjorë, ShKÇAK, i cili mes tjerash foli mbi klasifikimin e ri të ndërmarrjeve në Kosovë, zbatimin e standardeve për përgaditjen e pasqyrave financiare të ndërmarrjeve, kërkesat shtesë për raportim nga ndërmarrjet e mëdha, dhe mbi auditimin e pasqyrave financiare.
Pjesë e panelit për diskutim ishin edhe z. Arbër Hoti, Udhëheqës i Departamentit të Kontrollit të Cilësisë në ShKÇAK dhe znj. Gresë Rexhepi, Kryesuese e Komitetit Tatimor të OEAK dhe Menaxhere për Tatime në PwC Kosovë.