Ceremonia e 20 vjetorit të ShKÇAK

2022-03-25 - 07:42

Me datë 23.03.2022 ShKÇAK ka mbajtur ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të saj, pjesë e së cilës ishin anëtarët e saj, personalitete të larta nga institucionet vendore dhe atyre ndërkombëtare si dhe bashkëpunëtorë.

Në fillim të ceremonisë, përmes një videoje të shkurtë u prezantua kronologjia e historisë së zhvillimit të ShKÇAK.

Drejtoresha Ezekutive e ShKÇAK Ardiana Bunjaku, duke iu dëshiruar mirëseardhje në ceremoninë e kremtimit të dy dekadave të themelimit, theksoi “ Fuqia e Shoqatës sonë buron nga anëtarët e saj, angazhimi dhe përkushtimi i tyre për avancimin e profesionit, për çka jam mirënjohëse dhe i falënderoj për punën profesionale të dëshmuar për këto 20 vjet ekzistencë.

Së bashku do të vazhdojmë edhe më tej në arritjen e synimeve tona për të kontribuar në vazhdimësi në fuqizimin dhe në avancimin e profesionit dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë!

Që nga themelimi, synimi ynë ishte të jemi lider të profesionit, gjë që  besoj se e kemi dëshmuar në 20 vitet e fundit. Gjatë këtij rrugëtimi ne nuk ishim të vetëm, sot dua të shfrytëzoj këtë ceremoni të falënderoj nga thellësia e zemrës të gjithë partnerët tanë në zhvillim, kosovarë dhe ndërkombëtarë, pa të cilët ne nuk do të kishim arritur këtu ku jemi.”

Patëm nderin që hapjen e ceremonisë ta bëjë Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti i cili mes tjerash tha:  “Kam nderin të jem bashkë me ju për të shënuar 20 vjetorin e themelimit të ShKCAK. Të dashur anëtarë të Shoqatës, profesioni i juaj është shumë i rëndësishëm për të mbajtur Qeverinë të përgjegjshme dhe transparente, por edhe llogaridhënëse para qytetarëve. Përmes raportimit të mirëfilltë financiar ngritet besimi i qytetarëve te institucionet tona dhe përmirësohet klima e të bërit biznes në Kosovë. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në tërheqjen e investimeve të cilat janë shumë të nevojshme për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë. Ju keni dëshmuar qysh në vitet e para të pasluftës se arritja e standardeve ndërkombëtare dhe integrimi në institucionet ndërkombëtare nuk është i paarritshëm. Anëtarësimi në federata ndërkombëtare të profesionit si Federata Ndërkombëtare e Kontabilitetit( IFAC), Federata Mesdhetare e Kontabilistëve (FCM) dhe Federata Evropiane të Kontabilistëve dhe Auditorëve për për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme( EFAA) dëshmon më së miri për punën tuaj të pakursyer.

Falënderojmë gjithashtu miqtë tanë, përfaqësuesit nga USAID, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian që ndihmojnë në synimin tonë drejt integrimeve globale. Qeveria e Kosovës është e interesuar që të përmirësojë jetën e qytetarëve përmes progresit ekonomik dhe social, dhe puna e juaj profesionale dhe etike bën që shteti të jetë demokratik dhe funksional. Nga përvoja ime në qeverisje është shumë e qartë se përllogaritja, mbikëqyrja, kontrolli dhe transparenca janë thelbësore për qeverisjen e mbarë dhe të mirë. Tek secili zyrtar i shtetit tonë të dashur, një prej të cilëve jam edhe unë, dy gjëra janë thelbësore: integriteti dhe kompetenca, pra integriteti personal dhe kompetenca profesionale për zyrtarët publik, megjithëse është i vështirë balancimi në mes të mbajtjes së marrëdhënieve të mira me punëdhënësin dhe detyrës për të kryer punën me integritet e profesionalizëm. Natyrisht qëllimi i punës tuaj nuk është vetëm balancimi i librave, por dhe pasqyrimi i drejtë i gjendjes financiare. Vetëm pasqyrimi i vërtetë i gjendjes financiare tregon më së miri balancat dhe parandalon mashtrimin dhe përvetësimin. Qeveria e Kosovës ju inkurajon në këtë rrugë dhe do të ju mbështesë në ngritjen e transparencës financiare dhe në avancimin ligjor të raportimit financiar dhe tatimor.

