Pjesëmarrja në panelin e diskutimit me temë “Formalizimi i Punësimit”

2023-03-22 - 03:46

Sot me datë 22 Mars, 2023, - Drejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK Znj. Ardiana Bunjaku ishte e ftuar në panelin e diskutimit me temë “Formalizimi i Punësimit” i organizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Iniciativa Kosovare per Stabilitet - IKS.


Në kuadër të temës “Ndikimi që ShKÇAK dhe komuniteti i saj mund të bëjnë në sensibilizimin e bizneseve” Znj. Bunjaku theksoi se “Organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit kanë një rol kritik në formalizimin e punësimit duke ofruar mbështetje dhe udhëzime për bizneset, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për punësim formal.
Kjo përfshin avokimin për politika që mbështesin krijimin e vendeve të punës dhe inkurajimin e bizneseve që të respektojnë ligjet dhe rregulloret e punës.
Me promovimin e qeverisjes së mirë dhe transparencës organizatat profesionale ndihmojnë në uljen e korrupsionit dhe rritjen e besimit të investitorëve, gjë që mund të çojë në rritjen e mundësive të punësimit.
Organizatat profesionale kontribuojnë në zhvillimin e tregut formal të punës duke ofruar trajnime dhe edukim të vazhdueshëm për profesionistët e kontabilitetit dhe auditimit. Përmes anëtarëve të tyre promovojnë standardet dhe etikën profesionale për të ofruar mbështetje dhe udhëzime për bizneset në procesin e formalizimit”.