Forcimi i marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë – Dymbëdhjetë propozime nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) për fituesit e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2021

2021-02-05 - 04:06

Për t’i forcuar lidhjet tona ekonomike me Gjermaninë akoma më shumë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) propozon dymbëdhjetë hapat e mëposhtëm, për shqyrtim nga partitë politike në Kosovë dhe për fituesit e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2021.


Shumica e këtyre propozimeve, sipas drejtuesve të OEGJK, do të ndihmonin gjithashtu tregtinë e Kosovës me vende të tjera dhe tërheqjen e investimeve të huaja, tregtia elektronike dhe themelimin e Gjykatës Komerciale.
 

Promovimi i Tregtisë dhe Investimeve 

1.      Parku i Inovacionit dhe Trajnimit (Prizren): Vazhdimi i përkrahjes dhe promovimit të ITP-së në Prizren, i cili është themeluar bashkërisht nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Gjermane, si projekt kryesor i bashkëpunimit tonë ekonomik nën menaxhim gjerman.  

2.      Diplomacia ekonomike: Të forcohet fokusi në tregti dhe promovimin e investimeve në Ambasadat dhe Konsullatat kosovare në vendet si Gjermania, p.sh. me staf të dedikuar në misionet diplomatike të Kosovës si dhe përmirësimin e rrjedhës së informacioneve ndërmjet tyre dhe Ministrive në Prishtinë. 

3.      KIESA: Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë - KIESA duhet të emërojë një drejtor pas 3 vitesh të drejtimit nga një ushtrues detyre. Mosveprimi ose paaftësia e qeverive paraprake për ta zgjedhur një drejtor të përhershëm len një përshtypje të keqe tek çdo investitor i huaj potencial që vjen në Kosovë.  

4.      Fushatë për promovimin e investimeve: Agjencia e Kosovës për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve duhet të krijojë një fushatë për të promovuar dhe përmirësuar imazhin e Kosovës si destinacion për investime të huaja. Kosova ka kosto të ulët të fuqisë punëtore, norma tatimore të ulëta, një popullsi të re me afinitet të fortë për  gjuhë të huaja dhe frymë ndërmarrësie - të gjitha këto ia vlen të promovohen jashtë vendit. 2021 është gjithashtu çasti i duhur për një fushatë të tillë, pasi shumë kompani të Evropës Perëndimore po kërkojnë të diversifikojnë gjeografikisht zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të prodhimit, duke kërkuar zgjidhje “near shoring”, pra sa më afër Evropës Perëndimore. Gjermania prinë si investitori nr. 1 tek investimet e huaja direkte në Kosovë, prandaj duhet të jetë objektivi kryesor i një fushate të tillë. 

5.      Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes: Rifunksionalizimi i një grupi punues ndërministror për të reflektuar dhe vendosur mbi masat që do të përmirësonin renditjen aktuale të Kosovës në Raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes; Kosova është përkeqësuar duke rënë nga rangu i 40 në atë 57, përgjatë dy viteve të fundit. 

6.      Tregtia në Shërbime: T’i ofrohet përkrahje, me staf të nevojshëm dhe me bashkëpunim me Ministritë e linjës, projektit të përbashkët të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe BE-së, për të krijuar një “one-stop-shop” për tregtinë në shërbime. Ndryshe nga tregtia e mallërave, Kosova tashmë ka një suficit tregtar në tregtinë e shërbimeve me botën e jashtme, psh. Shërbimet e IT-së, që duhet të nxiten e përkrahen me qëllim që të rriten në të ardhmen.  

 

Kualifikimi i fuqisë punëtore  

7.      Arsimi dhe aftësimi profesional:  Investimi në cilësi dhe kuantitet në arsimin dhe aftësimin profesional, duke qenë se për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, kompanitë kosovare kanë pengesa për të rritur apo zgjeruar biznesin. Nga ana tjetër Kosova vuan nga një tepricë e kuadrove që dalin nga arsimi terciar. Të diplomuarit kanë perspektivë të dobët për punësim. Qeveria Gjermane së fundi ka konfirmuar që është e gatshme të vazhdojë dhe të zgjerojë bashkëpunimin e saj me Kosovën në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional. Me të ashtuquajturin Challenge Fund të KfW Bankës, tani ofron edhe përkrahje financiare për shkollat profesionale nëse ato bashkëpunojnë me kompani kosovare për të ofruar aftësim  profesional më të mirë dhe të orientuar drejt kërkesave të tregut të punës.  

 

Zgjidhja e kontesteve afariste 

8.      Sistemi Gjyqësor: Themelimi i një gjykate komerciale, e cila mund të trajtojë rastet e investitorëve dhe tregtisë brenda një afati kohor të arsyeshëm. Mangësitë në sundimin e ligjit janë njëra nga pengesat kryesore për investitorët e diasporës nga Gjermania, siç tregojnë të gjeturat nga studimi i fundit i kryer nga OEGJK.  

9.      Arbitrazhi: Përmirësimi i sistemit të arbitrazhit për të përshpejtuar procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të biznesit dhe për të shmangur vonesat e zgjidhjes së rasteve nga  sistemi gjygjësor; një sistem i tillë i arbitrazhit eksizton në parim por nuk përdoret nga ndërmarrjet. 

 

Tërheqja e invetitorëve të energjisë së gjelbër 

10.   Politika e Energjisë: Tërheqja e investitorëve të huaj në sektorin e energjisë së  ripërtëritshme në Kosovë duke kaluar nga një sistem licensimi me feed-in-tarifa të shtrenjta dhe me rrezik të lartë korrupsioni në një sistem ankandi. Ankandet rekomandohen nga partnerët tanë ndërkombëtar ato janë më të lira për konsumatorët kosovarë dhe përdoren gjithashtu dhe në Gjermani.  

 

Inkurajimi i tregtisë elektronike 

11.   Legjislacioni: Sa më shpejt të miratohen ligje specifike për tregtinë elektronike dhe nënshkrimin elektronik, të cilat do të ofronin siguri ligjore për kompanitë dhe do të vendosnin  Kosovën në një pozitë më të mirë në garën ndërkombëtare për digjitalizimin e ekonomisë. 

 

Përfshirja e Odave Ekonomike bilaterale 

12.   Këshilli Kombëtar i Ekonomisë dhe Investimeve: Qeveritë e kaluara të Kosovës kanë përdorur një format të veçantë, të quajtur Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, për të dëgjuar rekomandimet e Odës sonë dhe shoqatave tjera të biznesit. OEGJK është e gatshme të kontribuojë në këtë format edhe në të ardhmen dhe do të mirëpriste nëse mund të ri-funksionalizohej Këshilli nën Qeverinë e re, duke përmirësuar rrjedhën e informacionit, por gjithashtu duke shërbyer si një forum diskutimi për politikën e ardhshme ekonomike që ndikon në tregtinë e jashtme dhe investimet. 


Komunikatën  e plotë e gjeni këtu.