Në vazhdim Znj. Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës tha se: Është kënaqësi të jem prezente sot, në festimin e 20 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Republikës se Kosovës. 20 vite me parë, themelimi i kësaj shoqate i vendosi bazën për zhvillimin profesional të kontabilistëve dhe auditorëve të Kosovës, të cilët me pas do t’i shërbenin vendit tonë në menaxhimin e financave si në sektorin privat e ashtu edhe në atë publik.

Duke qenë një vend i posa dalur nga lufta, ishte pikërisht kjo koha e duhur kur do të vendoseshin edhe bazat e themelimit te institucioneve publike të cilat patjetër se kërkonin punonjës të zhvilluar dhe të ngritur profesionalisht. Në vitin 2002 ishte vendosur edhe korniza ligjore për themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm nga Administrata Civile e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, por që funksionalizimi do të pasonte një vit më pas, e për këtë kërkoheshin profesionistë të fushës së kontabilitetit dhe auditimit.

Meqë, këto dy fusha ishin të reja në Kosovë dhe për të qenë në hap me zhvillimet ndërkombëtare në fushën e auditimit, në vitin 2004 u arrit marrëveshja e parë mes Zyrës e Auditorit të Përgjithshëm me Shoqatën e Kontabilistëve dhe Auditorëve te Certifikuar për bashkëpunim të ndërsjellë me qëllim që t’i kontribuojë ngritjes profesionale të stafit dhe avancimit të këtij institucioni.

Të qenit një institucion suprem i auditimit nënkupton aplikimin e standardeve profesionale, kryerjen e punës së auditimit sipas standardeve të zbatueshme dhe krijimin e një kuadri të përshtatshëm për të ofruar siguri të pavarur për cilësinë e punës së kryer.

Andaj, zhvillimi profesional i auditorëve është thelbësor për punën e institucioneve supreme të auditimit. Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit e theksojnë që roli i tyre është një faktor i rëndësishëm për të bërë ndryshimin në jetën e qytetarëve.

Auditimi i subjekteve qeveritare dhe të sektorit publik nga ISA-t, ka një ndikim pozitiv mbi besimin në shoqëri, sepse ai fokuson mendjet e kujdestarëve të burimeve publike se sa mirë i përdorin ato burime. Një ndërgjegjësim i tillë mbështet vlerat e dëshirueshme dhe mbështet mekanizmat e llogaridhënies, faktor këta të cilët padyshim që ndikojnë në performancën e mirë të shfrytëzimit të këtyre burimeve dhe fuqizojnë profesionalizmin, llogaridhënien por edhe besimin e qytetarëve karshi mandatit që ka Zyra Kombëtare e Auditimit, por edhe institucionet tjera në domenin e të cilave bie përgjegjësia e kryerjes së punëve konform kritereve të lartë cituara.

Pasi rezultatet e auditimit të ISA-ve të jenë bërë publike, qytetarët janë në gjendje të mbajnë kujdestarët e tyre të administratës publike. Prandaj, një ISA i pavarur, efektiv dhe i besueshëm është një komponent thelbësore në sistemin demokratik ku llogaridhënia, transparenca dhe integriteti janë pjesë e domosdoshme e një demokracie të qëndrueshme.

Të kesh njerëz kompetentë është një element kritik për të qenë një ISA profesionist.

Duke ju falënderuar angazhimit profesional të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Republikës se Kosovës dhe duke ju falënderuar edhe angazhimit maksimal të auditorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit që krahas punës audituese i ndjekin edhe skemat e certifikimit te cilat marrin jo me pak se tri vite për t’i përfunduar, sot ZKA-ja ka me shumë se 130 auditorë të certifikuar nëpër nivele të ndryshme, prej tyre rreth 90 janë auditorë te certifikuar.

Me qëllim të ruajtjes së njohurive dhe kompetencës në punë, të gjithë auditorët e ZKA-së në baza vjetore i nënshtrohen programit për zhvillimin e vazhdueshëm profesional që ofrohet nga Shoqata e Kontabilisteve Auditorëve te Kosovës, Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa dhe nga trajnimet e brendshme te vetë institucionit.

