Lufta për parandalimin e pastrimit të parave – një proces i vazhdueshëm

2022-05-17 - 12:11

Artikull i shkruar nga: Prof. Dr. Hysen ÇELA *Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Sa më shumë forcohen masat për parandalimin, aq më shumë zotëruesit e parave të paligjshme do të vihen përpara “nevojës” për të sofistikuar sjelljen e tyre dhe për të modifikuar rrugët e pastrimit të parave.

Mjetet dhe mënyrat moderne të kontrollit, monitorimit dhe mbikëqyrjes që përdoren për të parandaluar këtë fenomen, kanë ndikuar në kufizimin e përdorimit të rrugëve tradicionale të pastrimit të parave, gjë që ka bërë që pastruesit përpiqen të gjejnë rrugë të reja, me synim fshehjen e gjurmëve të transaksioneve në të gjithë stadet e mundshme të pastrimit.

1.Pastrimi i parave synon aktivitetet e biznesit

Me qëllim paraqitjen si të ardhura në rrjedhën normale të biznesit, aktivitetet e pastrimit të parave sot priren të bëhen pjesë e aktiviteteve të zakonshme të biznesit.

Integrimi i parave të paligjshme në veprimtaritë e biznesit, i njohur me shkurtesën TBML[1] e bën zbulimin më të vështirë, pasi të ardhurat shikohen si të krijuara nga veprimtari që kryhen në pajtim me një kuadër ligjor e rregullator të miratuar nga autoritetet. Futja e parave të tilla në një biznes të rregullt kërkon “bashkëpunimin” midis zotëruesve të parave dhe drejtueseve të bizneseve.

Dhe padyshim, ka nevojë për “asistencën” e profesionistëve të kualifikuar të fushës ekonomike dhe juridike (kontabilistët, këshilltarët tatimorë, avokatët, noterët, etj.). në këtë mënyrë, maskohet origjina e të ardhurave të krimit, drogës, korrupsionit, etj., dhe legjitimohet përdorimi i tyre në vazhdimësi, duke mos përjashtuar përdorimin në financimin e aktiviteteve terroriste.

Rrugët që përdoren nga grupet kriminale për pastrimin e parave nëpërmjet aktiviteteve tregtare, janë të shumëllojshme; duke nisur që nga furnizimi i drejtpërdrejtë me para të paligjshme i bizneseve në vështirësi financiare ose paaftësi paguese (në formën e huadhënies së fondeve), përfshirja e tyre në kryerjen e transaksione fiktive, pjesëmarrja e tyre në kapitalin e shoqërive tregtare në prag falimenti, duke blerë kuota nga ortakët ekzistues, blerja apo zotërimi i plotë i bizneseve të falimentuara, etj.

Investitorët e parave të paligjshme kanë nevojë të “marrin mbrapsht” burimet e tyre. Për këtë qëllim, ata mund të krijojnë entitete biznesi të veçanta dhe mund të përfshihen në transaksione të furnizimit dhe shitblerjes së mallrave e shërbimeve me bizneset ku kanë investuar, duke lëshuar fatura me sasi dhe vlera që nuk janë reale.

Krijimi i bizneseve të reja, për shembull: një person fizik, apo një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me një ose disa ortakë, nuk është i vështirë. Kuadri ligjor i regjistrimit të biznesit në vendin tonë nuk ka parashikuar kufizime në këtë drejtim.

Krijimi i një biznesi, mund të bëhet nëse idetë, mjetet financiare dhe burimet humane e materiale ekzistojnë. Edhe kapitali fillestar prej 100 lekësh në rastin e një sh.p.k.-je, që kërkohet për regjistrimin fillestar, është simbolik. Regjistrimi i disa shoqërive të tilla në QKB krijon kushte, jo vetëm për “integrimin” e parave të paligjshme, por edhe për të shmangur taksat dhe tatimet.

Nga ana tjetër, ndarja e aktivitetit të biznesit midis disa entiteteve të veçanta të zotëruara nga i njëjti individ, apo grup individësh, bën të mundur të kontrollohet qarkullimi gjithsej, të mbahet ai nën nivelin minimal ligjor, në të cilin taksat dhe tatimet, ose janë të ulëta, ose nuk ekzistojnë.

