7 ndryshimet që Kontabilistët dhe Auditorët profesionistë duhet t’i kenë parasysh për vitin 2020

2019-12-18 - 09:36

Ndryshimet kryesore që priten të ndodhin në profesionin e kontabilitetit dhe auditimit në vitin 2020 kanë të bëjnë me teknologjinë. Sidoqoftë, çfarë ndryshimesh të tjera mund të presim për vitin 2020?

Ajo që mund t’ju befasojë është se 67% e kontabilistëve dhe auditorëve mendojnë se profesioni është më konkurrues sot se kurrë më parë. Gjithashtu, 83% theksojnë që klientët e tyre kërkojnë më shumë prej tyre sesa 5 vjet më parë.

Këto statistika do të thonë që kontabilistët dhe auditorët gjatë vitit 2020 duhet të ofrojnë edhe më shumë punë me vlerë për klientët e tyre në mënyrë që të qëndrojnë në treg në të ardhmen. Përvetësimi i disa prej trendeve të ardhshme do t'ju ndihmojë të bëheni më konkurrues në dekadën e re.

7 ndryshimet që Kontabilistët dhe Auditorët profesionistë duhet t’i kenë  parasysh për vitin 2020

1. Automatizimi

Kontabilistët dhe auditorët janë mësuar me këtë trend deri më tani. Automatizimi do të qëndrojë dhe do të fitojë popullaritet edhe më shumë në vitin 2020. Ai eliminon detyrat e futjes së të dhënave për kontabilistët dhe auditorët dhe i lejon ata të përqendrohen më shumë në analizën e të dhënave.

Rreth 86% e detyrave në kontabilitet mund të automatizohen, siç janë regjistrimet dhe pagesat e faturave dhe shënimet e të hyrave. Teknologjia e automatizmit gjithashtu përfundon me një kthim të madh të investimit dhe mund të paguajë veten për 6 muaj!

Auditorët do të përfitojnë më së shumti nga  automatizimi. Një pjesë e madhe e punës së tyre manuale sillet rreth marrjes së dokumenteve dhe verifikimit të saktësisë së transaksioneve.

Automatizimi mund të eliminojë pothuajse të gjitha ato detyra dhe të nxjerrë në pah transaksionet me rrezik. Auditorët mund të ofrojnë një pasqyrë më të mirë të shprehive të biznesit dhe të kryejnë një kontroll më të plotë me përdorimin e automatizmit.

2. Përqendrimi analitik

Automatizimi shkakton një ndryshim serioz në atë që kontabilistët dhe auditorët pritet të bëjnë në rolet e tyre. Teknologjia digjitale vazhdon ta bëjë regjistrimin e të dhënave më të lehtë dhe më të saktë. Tani, bizneset duan që kontabilistët dhe auditorët të ofrojnë njohuri të vlefshme duke përdorur analiza.

Kontabilistët dhe auditorët kanë qasje në informacione më të sakta se kurrë më parë. Ndërsa kalojmë në vitin 2020, industria do të vazhdojë të përdorë mjete analitike për të vlerësuar performancën e kaluar.

Duke shkuar përpara, kontabilistëve dhe auditorëve do t'ju kërkohen analiza më parashikuese për të vlerësuar shifrat e ardhshme financiare. Udhëheqësit e bizneseve dëshirojnë të dinë se si të arrijnë më mirë qëllimet e tyre afatshkurtra dhe afatgjata.

Analiza që kontabilistët dhe auditorët mund të ofrojnë duke përdorur të dhënat e reja, mund të ndihmojnë udhëheqësit e biznesit dhe investitorët të kuptojnë mirëqenien financiare të organizatës.

Me përqendrimin në analiza dhe jo në futjen e të dhënave, kontabilistët mund t'i shtojnë vlerë kompanive duke ofruar shërbime konsulence. Për shembull, kontabilistët nuk do të merren më me regjistrimin e  faturave por ata do të jenë në gjendje të vlerësojnë mënyrat për të kursyer shpenzimet materiale ose për të eliminuar shpenzimet e panevojshme.

Në vend që të rekrutohen me regjistrimin e të dhënave në mënyrë manuale, kontabilistët tani mund të rekrutohen si këshilltarë të besueshëm të biznesit me ide kreative për të dërguar biznesin përpara.

3. Kontabiliteti në Cloud

Mbi 75% e bizneseve të vogla do të përdorin ekskluzivisht teknologjinë “cloud” për operimet e tyre deri në vitin 2020. Sistemet e kontabilitetit me bazë cloud janë shumë më të përballueshme sesa opsionet e tjera, që i bëjnë ato ideale për bizneset e vogla dhe të mesme.

Disa biznese janë ende dyshuese për të përdorur teknologjinë cloud. E vërteta është se shumica e bizneseve tashmë po përdorin teknologjinë cloud pa u menduar dy herë. Ruajtja e postës elektronike dhe dokumenteve janë disa mënyra të zakonshme që teknologjia cloud është bërë pjesë normale e proceseve të biznesit.

Kontabilistët mund të ndihmojnë në përmirësimin e industrisë duke përvetësuar sistemet e kontabilitetit bazuar në cloud. Përdorimi i cloud ju lejon të përdorni informacione nga kudo në çdo kohë, sepse transaksionet ruhen në mënyrë elektronike.