Pa dyshim se këto certifikime dhe njohuri profesionale, janë arritur falë angazhimit te Shoqatës dhe përkushtimit të auditorëve, të cilët me profesionalizmin që kanë fituar qoftë gjatë punës, por edhe si rezultat i kryerjes së programeve të certifikimit sot posedojnë shumë afinitete, me të cilat mund të konkurrojnë edhe me profesionistë të nivelit ndërkombëtar.  

Në anën tjetër, rritja e profesionalizmit ne fushën e kontabilitetit dhe auditimit është më se domosdoshme edhe tek punonjësit në sektorin publik e posaçërisht tek ndërmarrjet publike, ngase cilësia e raportimit financiar në ndërmarrjet publike është jo e kënaqshme dhe këtë e tregojnë edhe raportet e auditimit për vitin 2020.

Në fund të këtij adresimi, më lejoni t’i uroj Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës dhe gjithë anëtarësisë së kësaj shoqate jetëgjatësi, rritje dhe avancim profesional.

Z. Jörn Rohde, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë në fjalimin e tij:  “Unë mendoj se tashmë janë thënë të gjitha pse një shoqatë në një shoqëri moderne është e rëndësishme, ka të bëjë me transparencën, ka të bëjë me pjesëmarrjen; ju listuat të gjithë partnerët tuaj ndërkombëtarë dhe kjo dëshmon që keni bërë një rrugë të gjatë në 20 vitet e fundit dhe unë do të doja të ju përgëzoja dhe gjithashtu t'ju sfidoja ose t'ju pyeti: që në një mjedis profesional gjithnjë në ndryshim, në shekullin 21 ku ne jetojmë, ku ligjet ndryshojnë gjatë gjithë kohës, mendoj se është detyrë që organizatat profesionale të sfidojnë qeverinë në legjislacionet ku ata janë përgjegjës, sepse një organizatë profesionale funksionale vazhdimisht duhet të jetë në ndërveprim pozitiv me qeverinë për t’i përditësuar ligjet e saj. Unë dua t'ju uroj gjithë të mirat në 20 vitet e ardhshme dhe do të doja ta mbyllja me një citim pak të ndryshuar nga Lenini. Lenini ka thënë se "vetëbesimi është i mirë, kontrolli është më i mirë" dhe unë do të thosha "vetëbesimi është i mirë, auditorët janë më të mirë”.

Kryetari i ShKÇAK Z. Nazmi Pllana në fjalën e tij tha se “Kam nderin që sot, në këtë përvjetor të njëzetë të Shoqatës sonë, si kryetar i Bordit, dhe si anëtar aktiv që nga fillimet e Shoqatës, t’i them disa fjalë për të kujtuar rrugëtimin e saj deri më tani.

Misioni i Shoqatës është që të zhvillojë dhe avancojë një organizatë profesionale dhe konkurruese edhe në tregun ndërkombëtar, që përmbush standardet më të larta profesionale dhe etike, si dhe perfeksionon performancën organizative përmes menaxhimit financiar, sigurisë dhe ekspertizës së specializuar. Ne veprojmë me integritet, objektivizëm dhe me përkushtim ndaj cilësisë dhe interesit publik.

SHKÇAK është themeluar në vitin 2001, me iniciativën e një grupi të njerëzve të përkushtuar ndaj profesionit të kontabilitetit dhe auditimit, dhe me përkrahjen e pa rezervë financiare dhe ekspertizë të Bankës Botërore dhe të USAID-it. Ndihma e këtyre të organizatave ndërkombëtare ka qene esenciale për fillimet e sistemit të raportimit financiar; ato kanë ndihmuar në krijimin e ligjit të pare që i ka vënë themelet e sistemit të raportimit financiar; ato kanë ndihmuar në themelimin e Bordit të parë për standardet e kontabilitetit, si dhe kanë përgatitur Standardet Kosovare të Kontabilitetit. Pjesë e pandashme e kësaj përkrahje ka qene edhe themelimi I një organizate profesionale siç është SHKÇAK.

Për këtë arsye iu themi: faleminderit Banka Botërore, faleminderit USAID.

