Planifikimi paraprak për zbatimin e standardeve të reja të menaxhimit të cilësisë

2021-09-18 - 10:24

Publikuar nga: ICAEW

 

Këshilli i Raportimit Financiar ka publikuar dy standarde të reja të Menaxhimit të Cilësisë, si dhe SNA 220 të rishikuar. Louise Sharp, Menaxhere në Fakultetin e Auditimit dhe Sigurisë të Institutit të Auditorëve dhe Kontabilistëve të çertifikuar në Angli dhe Uells (ICAEW), ka paraqitur hapat që firmat mund të ndërmarrin tani për të ndihmuar në zbatim e drejtë të këtyre standardeve.

Standardet e Menaxhimit të Cilësisë janë efektive për auditimet e pasqyrave financiare për periudhat që fillojnë më ose pas 15 dhjetorit 2022. Kjo do të thotë se firmat do të kenë nevojë të kenë hartuar dhe zbatuar një sistem të menaxhimit të cilësisë deri më 15 dhjetor 2022. Këshilli i Raportimit Financiar inkurajon fuqishëm miratimin e hershëm, edhe pse kjo do të ishte sfiduese për shumë firma të auditimit.

SNMC 1 prezanton një qasje të re të bazuar në rrezik për menaxhimin e cilësisë në nivel të firmës. Kjo kërkon që firma të krijojë objektiva të cilësisë, të identifikojë dhe vlerësojë rreziqet e cilësisë, veçanërisht në lidhje me natyrën dhe rrethanat e firmës individuale dhe angazhimet e saj, dhe të hartojë dhe zbatojë përgjigje për të adresuar ato rreziqe. Kjo është një qasje shumë më largpamëse, më aktive sesa ajo që kërkohet aktualisht sipas SNKC 1, e cila fokusohet më shumë në politikat dhe procedurat. Gjithashtu pritet të jetë një qasje përsëritëse që do të kërkojë rishqyrtim dhe përmirësim të vazhdueshëm.

SNMC 2 është një standard i ri. Ai adreson përshtatshmërinë, emërimin dhe përgjegjësitë e një rishikuesi të cilësisë së angazhimit. Ndërsa shumë elementë janë zhvendosur këtu nga SNKC 1 dhe SNA 220, kërkesat janë shtuar dhe hapësira për rishikime të tilla është zgjeruar.

Rishikime të rëndësishme janë bërë edhe në SNA 220, të cilat sqarojnë dhe forcojnë elementet kryesore të menaxhimit të cilësisë në nivel të angazhimit. Këto përfshijnë ndryshimet në përkufizimin e ekipit të angazhimit dhe një kërkesë të re për partnerët e angazhimit për të përcaktuar se ata kanë marrë përgjegjësinë e përgjithshme për menaxhimin dhe arritjen e cilësisë në angazhimin e auditimit.

Çfarë hapash mund të ndërmarrin firmat e auditimit tani?

Lexoni standardet. Ato janë të gjata dhe do të duhet kohë për t'i kuptuar kërkesat. BSNAS gjithashtu ka publikuar Udhëzues për zbatimi për herë të parë të SNMC 1 dhe SNMC 2 për të ndihmuar firmat të kuptojnë dhe zbatojnë standardet.

Ndani kërkesat në pjesë të menaxhueshme dhe merrni parasysh fushat ku firma mund të fillojë të përpilojë planet e zbatimit dhe kush brenda firmës duhet të përfshihen. Fushat e mundshme për përqendrim janë të përcaktuara më poshtë.

Vlerësimi i rrezikut

Filloni të identifikoni rreziqet e cilësisë me të cilat përballet firma, për shembull rreziqet që firma të mos arrijë të përmbush objektivat e cilësisë. Është e lehtë të nënvlerësohet ajo që mund të jetë e nevojshme dhe rreziqet do të duhet të ndërlidhen me objektivat e cilësisë në SNMC 1 ose, nëse kërkohet, me ato shtesë të identifikuara nga firma.

Për të ndihmuar në identifikimin e rreziqeve, firmat mund të rishikojnë listën e tyre të angazhimeve, duke menduar për natyrën e angazhimeve që ato ofrojnë (auditim ose shërbime të tjera) dhe shkallën në të cilën ato mund të krijojnë rreziqe cilësore në lidhje me objektivat, si dhe si mund të krijojnë rreziqe të tilla. Firmat e auditimit gjithashtu mund të rishikojnë gjetjet nga rishikimet e dosjeve dhe aktivitetet e monitorimit të cilësisë për të identifikuar fushat e problematike dhe rreziqet e mundshme të cilësisë.