Veç kësaj, në disa raste, ndarja në disa biznese, krijon kushtet për reduktimin e tatimit mbi vlerën e shtuar (shpesh, duke zbritur shuma fiktive të TVSH), si edhe zvogëlon rrezikun e natyrshëm dhe rrezikun në dukje të përfshirjes së entitetit të biznesit në veprimtari të paligjshme.

Nga media, publiku është njohur me disa raste të krijimit të shoqërive të tilla, që zotërohen nga të njëjtët pronarë, të cilat krijojnë zinxhirë furnizimesh fiktive për njëra-tjetrën.

Lëshimi i faturave fiktive për furnizime mallrash e shërbimesh të pakryera, keqparaqitja e mallrave, punimeve dhe shërbimeve, dhe fshehja e tyre për të anashkaluar kontrollet, si dhe shkelje të tjera doganore dhe tatimore, kontribuojnë në pastrimin e parave, pasi në këtë mënyrë, paratë “ju rikthehen” zotëruesve, si të ishin të ardhura nga puna ose aktiviteti i tyre normal. Ato fillimisht futen në biznes, dhe më pas transferohen nëpërmjet kanaleve bankare, si të ardhura nga aktiviteti.

2. Rreziqet dhe rrugët e parandalimit të fenomenit

Rreziqet e pastrimit të parave nëpërmjet aktiviteteve të biznesit rriten krahas me sofistikimin dhe rritjen e rreziqeve e të pasigurisë së bizneseve. Niveli i rreziqeve varet nga forma e organizimit dhe kompleksiteti i biznesit, nga natyra e aktiviteteve tregtare, llojet e mallrave të tregtuara, trajtimet kontabël të transaksioneve komplekse, etj.

Shlyerja e faturave fiktive për shërbime të pakryera dhe furnizime mallrash të parealizuara, “ndihmon” që paratë të transferohen midis entiteteve të lidhura me njëra-tjetrën nga njëra anë, dhe me shoqërinë kryesore të biznesit, nga ana tjetër.

Rreziku në këtë rast rritet, pasi furnizimi i mallrave, bëhet në mënyrë të atillë, që të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me veprimtari normale biznesi, pavarësisht se qëllimi real është justifikimi i lëvizjes së parasë nëpërmjet kanaleve bankare nga biznesi te pastruesit, të cilët marrin në këtë mënyrë “para të pastruara”, që mund të investohen më tej.

Në këto kushte, parandalimi dhe lufta nuk janë procese të lehta. Përdorimi i faturave të rregullta nga pikëpamja formale, shlyerja e detyrimeve tatimore kur ato lindin, siç janë tatimet mbi të ardhurat, tatimet mbi pagën, mbi fitimin, TVSH, etj., bëjnë që në dukje veprimtaria e biznesit të paraqitet në “pajtueshmëri” me kërkesat ligjore dhe rregullatore.

Gjithashtu, vështirësitë në zbulimin e veprimtarive të paligjshme rriten po të kemi parasysh klimën e zbatimit të ligjit, institucionet e reja, akoma të pakonsoliduara dhe shpesh, të dobëta. Veç kësaj, një faktor negativ është edhe niveli i lartë i korrupsionit, i cili është kapilar dhe perceptohet si gjerësisht i përhapur. Në një mjedis të tillë, skemat e falsifikimit nëpërmjet veprimtarive të biznesit, janë atraktive për grupet kriminale.

Duke qenë se kanë një rol në vlerësimin e rreziqeve dhe në parandalimin e pastrimit të parave, anëtarët e profesioneve të lira duhet të njohin mirë standardet teknike e profesionale dhe të zbatojnë standardet më të larta të etikës profesionale dhe integritetit, të njohin mirë proceset dhe të zbatojnë masat e duhura të vigjilencës, të cilat janë garancia në parandalimin e rasteve të pastrimit të parave që në momentin më të parë, sado të komplikuara dhe komplekse që mund të jenë mënyrat që përdoren.

3. Veçoritë dhe specifikat në sektorin e ndërtimit

Sektori i ndërtimit dhe veçanërisht, ndërtimet e pallateve (apartamente banimi dhe objekte të tjera) që kanë destinacion publikun e gjerë, por edhe zbatimi i kontratave publike që lidhen me ndërtimet dhe përmirësimet infrastrukturore, vijon të jetë atraktiv në absorbimin e parave të paligjshme.