Në rrugëtimin tone nëpër vite, ka vazhduar përkrahja edhe e donatorëve tjerë ndërkombëtarë, siç Komisioni Evropian, GIZ etj. Gjatë tërë këtyre viteve, institucionet e vendit kanë ndihmuar në zhvillimin dhe përparimin e sistemit të raportimit financiar në Kosovë, dhe ne besojmë që edhe SHKÇAK ka qenë një kontribuues I rëndësishëm në këtë drejtim. SHKÇAK ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave, Zyra e Auditorit te Pergjithshëm KKRF-në , ATK-në dhe palët tjera të interesit në zhvillimin e vazhdueshëm të sistemit të raportimit financiar në të gjitha hallkat e tij.

Për këtë arsye iu themi: faleminderit institucioneve dhe organizmave shtetërore, faleminderit donatorë.

Një prej të arriturave më të mëdha të Shoqatës sonë është krijimi dhe mirëmbajtja e emrit të mirë të saj nëpër vite. Sot, studentët që certifikohen në SHKÇAK janë të sigurte që do të gjejnë një vend të mirë pune, qoftë në sektorin publik apo privat. Janë të vlerësuar dhe të respektuar për vlerat e larta etike dhe profesionale të tyre. Anëtarët e shoqatës me integritetin e tyre personal dhe profesional janë personifikim i vetë Shoqatës.

Për këtë arsye iu themi: faleminderit të gjithë anëtarëve të Shoqatës.

Të gjitha sukseset e deritashme të Shoqatës janë fryt i punës së palodhshme të zyrës ekzekutive me drejtoreshën Ardiana Bunjaku në krye, si dhe të anëtarëve të Këshillit të Shoqatës, të atyre aktualë dhe të kaluar, si dhe anëtarëve të komisioneve dhe bashkëpunëtoreve tjerë. 

Për këtë arsye iu themi: faleminderit zyra ekzekutive, faleminderit anëtarë të Këshillit, faleminderit anëtarë të komisioneve, faleminderit bashkëpunëtorë.

Profesioni i kontabilitetit dhe auditimit është një profesion i heshtur dhe me pak publicitet, për shkak të vetë natyrës së profesionit. Unë e krahasoj me punën e një gjyqtari në lojën e futbollit: gjyqtari i mirë është i padukshëm, ai vërehet vetëm kur bën gabime.

Dhe duke vazhduar edhe për pak krahasimin me lojën e futbollit, unë do ta krahasoj Federatën Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC) me seli në Nju Jork, me organizatën botërore të futbollit FIFA, vetëm për të ilustruar nivelin kësaj organizate. FNK është një organizatë profesionale globale e kontabilitetit dhe auditimit që i përfaqëson më shumë se 175 organizata anëtare nga 130 vende.

SHKÇAK është anëtarësuar me të drejta të plota në FNK që nga viti 2009. Jemi pjesëmarrës të rregullt në Kongresin Botëror të Kontabilistëve, një event kryesor për profesionin që mbahet çdo katër vjet. ShKÇAK është anëtare me të drejta të plota edhe e Federatës Evropiane të Kontabilistëve dhe Auditorëve për NVM (EFAA) dhe Federatës Mesdhetare e Kontabilistëve (FCM).

Duke ju uruar të gjithë anëtarëve 20 vjetorin e pjesëmarrësve që e kanë bërë edhe më madhështor këtë përvjetor, ju faleminderit për vëmendjen.

Z. Alan Jonson, Kryetar, Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve dhe Auditorëve në video mesazhin e tij theksoi se ”Në emër të profesionit global të kontabilitetit dhe auditimit po ju dërgoj urimet e mia të sinqerta me rastin e festimit të 20-vjetorit. Ky është gjithashtu 19 vjetori i anëtarësimit të ShKÇAK në IFAC, këto janë momente të rëndësishme me të cilat duhet të jeni krenarë. Profesioni i kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë ka identifikuar qartë nevojën e kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë që të bashkohen për të mbështetur funksionimin efektiv të bizneseve dhe gjithashtu të angazhohen për të fuqizuar profesionin e kontabilitetit dhe auditimit në vendin tuaj. Vizioni që ka treguar ShKÇAK është i jashtëzakonshëm dhe po e ndihmon Kosovën që të krijojë kushtet e nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Profesioni ynë ka një të ardhme të ndritur përpara dhe falënderoj udhëheqësit e tanishëm dhe të kaluar të ShKÇAK dhe gjithashtu çdo anëtar të ShKÇAK të cilët janë pjesë e rëndësishme e saj. Faleminderit shumë për gjithçka që po bëni dhe shpresoj të keni një festë të mrekullueshme”.

