Bordi i Etikës Globale e rishkruan Kodin e Etikës për kontabilistët dhe auditorët profesionistë

2018-04-16 - 09:56

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Etikës për Kontabilistët (BSNEK) e ka publikuar Kodin e Etikës për kontabilistët edhe auditorët profesionistë, i cili është rishkruar tërësisht për përdorim dhe zbatim më të lehtë. Me një strukturë të re, Kodi i ka përmbledhur përparimet kryesore të etikës gjatë katër viteve të fundit dhe tani është më e qartë se si kontabilistët dhe auditorët duhet të merren me etikën dhe çështjet e pavarësisë.

Përderisa parimet themelore të etikës nuk kanë ndryshuar, janë bërë ndryshime të mëdha në kornizën konceptuale unifikuese – qasja e përdorur nga të gjithë kontabilistët dhe auditorët profesionistë për t’i identifikuar, vlerësuar dhe adresuar kërcënimet ndaj pajtueshmërisë me parimet themelore dhe, aty ku është e aplikueshme, me pavarësinë. Çështjet e reja të Kodit përfshijnë:

  • Dispozita të rishikuara të "mbrojtjes" më të përshtatura për kërcënimet ndaj pajtueshmërisë  me parimet themelore;
  • Dispozita më të fuqishme të pavarësisë lidhur me ndërlidhjen për një kohë të gjatë të personelit me klientët e auditimit;
  • Seksione të reja dhe të rishikuara, të dedikuara për kontabilistët dhe auditorët profesionistë në biznes (PAIB) në lidhje me:

           përgatitjen dhe prezantimin e informacionit; dhe

           presionin për t’i shkelur parimet themelore.

  • Udhëzime të qarta për kontabilistët dhe auditorët në praktikën publike, për të cilët janë të zbatueshme dispozitat relevante të PAIB-së;
  • Udhëzime të reja për ta theksuar rëndësinë e të kuptuarit të fakteve dhe rrethanave gjatë ushtrimit të gjykimit profesional; dhe
  • Udhëzime të reja për të shpjeguar se si pajtueshmëria me parimet themelore e mbështetë ushtrimin e skepticizmit profesional në një auditim apo angazhime tjera të sigurisë.

"Ky është një moment revolucionar në shërbim të interesit publik. Kodi tani është një platformë e forcuar ndjeshëm, i ri-dizajnuar për përdorim më të madh, duke e ruajtur zbatueshmërinë globale. Ai e thekson rëndësinë e parimeve themelore për të gjithë kontabilistët dhe auditorët profesionistë,” theksoi kryetari i BSNEK-së, Dr. Stavros Thomadakis. "Tash fillon puna kritike brenda firmave, standard-vënësve nacionalë, rregullatorëve dhe organeve të mbikëqyrjes së auditimit, organizatave të edukimit, organizatave anëtare të FNK-së dhe të tjerëve, në vetëdijësimin mbi Kodin dhe në mbështetje të adoptimit dhe zbatimit të tij".

"Unë e përgëzoj BSNEK-në për këtë arritje të rëndësishme", tha Kristian Koktvedgaard, Kryesues i Grupit Këshilldhënës (CAG) të BSNEK-së. "Një Kod i Etikës i fuqishëm është një nga karakteristikat përcaktuese të profesionit global të kontabilitetit dhe auditimit. Standarde më të qarta, më të përdorshme dhe më të zbatueshme për pavarësinë dhe etikën janë thelbësore për besimin e publikut në profesion. Kodi i ri krijon një bazë solide për standardet etike "të gatshme për të ardhmen" dhe unë jam i kënaqur që CAG kontribuoi në zhvillimin e tij. "

I riemëruar si Kodi Ndërkombëtar i Etikës për Kontabilistët dhe Auditorët Profesionistë (përfshirë Standardet Ndërkombëtare të Pavarësisë), Kodi i ri hyn në fuqi në qershor të vitit 2019. Ky është rezultat i hulumtimeve të gjera dhe konsultimeve globale me palët e interesit. Palët e interesit tani mund ta gjejnë Kodin e ri në uebfaqen e BSNEK-së, ku burimet e zbatimit dhe materialet tjera mbështetëse do të publikohen gjatë tërë kohës deri në datën e hyrjes në fuqi.

Për BSNEK-në

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Etikës për Kontabilistët është bord i pavarur i vënies së standardeve që zhvillon dhe nxjerrë standarde etike dhe deklarata tjera të cilësisë së lartë për kontabilistët dhe auditorët profesionistë në mbarë botën, në shërbim të interesit publik. Përmes aktiviteteve të tij, BSNEK e zhvillon Kodin e Etikës për Kontabilistët dhe Auditorët Profesionistë, i cili i përcakton kërkesat etike për kontabilistët dhe auditorët profesionistë. Strukturat dhe proceset që i mbështesin aktivitetet operative të BSNEK-së ndihmohen nga FNK.


Për FNK-në

FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e zotuar në shërbim të interesit publik, duke e forcuar profesionin dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive ndërkombëtare. FNK përbëhet nga 175 anëtarë me të drejta të plota dhe anëtarë të asocuar, që i përfaqësojnë rreth 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në shërbime publike, edukim, shërbime qeveritare, industri dhe tregti.