Etika është vlera e anëtarit të Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës

2020-02-26 - 01:53

Artikulli i shkruar nga: Elvira Ibrahimi Hoti

Kryesuese e Komisionit për Sjellje dhe Disiplinë

 

Ndodhemi para një sfide të madhe profesionale, pasi që Ligji Nr. 06/L- 032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, kërkon nga bizneset që të dorëzojnë në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar pasqyrat financiare të nënshkruara prej kontabilistit të çertifikuar, dhe të audituara nga auditori ligjor [1]. Para nesh është një numër jashtëzakonisht i madh i bizneseve ndaj të cilave kemi obligim për t’i mbuluar me shërbimet tona, në mënyrë që ata të mos e pësojnë nga ndëshkimet eventuale për mos dorëzim të raporteve. Na pret një punë që  kërkon të veprojmë me përgjegjësi të lartë e përkushtim dhe pa e ulur as edhe një moment cilësinë dhe kujdesin. Një punë e madhe që kërkon që ne të veprojmë ashtu si kemi vepruar dhe punuar deri më tani duke zbatuar në përpikmëri etikën profesionale.

Etika profesionale  është pjesë integrale e profesionit tonë, pra jo vetëm që është një atribut por është baza mbi të cilën ndërtohet profesioni ynë. Për ne profesionistët e kontabilitetit dhe auditimit etika duhet të jetë e gravuar në zemrën dhe në mendjen tonë dhe duhet të qëndrojë aty pa i marrë parasysh ndryshimet digjitale dhe presionet e trendeve globale. Pra Etika duhet të jetë në mendjen dhe zemrën tonë edhe tani kur nga ne kërkohet një punë kaq voluminoze.

Ajo që e karakterizon profesionin tonë është se ne kemi pranuar përgjegjësinë për të vepruar në të mirë të interesit publik para dëshirave dhe interesave individuale. Me përpilimin dhe nënshkrimin e pasqyrave financiare qoftë si kontabilist apo qoftë si auditor, ne do të marrim përsipër përgjegjësinë për to gjatë gjithë jetës. Me nënshkrimin e pasqyrave financiare ne do të rrisim sigurinë e tyre duke konkluduar se ato paraqesin gjendjen e vërtetë dhe të sinqertë të biznesit në ditën e raportimit.

Raportimi financiar sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe përkitazi me legjislacionin tatimor bën që mjedisi biznesor të jetë më i sigurt, më i besueshëm dhe më atraktiv për investitorët e huaj. Raportimi financiar profesional do të thotë transparencë, përgjegjshmëri dhe krahasueshmëri të raporteve financiare. Për një organizatë biznesore, raportimi financiar paraqet një resurs të  çmuar mbi të cilën merren vendimet përveç që e tregojnë pozicionin financiar dhe performancën e kompanisë.  

Integriteti, objektiviteti, kompetenca profesionale dhe kujdesi i duhur, konfidencialiteti dhe sjellja profesionale janë pesë parime të kodit të etikës. Shoqata e Kontabilisteve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, etikën profesionale dhe kodin e etikës e vlerëson lartë, andaj e ka të themeluar komisionin për sjellje dhe disiplinë, që shërben si gardian i këtij kodi. 

Si kryesuese e komisionit për sjellje dhe disiplinë, nuk do të doja të pranoja raste në të cilat është shkelur kodi i etikës nga anëtarët tanë  dhe “Deklarata Nën Betim” që e kemi nënshkruar kur jemi bërë anëtarë të ShKÇAK. Ne kemi një arsye shtesë pse duhet të punojmë sipas pesë parimeve të etikës profesionale e kjo është për shkak të faktit se ne jemi pjesë e një organizate me të cilën jemi identifikuar dhe e cila vazhdimisht ka rritur vlerën tonë në treg . Ne duhet të punojmë akoma më tepër që ta mirëmbajmë dhe ta rrisim vlerën e shtëpisë tonë dhe vlerën e profesionit tonë. Ne duhet ta mbajmë në tavolinën e punës Kodin e Etikës Profesionale.

 

[1] Referojuni ligjit dhe udhëzimeve për detaje