ShKÇAK pjesë e seminarit: Përgjigja ndaj kërkesave dhe sfidave të reja në raportimin financiar dhe të qëndrueshmërisë së korporatave
2024-05-29 - 03:55
Me datë 28-29 Maj, 2024 – Drejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK Znj. Ardiana Bunjaku së bashku me përfaqësues të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) dhe Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) po marrin pjesë në seminarin e organizuar nga Qendra e Bankës Botërore për Reforma të Raportimit Financiar (CFRR) me temë - “Përgjigja ndaj kërkesave dhe sfidave të reja në raportimin financiar dhe të qëndrueshmërisë së korporatave”. Ky seminar po zhvillohet në kuadër të programit REPARIS për NVM-të dhe programit të ri për përmirësimin e profesionit të kontabilitetit, auditimit dhe raportimit të qëndrueshmërisë (EAASURE). Seminari po zhvillohet në Vjenë, Austri.
Ky seminar i ndarjes së njohurive është një mundësi për pjesëmarrësit që të bashkëveprojnë me ekspertë ndërkombëtar dhe rajonal mbi temat që lidhen me qëndrueshmërinë e korporatave dhe raportimin financiar, mbikëqyrjen publike dhe auditimin.
Objektivat specifike të veprimtarisë dy-ditore janë:
- Lansimi i programit të ri rajonal EAASURE dhe diskutimi i aktiviteteve të planifikuara dhe rezultateve të pritshme me përfituesit. Programi do të ofrojë mbështetje të mëtejshme për vendet në adresimin e kërkesave të reja të BE-së në fushën e raportimit financiar dhe të qëndrueshmërisë së korporatave.
- Diskutimi mbi implikimet dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i reformës së auditimit të BE-së, për të mbështetur vendet pjesëmarrëse në rrugën e tyre të reformës dhe përputhjen me praktikat e mira.
- Mësimi nga përvoja e Greqisë në institucionalizimin e kuadrit për mbikëqyrjen e auditimit në përputhje me dispozitat e BE-së.
- Njohuri dhe përditësime nga Forumi Ndërkombëtar i Rregullatorëve të Pavarur të Auditimit (IFIAR) dhe disa prej anëtarëve të tij, veçanërisht mbi gjetjet e inspektimit të vitit 2023, teknologjinë në auditime dhe sigurimin e raportimit të qëndrueshmërisë.
- Mësimi nga përvoja e Këshillit të Raportimit Financiar (FRC) të Mbretërisë së Bashkuar lidhur me shqyrtimin vjetor të raportimit dhe qeverisjes së korporatave.
- Diskutimi mbi aspektet e zgjedhura lidhur me qeverisjen, monitorimin dhe shqyrtimin e deklaratave financiare të audituara nga njësia e pronësisë dhe rolin e komitetit të auditimit.
- Diskutimi mbi rolin dhe ndikimin në rritje të Intelegjencës Artificiale në raportimin dhe auditimin financiar të korporatave.
- Rishikim i metodologjisë e përditësuar të A&A ROSC, veçanërisht mbi treguesit e performancës së kontabilitetit dhe auditimit.