BSNKSP shtyn datat efektive për standardet dhe ndryshimet e ardhshme

2020-11-09 - 10:27

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (BSNKSP) ka publikuar prononcimin e fundit, COVID-19: Shtyrja e datave efektive, i cili i shtyn datat efektive të Standardeve dhe Ndryshimeve të publikuara së fundmi në SNKSP për një vit, përkatësisht deri më 1 Janar 2023. Duke reaguar kështu ndaj pandemisë globale COVID-19 dhe sfidave të krijuara nga kjo pandemi, qëllimi i këtij prononcimi është t'u sigurojë akterëve relevant  kohë shtesë sa i përket implemetimit.

"Pandemia COVID-19 ka krijuar presione të konsiderueshme mbi stafin dhe burimet e tjera që entitetet e sektorit publik i kushtojnë për implementimin e standardeve dhe ndryshimeve të ardhshme të SNKSP," tha Kryetari i BSNKSP Ian Carruthers. "Një shtyrje një vjeçare e datave efektive të këtyre standardeve dhe ndryshimeve të ardhshme do të sigurojë lehtësime operative aq të nevojshme për entitetet e sektorit publik."

Standardet dhe ndryshimet e ndikuara përfshijnë:

  • SNKSP 41, Instrumentet Financiare;
  • SNKSP 42, Përfitimet Sociale;
  • Investimet afatgjata në bashkëpunëtorët dhe sipërmarrjet e përbashkëta (Ndryshimet në SNKSP 36) dhe Karakteristikat e Parapagimit me Kompensimin Negativ (Ndryshimet në SNKSP 41);
  • Shërbimet Kolektive dhe Individuale (Ndryshime në SNKSP 19); dhe
  • Përmirësimet e SNKSP, 2019.

 

Rreth BSNKSP

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (BSNKSP) punon për të fuqizuar menaxhimin financiar publik global përmes zhvillimit dhe mbajtjes së Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP) në baza akruale dhe përmes udhëzimeve të tjera të raportimit financiar të kualitetit të lartë për përdorim nga qeveritë dhe subjektet tjera të sektorit publik. Gjithashtu rritë vetëdijen për SNKSP dhe përfitimet nga adoptimi akrual. Bordi merr mbështetjen nga Banka Aziatike e Zhvillimit, Kontabilistët Profesionistë të Çertifikuar të Kanadasë, Bordi i Raportimit të Jashtëm të Zelandës së Re dhe qeveritë e Kanadasë dhe Zelandës  së  Re. Strukturat dhe proceset që mbështesin veprimtaritë e BSNKSP ndihmohen nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve dhe Auditorëve (FNK).

Për Komitetin e Interesit Publik

Aktivitetet e qeverisjes dhe përcaktimit të standardeve të BSNKSP mbikëqyren nga Komiteti i Interesit Publik (KIP), për të siguruar që ata të ndjekin procesin e duhur dhe të pasqyrojnë interesin publik. KIP përbëhet nga individë me ekspertizë në sektorin publik ose raportim financiar dhe angazhim profesional në organizata që kanë interes në promovimin e informacionit financiar të cilësisë së lartë dhe të cilat janë ndërkombëtarisht të krahasueshme.