Z Giorgio De Giorgi, Kryetar, Federata e Kontabilistëve të Mesdheut në video mesazhin e tij tha “Kam kënaqësinë dhe privilegjin t'ju uroj për 20 vjetorin. Kufizimet e Covid për sa i përket udhëtimit nuk më lejuan të jem personalisht me ju, por po ju dërgoj këtë mesazh të shkurtër në mënyrë që të jem me ju shpirtërisht, nëse jo personalisht. Roli i ShKÇAK është gjithnjë e më i rëndësishëm veçanërisht në shpërndarjen e shpejtë të informacionit nga njëri tek tjetri, ndaj kontabilistët dhe auditorët brenda dhe jashtë vendit duhet të mbështeten në informacionin e duhur nga një subjekt superior si rasti i ShKÇAK në Kosovë që mund t'i atribuojë besueshmëri dhe siguri. Ne duhet të shikojmë botën, jashtë kopshtit tonë të vogël, duhet të shikojmë më tej, FCM është një nga mekanizmat që mund të përdorim për të zgjeruar aktivitetin tonë përtej kufijve tanë dhe FCM u është mirënjohëse organizatave si ShKÇAK e cila është një anëtare e vjetër e Federatës. Ne do të punojmë së bashku edhe për 20 vjet të tjera, unë kam regjistruar tashmë në ditarin tim 40 vjetorin tuaj. Urime edhe njëherë për 20 vjetorin tuaj dhe shpresoj që së shpejti të shihemi personalisht. Mirupafshim nga presidenti i FCM.”  

Z. Salvador Marin, Kryetar, Federata Evropiane e Kontabilistëve dhe Auditorëve për NVM në video mesazhin e tij tha se ” Së pari dëshiroj t'ju kërkoj falje që nuk munda të marr pjesë personalisht në këtë ngjarje të rëndësishme. Do të doja t'ju falënderoja që më lejuat të dërgoj një fjalë në këtë takim të rëndësishëm. SHKÇAK ka kontribuar ndjeshëm në objektivat thelbësorë të EFAA-s në promovimin e rolit të profesionit të kontabilitetit, si këshilltar i besuar i NVM-ve dhe në shërbim të interesit publik dhe zhvillimit ekonomik. SHKÇAK punon në mënyrë specifike në promovimin e standardeve më të larta të etikës, edukimit dhe ekselencës profesionale. Reformat në praktikë janë të një rëndësie të veçantë. EFAA për SME-të është zëri i praktikave të vogla dhe të mesme të kontabilitetit dhe auditimit në Evropë. Së bashku me SHKÇAK, ne punojmë për të siguruar që cilësia e lartë e shërbimeve të ofruara nga PVM-të njihet si kritike për mirëqenien dhe rimëkëmbjen e NVM-ve. Mbështetja e vazhdueshme e SHKÇAK vlerësohet shumë. Urime per këtë përvjetor, ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku edhe në të ardhmen. Faleminderit shume”

Z. Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut theksoi se “Faleminderit që më ftuat të jem pjesë e këtij eventi, ku Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovë s feston 20 vjetorin e saj.
 
Nga trajnimet e ndjekura jam një ekonomist politik, por më herë t kam qenë kontabilist profesionist. Pra, është shumë emocionuese të jesh këtu të shohësh një komunitet kaq të madh që kontribuon për të ndihmuar në krijimin dhe fuqizimin e themeleve të Republikës së Kosovës përmes aktiviteteve të saj që synojnë forcimin e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies.

Si Bankë Botërore, jemi të lumtur që kemi kontribuar financiarisht dhe teknikisht në fuqizimin e raportimit financiar të korporatave në Kosovë pë rmes SHKÇAK që nga themelimi i saj në vitin 2001.

Më lejoni të kujtoj vetëm një raport i cili është mjaft sfidues për t'u kaluar, por që besoj se ka ndihmuar mjaft në fuqizimin e standardeve të auditimit në vend dhe ky është i ashtuquajturi raporti i ROSC, mbi Standardet e Auditimit dhe Kodet e Kontabilitetit dhe Auditimit. Ë shtë përgatitur për herë  të  parë  (në vitin 2013) dhe tani jemi në proces të përditësimit. ROSC ka mbështetur reformën e vendit në profesionin e auditimit dhe kontabilitetit, siç konfirmohet nga progresi i qartë i bërë në fushat e mbuluara prej tij.