Nevoja për ruajtje të të dhënave në mënyrë fizike me përdorimin e teknologjisë cloud është minimale, gjë që mund të kursejë shpenzimet e kompanisë. Sidoqoftë, bizneset me sasi të mëdha të të dhënave mund të kenë ende nevojë për të ruajtur të dhënat në mënyrë fizike, por kjo mund të ndryshojë pasi teknologjia e cloud  është duke u zhvilluar vazhdimisht.

4. Mbajtja e shënimeve pa letër

Një nga ndryshimet më të mëdha që kontabilistët dhe auditorët mund të presin në vitin 2020 dhe dekadën tjetër është regjistrimi i të dhënave pa letër. Softueri dhe automatizimi i kontabilitetit bazuar në cloud eliminojnë shumë dokumente që gjejnë hapësirë në departamentet e kontabilitetit.

Automatizimi i faturave dhe aprovimet e dokumenteve elektronike nënkuptojnë më pak nevojë për letër. Plus, programi i kontabilitetit me bazë cloud do të ruajë dokumentet dhe transaksionet në mënyrë elektronike.

Sistemet pa letra lirojnë pasuritë e paluajtshme në departamentet e kontabilitetit. Ditët e zyrave të mëdha të mbushura me kabinete regjistrimi të faturave dhe shënimeve në ditarë po bëhen shpejt një gjë e së kaluarës.

5. Angazhimi i kompanive apo profesionistëve të jashtëm

Të kesh një departament të tërë të kontabilitetit mund të jetë e kushtueshme. Mund të jetë veçanërisht e vështirë për bizneset e reja ose më të vogla. Kjo është arsyeja pse po konsiderohet si opsion angazhimi i kompanive të jashtme apo profesionistëve të jashtëm si një trend në vitin 2020 dhe më tutje.

Përveç minimizimit të kostove, burimet e jashtme lejojnë bizneset më të vogla të qëndrojnë të përqendruara në operimet e tyre primare.

Pastaj, kur bizneset kanë nevojë për informacion të caktuar financiar ose raportim, ato thjesht mund të pyesin kontabilistin apo auditorin e tyre të jashtëm.

6. Rrjetet sociale

Nuk është për t'u befasuar që rrjetet sociale kanë hapësirën e tyre në çdo industri. Firmat e kontabilitetit dhe auditimit po i shohin veçanërisht të dobishme për t'u lidhur dhe për t’u promovuar te klientët e ardhshëm.

Promovimi në rrjetet sociale nuk është një prirje e re, por kontabilistët dhe auditorët duhet t’i përdorin këto rrjete shumë më tepër në vitin 2020. Përdorimi i rrjeteve sociale mund të drejtojë pozitivisht publicitetin për firmat e kontabilitetit dhe auditimit dhe të ndihmojë në shfaqjen e ekspertizës së tyre. Të qenit aktiv vazhdimisht në rrjete sociale mund t'i vendos firmat e kontabilitetit dhe auditimit më shpesh para klientëve të tyre.

Rrjetet sociale gjithashtu ndihmojnë firmat e kontabilitetit dhe auditimit të tërheqin talent të rinjë. Nëse ata e kanë promovuar veten si një vend të shkëlqyeshëm për të punuar dhe kanë promovuar  pozita të hapura të punës, kontabilistët dhe auditorët mund t'i shfrytëzojnë rrjetet sociale për të gjetur vendin e punës së ardhshme.

7. Blockchain

Blockchain njihet më së shumti si teknologji që mbështet kripto-valutat si Bitcoin. Sidoqoftë, kontabilistët dhe auditorët  mund të presin që do t’ju bëhet përditshmëri në dekadën tjetër. Blockchain redukton hyrjen manuale ndërsa rrit saktësinë dhe sigurinë për departamentet e kontabilitetit.

Blockchain ofron një cilësi më të lartë të të dhënave dhe regjistron transaksionet në mënyrë shumë efikase. Karakteristika më tërheqëse është se është pothuajse e pamundur të ndryshosh informacionin pasi të jenë regjistruar. Kjo e bën blockchain jashtëzakonisht të besueshëm dhe të saktë.

Teknologjia Blockchain gjithashtu lejon disa burime të shohin informacionin në të njëjtën kohë. Të gjithë mund të shohin ndryshimet menjëherë pasi të jenë validuar.

Përfundim

Ndryshimet që vijnë në industrinë e kontabilitetit dhe auditimit në vitin 2020 dhe dekadën e re kryesisht sillen rreth teknologjisë. Nuk është çudi pse! Teknologjia digjitale është duke krijuar një mënyrë të re për punën e kontabilistëve dhe auditorëve.

Së shpejti, departamentet e kontabilitetit do të jenë pothuajse tërësisht të liruara nga “letrat”. Gjithashtu, automatizimi do të krijojë procese më efikase përderisa blockchain rrit sigurinë dhe saktësinë.

Këto ndryshime janë entuziazmuese - kjo do të thotë që kontabilistët dhe auditorët mund të përballen me sfida të reja, të ofrojnë raportime më dinjitoze dhe të pasqyrojnë një imazh më të mirë të mirëqenies financiare për kompanitë e tyre.

Artikull i shkruar nga Alan Lynch