Memorandum Bashkëpunimi në mes të ShKÇAK dhe Global DCA

2021-04-06 - 03:42

ShKÇAK gjithnjë ka pasur qëllim zhvillimin dhe avansimin e profesionit duke ndjekur trendet globale. 

Ndryshimet e shpejta globale kanë ndikim domethënës edhe në punën dhe rolin e profesionistëve të kontabilitetit dhe auditimit që kërkon adaptim të njohurive, punës dhe qasjes së tyre ndaj këtyre trendeve.

Ndryshimet që vijnë në industrinë e kontabilitetit dhe auditimit në dekadën e re kryesisht sillen rreth teknologjisë. Teknologjia digjitale është duke krijuar një mënyrë të re të punës së kontabilistëve dhe auditorëve përfshirë këtu edhe teknologjinë “blockchain” dhe ndikimin e saj në raportim financiar dhe auditim.

Në këtë drejtim, me qëllim të ndërgjegjësimit me zhvillimet e fundit në Digjitalizim dhe teknologji, Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Shoqatën Globale të Aseteve Digjitale dhe Kriptovalutave (Global DCA).

Global DCA është një shoqatë globale vetërregulluese për industrinë e aseteve digjitale dhe kriptovalutave. Paraqitja e aseteve digjitale, kriptovalutave dhe teknologjisë "blockchain" është duke transformuar me shpejtësi sistemin monetar global.

Global DCA u krijua për të udhëhequr evolucionin e kësaj teknologjie të re brenda një kornize rregullatore të krijuar për të ndërtuar besimin e publikut, për të nxitur integritetin e tregut dhe për të maksimizuar mundësitë ekonomike për të gjithë pjesëmarrësit. Duke krijuar standarde dhe zgjidhje të bazuara në konsensus, Global DCA adreson sfidat kryesore me të cilat përballet industria e aseteve digjitale dhe kriptovalutave.

ShKÇAK dhe Global DCA së bashku do të angazhohen në dialog për çështjet kyçe në temën e aseteve digjitale, financave të decentralizuara dhe temave të tjera të ngjashme si dhe zhvillojnë aktivitete të përbashkëta duke përfshirë konferenca, uebinar, hulumtime dhe/ose diskutime në tryeza të rrumbullakëta.

---


Global DCA për ShKÇAK (LinkedIn: https://bit.ly/3dHAr2q):


Mirëseardhje e ngrohtë për ShKÇAK (Kosovë), partnerin tonë më të ri.


Që nga themelimi i saj në vitin 2001, ShKÇAK ka qenë udhëheqëse në fushën e inovacionit duke ofruar mundësi dhe zgjidhje në ndërtimin e së ardhmes së profesionit të kontabilitetit dhe auditimit, duke nxitur në vazhdimësi rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë dhe rajonin Euro-Mesdhetar.


Misioni i ShKÇAK është që të zhvillohet dhe avancohet si një organizatë profesionale dhe konkurruese edhe në tregun ndërkombëtar, e cila përmbush standardet më të larta profesionale dhe etike, si dhe perfeksionon përformancen organizative përmes menaxhimit financiar, sigurisë dhe ekspertizës së specializuar.