Industria e ndërtimit mund të konsiderohet jo vetëm një mundësi, por edhe një sektor relativisht i lehtë për t’u përfshirë në pastrimin e parave. Blerja e pasurisë së patundshme që krijohet nga bizneset e ndërtimit përbën sot një trend, që duket se ka përfshirë një numër të madh individësh në vendin tonë.

Kjo lidhet më së shumti me nevojën dhe “urinë” për strehim, por edhe me dëshirën e madhe për të pasur të paktën një apartament në pronësi private, një e drejtë themelore, e cila për gati gjysmëshekulli nga sistemi i mëparshëm socialist, ishte pothuaj e mohuar.

Duke qenë një biznes që angazhon vlera të konsiderueshme financiare, zotëruesit e parave të paligjshme vijojnë ta shohin ndërtimin, si një sektor me shumë mundësi për futjen dhe “integrimin” e shpejtë në sistem të parave të tyre të paligjshme.

Blerjet e pasurive të paluajtshme dhe shitblerjet e mëpasshme të pasurive të blera në një treg me kërkesë dhe ofertë në rritje, ku pasuritë mund të shkëmbehen lirisht, u krijon mundësi grupeve kriminale të pastrojnë paratë e tyre. Nuk ka dyshim se kjo formë ka qenë më e lehtë në periudhën kur kuadri ligjor rregullator i sektorit të ndërtimit, por edhe kuadri për parandalimin e pastrimit të parave nuk kanë ekzistuar, apo nuk kanë qenë në nivelin që janë sot.

Nuk mungojnë rastet e zbuluara, ndonëse janë më të shumta rastet e pazbuluara, ku mjete të paligjshme nga veprimtari të kryera jashtë vendit, por edhe të korrupsionit, janë investuar në pasuri të paluajtshme, ndërtime, në toka, troje, terrene, etj..

Veç krijimit të shoqërive të reja të ndërtimit, grupet kriminale mund t’i pastrojnë paratë edhe nëpërmjet shoqërive ekzistuese të këtij sektori. Profesionistët (kontabilistë, juristë) mund “të asistojnë” krijimin e shoqërive me pjesëmarrës individë, që zotërojnë para të paligjshme, të cilët mund të bashkëpunojnë edhe me entitete të huaja të regjistruara në juridiksionet offshore.

Në shoqëritë ekzistuese, këta individë mund të blejnë direkt pjesë të kapitalit, ose mund të bëhen pjesë, në mënyrë të tërthortë, për shembull, duke futur në organet e qeverisjes dhe të drejtimit individë të tjerë të lidhur me ta, të cilët mund të shpërblehen me pagesa të mëdha, plotësisht “formale” dhe brenda sistemit zyrtar, pasi shlyhen taksat, tatimet dhe kontributet shoqërore, shëndetësore dhe të tjera ligjore.

Për shkak të përqendrimit në shumë pak duar, të punës ndërtuese publike e private, që përfshin jo vetëm zbatimin e kontratave publike, po edhe zbatimin e lejeve për ndërtime të rëndësishme, janë të shumta shoqëritë e ndërtimit, (që u krijuan me furi në dekadën e kaluar të bumit në ndërtim), të cilat sot janë pa punë, ose jashtë tregut.

Ato nuk mund të konkurrojnë shoqëritë ekzistuese aktive të sektorit, që kanë burime financiare të konsiderueshme, dhe për më tepër, kanë edhe “mundësinë” të korruptojnë zyrtarë publikë dhe të fitojnë tendera e kontrata publike në vazhdimësi. Në një situatë të tille, “shpëtimi” dhe çlirimi i biznesit nga “pengesat” duket se mund të bëhet me futjen e parave të paligjshme.

Ndonëse nuk ka informacione të konfirmuara nga organet e zbatimit të ligjit, sa u takon formave dhe vlerës së parave që pastrohen në ndërtim, përveç disa rasteve të shkëputura, të veprimtarive të paligjshme të evazionit fiskal (skema të përvetësimit të TVSH-së), treguesit, por edhe perceptimet se në sektorin e ndërtimit pastrohen para, nuk mungojnë. Mjafton të shtrohen disa pyetje të thjeshta, për të kuptuar indirekt se fenomeni ekziston dhe është i përhapur.

