FNK/IFAC PUBLIKON “MBËSHTETJE SHTESË” MBI STANDARDET E MENAXHIMIT TË CILËSISË TË BSNAS/IAASB PËR FIRMAT E VOGLA

2022-11-01 - 01:47

Federata Ndërkombëtare e Kontabilitetit dhe Auditimit (FNK/IFAC) publikoi pjesën e parë të një serie publikimesh e cila përbëhet nga tre pjesë, për të ndihmuar firmat e vogla dhe të mesme të kontabilitetit dhe auditimit të zbatojnë standardet e reja të menaxhimit të cilësisë të Bordit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS/IAASB). Seti i standardeve të menaxhimit të cilësisë së BSNAS/IAASB u lansua në dhjetor të vitit 2020 dhe do të hyjë në fuqi më 15 dhjetor, 2022.

Pjesa e parë: Është koha për t'u përgatitur për standardet e reja të menaxhimit të cilësisë që adresojnë ndryshimin e mentalitetit që kërkojnë standardet e reja dhe zhvendosjen e fokusit nga kontrolli i cilësisë në menaxhimin e cilësisë. Kjo pjesë përfshin gjithashtu zhvillimin e një plani për zbatimin e projektit, një hyrje në objektivat e cilësisë, procesin e vlerësimit të rrezikut dhe caktimin e roleve dhe përgjegjësive. Përfshihen gjithashtu modele të dobishme të agjendave të takimeve që praktikuesit mund të përdorin me kolegët e tyre.

Seria e përbërë nga tre pjesë do të ofrojë këshilla dhe udhëzime për zbatimin praktik të standardeve të BSNAS/IAASB. Pjesa e dytë do të fokusohet në zhvillimin e një plani të detajuar për zbatim dhe pjesa e tretë do të trajtojë monitorimin dhe përmirësimin. Pjesa e parë i bashkohet koleksionit të burimeve të FNK/IFAC që mbështesin zbatimin e menaxhimit të cilësisë, duke përfshirë uebinarët, artikujt dhe videot, si dhe udhëzuesit e zbatimit për herë të parë të BSNAS/IAASB, të cilat i keni në dispozicion në këtë link: ifac.org/qualitymanagement.

FNK/IFAC pranon dhe vlerëson reagimin dhe komentet nga përfaqësuesit e Grupit Këshillues për Praktikat e Vogla dhe të Mesme të FNK/IFAC dhe Forumit të Firmave, të cilat do të ndihmonin në zhvillimin e serisë.

Rreth FNK-së

FNK/IFAC është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e përkushtuar për t'i shërbyer interesit publik për fuqizimin e profesionit dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive të fuqishme ndërkombëtare. FNK përbëhet nga më shumë se 180 anëtarë dhe bashkëpunëtorë në më shumë se 135 vende dhe juridiksione, që i përfaqësojnë afër 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në praktikën publike, edukim, shërbim qeveritar, industri dhe tregti.