Jeni përgatitur për standardet e reja të Menaxhimit të Cilësisë të BSNAS/IAASB?

2022-06-30 - 05:13

Në fund të vitit 2020, Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS/IAASB) publikoi tre standarde të reja dhe të rishikuara mbi menaxhimin e cilësisë. Standardet fuqizojnë dhe modernizojnë mënyrën se si një firmë e çdo madhësie apo niveli kompleksiteti i qaset menaxhimit të cilësisë.

  • Ato trajtojnë ekosistemin e auditimit në zhvillim dhe gjithnjë e më kompleks, duke përfshirë pritshmëritë në rritje të akterëve relevant dhe nevojën për sisteme të menaxhimit të cilësisë që janë proaktive dhe të adaptueshme.
  • Ato shënojnë një evolucion nga një qasje tradicionale, më lineare për kontrollin e cilësisë në një qasje të integruar të menaxhimit të cilësisë.
  • Ato e njohin rëndësinë e qeverisjes dhe udhëheqjes së firmës, me cilësi të ngulitur në strukturën e kulturës së firmës, vendimet strategjike dhe operacionale, si dhe veprimet dhe sjelljen e udhëheqësisë.

Standardet gjithashtu nxisin monitorim dhe ristrukturim më të fuqishëm dhe efektiv. Në nivel angazhimi, ato rrisin përgjegjësinë e partnerëve të angazhimit për menaxhimin dhe arritjen e cilësisë së auditimit.  Gjithashtu fuqizojnë se kush mund të kryejë vlerësime të cilësisë së angazhimit dhe mënyrën se si kryhen rishikimet.

Për të mbështetur zbatimin dhe për të ndihmuar praktikat e vogla dhe të mesme (SMP) të kuptojnë, navigojnë dhe zbatojnë standardet e rishikuara, FNK/IFAC në bashkëpunim me Forumin e Firmave mbajtën dy panele diskutimi(video). Panelet fokusohen në ofrimin e një pasqyre të Standardit Ndërkombëtar për Menaxhimin e Cilësisë 1, Menaxhimi i Cilësisë për Firmat që kryejnë Auditime ose Rishikime të Pasqyrave Financiare, ose Angazhime të tjera të Sigurisë ose Shërbimeve të Lidhura, se si firmat po planifikojnë zbatimin e tij, dhe ndajnë shembuj praktikë, këshilla dhe sugjerime si dhe praktikat e mira. Këto video janë në dispozicion në gjuhën angleze dhe mund t'i gjeni duke klikuar Këtu

  • SNMC/ISQM 1: Përgatitja për qasjen e re të bazuar në rrezik – një diskutim i standardit dhe ndryshimit të mendësisë së nevojshme për të aplikuar qasjen e re të bazuar në rrezik.
  • SNMC/ISQM 1: Mësimet e hershme të nxjerra dhe hapat e ardhshëm - një diskutim se si të filloni zbatimin dhe këshillat dhe praktikat më të mira.