A është e mundur që publiku i gjerë të përballojë çmime kaq të larta të apartamenteve të reja të banimit, kur burimi kryesor i të ardhurave – paga – nuk e justifikon blerjen? A është e mundur që shoqëritë e ndërtimit të ndërtojnë qiellgërvishtës, apo të zbatojnë kontrata publike në sistemin e Partneritetit Publik-Privat me vlera të mëdha, kur rezultatet e tyre financiare të akumuluara në vite, nuk tregojnë se kanë burime të mjaftueshme financiare, dhe kur bankat e institucionet financiare tregohen të rezervuara në kreditimin e këtyre veprimtarive?

Po shoqëritë që zbatojnë koncesione të pakërkuara, të cilat sipas logjikës (BOT ose BOOT[2], etj.) duhet që fillimisht të mobilizojnë mjetet e tyre financiare, dhe më pas të marrin mbrapsht investimin në mënyrë graduale në vite, a i kanë burimet e duhura financiare, apo kontratat koncesionare janë më shumë se duhet “bujare” me financimin dhe garancinë për huamarrjen e tyre?.

Vlen të nënvizojmë se ndryshimet më të fundit të kuadrit ligjor për luftën dhe parandalimin e pastrimit të parave, në rrugën drejt rritjes së shkalles së përfarimit të legjislacionit tonë me direktivat e BE-së (EU acquis), po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë që pastrimi i të ardhurave nga veprimtaritë e paligjshme të vijojë të kryhet me metodat “tradicionale”.

Përafrimi i legjislacionit të vendit tonë me direktivën e pestë të BE-së[3] (AML EU 5th Directive) dhe adresimi i duhur i rekomandimeve të FATF-së, të paktën nga pikëpamja ligjore, e kanë bërë më të vështirë fenomenin. Mjafton të përmendim faktin që ka një zgjerim dhe saktësim të mëtejshëm të subjekteve të ligjit, por edhe të veprimtarive ndaj të cilave kërkohet të tregohet më shumë kujdes dhe të zbatohen masat e vigjilencës së duhur.

Këtu vlen të nënvizohet përfshirja dhe adresimi më i thelluar i kërkesave për agjentët e pasurisë së paluajtshme, për të zbatuar masat e vigjilencës së duhur, jo vetëm për shitblerjen e pasurive të paluajtshme, por edhe për ndërmjetësimin e investimit të aktiveve përmes qiradhënies mbi një vlerë të caktuar (500,000 lekë).

Përfshirja në mënyrë specifike e ofruesve të shërbimeve tatimore (kontabilistëve, audituesve dhe këshilltarëve tatimorë) dhe rritja e kërkesave për kujdesin dhe vigjilencën e duhur kur ju shërbehet entiteteve në fushën e ndërtimit, mendoj se adresojnë nga pikëpamja rregullatore, edhe aspektin e shumëpërfolur të përfshirjes së profesionisteve në këtë proces.

Megjithatë, si në çdo fushë tjetër, problem kryesor te ne vijon të mbetet çështja e zbatimit të kërkesave ligjore dhe rregullatore dhe roli që duhet të luajnë të gjithë subjektet e ligjit për të parandaluar këtë fenomen, i cili në planin afatgjatë, ka ndikim në qëndrueshmërinë sociale, pasi zhbalancon dhe dekurajon zhvillimet normale të biznesit.

4.Aktivet virtuale dhe rreziqet e pastrimit të parave

Vitet e fundit, aktivet virtuale, të cilat përfaqësojnë një kategori të re të veçantë të aktiveve, të zhvilluar përmes teknologjisë së regjistrave të decentralizuar[4] (DLT), po përdoren gjerësisht në kryerjen e pagesave dhe në investimet financiare.

Teknologjia DLT bën të mundur që të dhënat të ruhen në vendndodhje të shumta (“të decentralizuara”) brenda një rrjeti të përbashkët, ku pjesëmarrësit mund të gjurmojnë pronësinë dhe transferimin e aktiveve.

Aktivet virtuale shprehen me kriptomonedha, të cilat përfaqësojnë aktive virtuale të decentralizuara të mbrojtura nga kriptografia. Ato mund të përdoren si mjete këmbimi, mund të transferohen, ruhen dhe tregtohen në mënyrë elektronike. Midis mijëra kriptomonedhave të ndryshme, ndër më të njohurat sot janë Bitcoin dhe Etherum.