Në përputhje me qëllimin e këtij eventi, ju lutem më lejoni të theksoj disa fusha pse mendojmë se përmirësimi i raportimit të korporatave dhe rritja e disponueshmërisë së informacionit financiar transparent janë të rëndësishme:

  • Raportimi financiar i korporatave në kohë, transparent dhe i besueshëm është element thelbësor i një sektori privat të shëndetshëm dhe të përgjegjshëm.
  • Mbështet një kërkesë të fortë për qeverisje të mirë korporative që kontribuon në sektorin privat të hapur dhe konkurrues.
  • Shërben pë r qëllimin e monitorimit të Ndë rmarrjeve Shtetë rore për vendime nga Qeveria si dhe qasjen e publikut në informacione financiare (p.sh. kompanitë e infrastrukturës dhe shërbimeve komunale).
  • Kontribuon në investimet e huaja dhe vendore.
  • Redukton rrezikun e krizave të tregut financiar duke fuqizuar arkitekturën e brendshme financiare.
  • Lehtëson aksesin e bizneseve të vogla në kredi duke ulur kostot e larta të informacionit dhe huamarrjes.
  • Lejon investitorët të vlerësojnë siç duhet perspektivat e korporatës dhe të marrin vendime për investime dhe votime, gjë që rezulton në një kosto më të ulët të kapitalit dhe një shpërndarje më të mirë të burimeve.
  • Lejon aksionarët dhe publikun në përgjithësi të vlerësojnë performancën e menaxhimit të një kompanie, duke promovuar kështu zhvillimin aktiv të tregjeve të kapitalit.

Ne presim që përditësimi i ROSC do t'i mundësojë qeverisë së Kosovës të artikulojë nevojat e mëtejshme urgjente për kornizën ligjore dhe institucionale, mekanizmat monitorues dhe zbatues dhe rolin e profesionit të kontabilitetit.

Në përfundim, dëshiroj të përgëzoj SHKÇAK për shënimin e 20 vjetorit, me urimet më të mira për avancimin e vazhdueshëm të Shoqatë dhe profesionit të auditimit dhe kontabilitetit.

Z. Joshua Mike, Drejtor i zyrës për Zhvillim Ekonomik, USAID Kosovë tha se “Është një nder për mua që jem këtu sonte për të përfaqësuar USAID-in, veçanërisht në festimin e 20 vjetorit tuaj. Rreth 20 vjet më parë USAID-i mbështeti SHKÇAK-në duke i dhënë një grant për të mbështetur zhvillimin e materialeve, çertifikimet profesionale, zhvillimin e trajnimeve dhe ndërtimin e kapaciteteve të një institucioni i cili do t'iu shërbejë nevojave të sektorit publik dhe privat dhe për këtë jemi shumë krenarë. Për këtë periudhe ju keni  arritur  vetëqëndrueshmëri të jashtëzakonshme dhe pikërisht këtë lloj kapaciteti drejtues dhe organizativ dëshirojmë të shohim. Ju nuk vareni më nga donatorët dhe ju keni dëshmuar vlerën e shtuar për anëtarët tuaj si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik dhe për këtë ne ndihemi krenarë. Prandaj ju falënderoj shumë për udhëheqjen tuaj dhe ndihmën për të krijuar një sektor privat konkurrues dhe në rritje. Sot, anëtarësimi i SHKÇAK në organizatat ndërkombëtare si IFAC është vetëm një dëshmi dhe flet për shërbimet e cilësisë së lartë që ofroni dhe duhet të them se numri prej 8000 anëtarë është shumë mbresëlënës. Nëpërmjet trajnimeve dhe programeve që vazhdoni të ofroni, duke përmirësuar raportimin financiar dhe duke fuqizuar atë gjatë viteve për komunitetin dhe vendin tuaj, në emër të USAID-it dua t'ju përgëzoj dhe ju uroj  të vazhdoni me suksese edhe shumë vite të tjera.