Firmat mund të shikojnë mekanizmat e tyre ekzistues të kontrollit të cilësisë për të parë se deri në çfarë mase mund t'i përgjigjen rreziqeve të identifikuara. Firmat ka të ngjarë të kenë disa procedura dhe politika të zhvilluara që do të vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme në përmbushjen e kërkesave të reja, por do të ishte e gabuar të supozohet kjo pa marrë parasysh kërkesat specifike në SNMC 1 dhe natyrën dhe rrethanat individuale të firmës dhe të angazhimeve të saj. Një analizë e hendekut, e nxitur nga vlerësimi i rrezikut, do të ndihmojë në identifikimin e fushave ku firmat mund të kenë nevojë të hartojnë dhe zbatojnë përgjigje shtesë ose të ndryshme.

Firmat mund të fillojnë të hartojnë objektivat, rreziqet e cilësisë dhe përgjigjet ndaj këtyre rreziqeve. Ato firma që përdorin procedurat aktuale të implementuara së pari do të duhet të kuptojnë kohën dhe natyrën e përditësimeve nga ofruesi i shërbimit për të identifikuar boshllëqet dhe kur do të kenë nevojë të kryejnë punë të mëtejshme. Sipas SNMC 1, firmat gjithashtu do të duhet të planifikojnë një shkallë më të madhe të përshtatjes së këtyre mjeteve në mënyrë që të plotësojnë nevojat specifike të firmës.

Burimet

SNMC 1 kërkon që firmat të vendosin objektiva të veçanta të cilësisë për të adresuar marrjen, zhvillimin, përdorimin, mirëmbajtjen, shpërndarjen dhe caktimin e burimeve në mënyrë të përshtatshme për të mundësuar projektimin, zbatimin dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë. SNMC 1 përcakton 'burimet' mjaft gjerësisht.

Firmat mund të identifikojnë dhe të fillojnë të vlerësojnë burimet e tyre, duke marrë parasysh burimet që janë të brendshme dhe ato të ofruara nga ofruesit e shërbimeve, të tilla si softuerët e auditimit, mjetet e analizës së të dhënave, metodologjitë dhe rishikimet e cilësisë. Firmat do të duhet të vlerësojnë nëse burimet nga ofruesit e shërbimeve janë të përshtatshme për t'u përdorur në sistemin e tyre të menaxhimit të cilësisë dhe në kryerjen e angazhimeve.

Për firmat e rrjetit, firma individuale është përgjegjëse për sistemin e saj të menaxhimit të cilësisë, përfshirë gjykimet profesionale të bëra në hartimin, zbatimin dhe funksionimin e saj. Prandaj do të duhet të vlerësojë nëse kërkesat e rrjetit ose shërbimet e rrjetit duhet të përshtaten ose plotësohen nga firma për të qenë të përshtatshme për t'u përdorur në sistemin e tij të menaxhimit të cilësisë. Rrjetet, nga ana tjetër, gjithashtu do të duhet të mendojnë se çfarë informacioni kanë nevojë për të siguruar për firmat anëtare ku burimet, siç janë metodologjitë e auditimit global, janë duke u përdorur.

Analiza e shkaqeve (RCA) dhe aktivitetet e monitorimit

SNMC 1 kërkon veçanërisht nga firmat që të hartojnë dhe kryejnë aktivitete monitorimi për të siguruar një bazë për identifikimin e mangësive si pjesë e aktiviteteve të monitorimit dhe përmirësimit të një firme, dhe për të vlerësuar shkakun rrënjësor të mangësive. RCA nuk është një koncept i ri, dhe disa firma tashmë do të jenë duke bërë këtë. Por për ata që nuk e kanë bërë, kjo është një fushë ku firmat mund të fillojnë të bëjnë njëfarë përparimi, edhe kur aspekte të tjera të standardeve ende nuk janë zbatuar.

Gjithashtu, aktivitetet e monitorimit të brendshëm dhe rishikimet e SNMC 2 mund të kryhen sikur standardet e reja të ishin vendosur për t’i demonstruar ekipit të angazhimit brenda firmave se cilat fusha do të duhet përmirësuar nëse standardet do të zbatoheshin plotësisht.

Standardet e reja të menaxhimit të cilësisë ofrojnë një mundësi për firmat që të përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e performancës së angazhimeve të tyre të auditimit, por do të jetë e rëndësishme të mos nënvlerësohet koha dhe përpjekja e punës e nevojshme për zbatimin e tyre.