Bizneset dhe Profesionistët e Kontabilitetit dhe Auditimit diskutojnë mbi Ligjin për Raportim Financiar

2020-01-21 - 05:05

Prishtinë, 21 janar 2020 - Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe Odën Ekonomike të Kosovës organizoi tryezën për kërkesat e reja që dalin nga Ligji për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe implikimet të cilat ky ligj i krijon për sektorin privat. Qëllimi i kësaj tryeze ishte që bashkërisht me përfaqësuesit e bizneseve dhe me profesionistët e kontabilitetit dhe auditimit të diskutohen kërkesat që duhet të përmbushen nga bizneset në prag të raportimit financiar për vitin fiskal 2019.

Ngjarja u hap me fjalë rasti nga Znj. Ardiana Bunjaku – Drejtoreshë Ekzekutive në ShKÇAK, z. Arian Zeka - Drejtor Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe z. Berat Rukiqi - Drejtor Ekzekutiv në Odën Ekonomike të Kosovës, të cilët ju uruan mirëseardhje të ftuarve, dhe vazhdoi me diskutimet nga panelistët Afrim Maloku, Arbër Hoti dhe Arta Limani.

Afrim Maloku, Kryetar i Këshillit Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) gjatë këtij takimi u shpreh se koncepti i Ligjit për Raportim Financiar është që të rris përfshirjen e transparencës dhe besueshmërisë të pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit. Si risi të cilat burojnë nga ky ligj, Maloku përmendi edhe një funksion të ri të KKRF-së, i cili është mbikëqyrja publike, që përfshin mbikëqyrjen e arsimimit të vazhdueshëm të auditorëve dhe kontabilistëve të certifikuar, kontrollin e cilësisë, hetimet dhe disiplinën. Ai tha se këto janë tre funksione kryesore të bordit drejtues të cilat në çdo moment do të bëjnë inspektime të punës së auditorëve, firmave të auditimit dhe organizatave profesionale.

Arbër Hoti, anëtarë në KKRF dhe ekspert i raportimit financiar, mes tjerash diskutoi për ndryshimin në kategorizimin e ndërmarrjeve si dhe për kërkesat shtesë për raportim nga ndërmarrjet e mëdha si subjekte me interes publik. Ndër këto kërkesa Hoti përmendi deklaratën e pajtueshmërisë dhe atë të qeverisjes korporative, si dhe raportin e menaxhmentit. Për më tepër, ai foli edhe për zbatimin e standardeve për përgatitjen e raporteve financiare, si dhe për raportin vjetor të transparencës.

Arta Limani, Drejtoreshë e Auditimit në Deloitte, kryesisht foli për procesin e rishikimit, duke specifikuar ndryshimin në mes të auditimit dhe rishikimit. Në cilësinë e ekspertes lidhur me kërkesat e standardit për angazhimet e rishikimeve, Limani tha se qëllimi dhe fushëveprimi i këtij standardi adreson përgjegjësinë e rishikuesve, formën e raportit të rishikimit si dhe procedurat të cilat rishikuesit duhet ti kryejnë. Si dallim kryesor në mes të dy angazhimeve ajo përmendi sigurinë e cila ofrohet nga rishikimi i pasqyrave financiare si një siguri të limituar, ndryshe nga ajo e cila ofrohet nga auditori, e cila konsiderohet të jetë siguri më e lartë.