Kryerja e transaksioneve në aktive virtuale realizohet nga ofruesit e shërbimeve për aktivet virtuale, të cilët kryejnë transferimin, ose shkëmbimin e kriptomonedhave në monedha të njohura nga sistemet tradicionale financiare apo midis kriptomendhave të ndryshme.

Gjithashtu, ofruesit e këtyre shërbimeve, bëjnë të mundur ruajtjen dhe administrimin e aktiveve virtuale, si dhe kryejnë një sërë shërbimesh financiare që lidhen me prodhimin / emetimin e kriptomonedhave të ndryshme.

Për shkak se aktivet virtuale janë aktive specifike dhe biznesi me këto aktive është gjithashtu i veçantë, përdorimi i tyre ka avantazhe, por edhe dizavantazhe krahasuar me përdorimin e mjeteve/mënyrave tradicionale të pagesave apo investimeve.

Ndonëse aktivet virtuale dhe biznesi me to janë mjaft specifike dhe të zhvilluara vetëm vitet e fundit, grupet kriminale duket se nuk i kanë lënë jashtë vëmendjes së tyre për të integruar në këtë biznes mjete që ata sigurojnë nga veprimtaritë e paligjshme. Duke shërbyer si mjete pagesash, aktivet virtuale nuk janë të imunizuara nga përfshirja në cilëndo nga fazat e pastrimit të parave: vendosja, shtresëzimi dhe integrimi.

Rreziku në këtë aktivitet, lidhet kryesisht me mungesën e një kuadri rregullator të duhur, për shkak se bizneset janë komplekse, të decentralizuara dhe për më tepër, ende të pamaturuara, d.m.th. në zhvillim e sipër.

Kështu, për shembull, procesi i vendosjes së parave të paligjshme mund të realizohet me aktive virtuale, nëpërmjet grumbullimit të fondeve dhe shitjes së mallrave, apo shërbimeve të paligjshme dhe më pas, aktivet virtuale mund të konvertohen në monedha të autorizuara nga sistemet financiare tradicionale.

Nga ana tjetër, ekziston mundësia që transaksionet në kriptomonedha, të realizohen në mënyrë të fshehtë, pasi përdoren blockchain-e analitike, ku mund të mos ketë lidhje midis transaksionit dhe një individi të caktuar, kur ato kryhen jashtë perimetrit rregullator.

Shtresëzimi i parave të paligjshme mund të realizohet nga ofruesit e shërbimeve të aktiveve virtuale, përmes konvertimit të aktiveve tradicionale në aktive virtuale, shkëmbimit të aktiveve virtuale, konvertimit midis aktiveve virtuale dhe konvertimit të aktiveve virtuale në monedha të autorizuara (fiat currencies).

Sikurse ndodh edhe me metodat tradicionale të pastrimit të parave të pista, për këtë qëllim mund të krijohen shoqëri biznesi online, të cilat pranojnë pagesa në kriptomonedha, për të legjitimuar të ardhurat dhe për të pastruar kriptomonedhat e paligjshme. Legjislacioni ynë ende nuk ka rregulluar krijimin e shoqërive të biznesit me vendosje virtuale, ndonëse kjo është thjesht çështje kohe.

Duhet nënvizuar se zhvillimet teknologjike, produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë, kanë kontribuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve financiare, sikurse pranohet se kanë shtuar më tej efikasitetin e sistemeve të ndryshme të operimit, kontrollit dhe kanë lehtësuar monitorimin.

Megjithatë, ato nuk mund të jenë të imunizuara plotësisht nga keqpërdorimi, pasi për shkak të sofistikimit dhe kompleksitetit, ato mund të krijojnë mundësi të reja që shfrytëzohen nga grupet kriminale për të pastruar të ardhurat e tyre, ose për të financuar me të ardhurat e tyre aktivitete të paligjshme.

Në këtë kontekst, FATF (grupi i punës për veprimin financiar) ka rishikuar standardet (rekomandimet) për luftën kundër pastrimit të parave, duke adresuar sistemet e teknologjisë dhe veçanërisht kriptomonedhat.

Gjatë viteve të fundit, duke pasur parasysh rrezikun e përdorimit të aktiveve virtuale për pastrimin e parave, FATF, përveç rekomandimeve të përmirësuara, ka bërë interpretime, me qëllim që juridiksionet e ndryshme të adresojnë më mirë si aktivet virtuale, ashtu edhe bizneset me këto aktive. Me ndryshimet më të fundit të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, tek ne janë bërë disa përpjekje konkrete për të adresuar këtë çështje.