Z. Dritan Fino, Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike të Republikës së Shqipërisë  “Duke ju uruar nga zemra, gëzuar 20 vjetorin organizatës suaj e sa më shumë arritje të mëtejshme, si dhe duke falënderuar organizatorët e këtij eventi për ftesën si dhe për mikpritjen e treguar ndaj nesh, unë, në cilësinë e Kryetarit të BMP-së së Republikës së Shqipërisë, ndihem shumë i nderuar që në përvjetorin e 20-të të institucionit të SHKACK, të nënshkruaja një memorandum bashkëpunimi mes nesh, i cili është në interesin e përbashkët të të dy institucioneve që të bashkëpunojmë në shkëmbimin e përvojave tona në lidhje me zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit. Bashkëpunimi me SHKCAK, e cila është organizata e parë profesionale e kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë si dhe e vetmja që është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK), jam i sigurt që do të na ndihmojë në mënyrë reciproke në përmirësimin e cilësisë, saktësisë dhe besueshmërisë së profesionit të auditimit nëpërmjet rregullimit dhe mbikëqyrjes së profesionit, në mënyrë që të mbrojmë investitorët, të ndihmojmë në forcimin e besimit të publikut në raportimin financiar dhe të rrisim besimin e investitorëve në tregjet tona. Gjithashtu, shpresoj që ky partneritet afatgjatë të ndihmojë dhe lehtësojë punën e profesionistëve të fushës për të shkëmbyer kapacitetet teknike profesionale ndërmjet tyre, duke lehtësuar ndarjen ndërmjet tyre të ekspertizës dhe përvojave lidhur me zhvillimet në profesion, informacionin e duhur teknik, përmirësimin e aftësive për zbatimin praktik të SNA-ve, etj. Si përfundim, duke ju uruar suksese të mëtejshme si dhe arritjen e të gjitha synimeve dhe objektivave tuaja në kuadër të profesionit të audituesit ligjor dhe kontabilistit, dëshiroj të theksoj se, pavarësisht zhvillimeve të kësaj fushe në të dy vendet, ne kemi nevojë që të forcojmë lidhjet tona, të rrisim përpjekjet individuale si dhe të përbashkëta për tu harmonizuar me acquis më të fundit të fushës së auditimit ligjor, si dhe për të forcuar kapacitetin e strukturave të mbikëqyrjes së auditimit, pavarësinë profesionale si dhe objektivitetin e audituesve. Domosdoshmëria e rregullimit të këtyre profesioneve vjen si rrjedhojë e përgjegjësisë që sjellin këto shërbime ndaj publikut të gjerë, ndaj mbetemi të gatshëm dhe mirëpresim çdo lloj bashkëpunimi me institucionin tuaj apo dhe institucione të tjera relevante të fushës në vendin tuaj, i cili do të na ndihmonte për të frenuar dështimet në cilësi në tregjet lokale të auditimit, të cilat në fund të ditës sjellin ndikime të konsiderueshme në dëmtimin e interesave të qytetarëve dhe taksapaguesve në vendet tona.”

Gjatë kësaj ceremonie në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në zhvillimin e ShKÇAK dhe profesionit të Kontabilitetit dhe auditimit janë ndarë mirënjohje për institucionet, bashkëpunëtorë nga vendi dhe ata ndërkombëtare, për anëtarët e ShKÇAK -së që kanë kontribuar ndër vite si, kryetarët dhe anëtarët e bordit, anëtarët e komisioneve si dhe personelit të zyrës. Gjithashtu u ndanë dhe certifikatat për studentët e dalluar të ShKÇAK për vitin 2021.

Znj. Shpresa Mustafa ish-Kryetarja e Bordit të ShKÇAK në mbyllje të ceremonisë theksoi “Unë sot jam e emocionuar, sot jam kthyer 20 vite prapa dhe mund të them se jam krenare që jam pjesë e SCAAK. Ju falënderoj të gjithëve nga zemra. Anëtarët të cilët me punën e tyre profesionale na bëjnë të jemi këta që jemi sot lider në profesion. Falënderoj institucionet e vendit, donatorët, punëdhënësit pa të cilët i tërë ky rrugëtim do të ishte më i vështirë.

Dhe në fund dua të falënderoj stafin ekzekutiv për përkushtimin që e kanë për të shtyrë përpara shoqatën dhe profesionin tonë.