Në amendamentet më të fundit të ligjit janë përfshirë disa dispozita informuese, në lidhje me aktivet virtuale, kuptimin e tyre dhe veprimtarive të lidhura me to, përfshirë detyrimin që të gjithë subjektet e ligjit, të tregojnë kujdesin e duhur dhe të zbatojnë masat e vigjilencës përkatëse.

5.Roli i profesioneve të lira në luftën kundër pastrimit të parave

Nuk ka asnjë dyshim, se profesionet e lira (kontabilistët, audituesit, këshilltarët tatimorë dhe të tjerë profesionistë të ngjashëm) kanë rol vendimtar sa i takon funksionimit të rregullt financiar të entiteteve të biznesit, prandaj kujdesi që kërkohet, por edhe përgjegjësia që duhet të mbahet janë të mëdha.

Natyrisht, përfshirja e tyre direkte në veprimtari të paligjshme, përveç efekteve negative në zhvillimin ekonomik e social, shoqërohet edhe me rrezikun e reputacionit dhe të humbjes së besimit të vetë profesionit.

Ndonëse kuadri kombëtar dhe ndërkombëtar, përcakton kërkesa të veçanta të pajtueshmërisë për çdo anëtar të profesionit, janë organizmat profesionale ato që kanë një rol të madh në ndërgjegjësimin, edukimin dhe trajnimin e profesionistëve.

Për të përmbushur misionin e tyre me interes publik, anëtarët e profesioneve të lira duhet të përmirësojnë edukimin dhe të rrisin më tej njohuritë dhe zotësitë profesionale, të njohim mënyrat më efektive, të bazuara në vlerësimin e rrezikut, për adresimin e duhur të çështjeve të parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave.

Vetëm kështu ata do të jenë në gjendje të identifikojnë pikat e dobëta që mund të krijohen, apo të çarat që mund të shfrytëzohen nga pastruesit e parave të paligjshme.

Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka procesi i njohjes dhe të tregohen vigjilentë në rastet kur ju shërbejnë klientëve, të cilët mund të jenë përfshirë në transaksione më aktive virtuale. Kryerja e analizave të detajuara merr rëndësi të dorës së parë në të gjitha rastet kur burimi i pasurisë së klientit rrjedh nga investimet në aktive virtuale, kur nuk ka të dhëna tregtare që do të justifikonin investimin dhe të ardhurat e realizuara.

Pra, profesionistët kërkohet të njohim mirë dhe të familjarizohen me mënyrat se si mund të përdoren nga pastruesit e parave, karakteristikat unike të aktiveve virtuale, për të përfituar, për të zhvendosur dhe për të ruajtur vlerën, shpesh jashtë sistemit financiar të rregulluar, dhe për të fshehur origjinën, ose destinacionin e fondeve.

Pavarësisht se kërkesat e kuadrit kombëtar dhe ndërkombëtar të luftës për parandalimin e pastrimit të parave janë pothuaj universale dhe të përgjithshme, në rastin e klientëve që ofrojnë shërbimet e transaksioneve dhe aktiviteteve në kriptomonedha, profesionistët, në mënyrë të veçantë, duhet të verifikojnë pronarët që zotërojnë apo kontrollojnë klientin e tyre, burimet e fondeve dhe të pasurisë, dhe arsyen pse klienti kërkon shërbimet e profesionistit.

Kurdoherë që profesionisti arrin në përfundimin se biznesi apo skema që përdoret nga klienti, përfshin individë me histori të mëparshme të pastrimit të parave ose të veprave të tjera të paligjshme, si droga, korrupsioni, etj., ai ka detyrimin të hartojë një raport të aktivitetit të dyshimtë të klientit, i cili i dërgohet autoritetit përgjegjës, DPPP, për një adresim të mëtejshëm.

  • [1] Trade-Based Money Laundering – Pastrimi i parave nëpërmjet veprimtarisë se biznesit
  • [2] BOT – Build–operate–transfer; BOOT – Build–own–operate–transfer – projekte koncesionare
  • [3] The 5th anti-money laundering Directive (Directive (EU) 2018/843)
  • [4] Distributed Ledger technology (DLT)

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.

Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.