KONFERENCA - Rishikimi i pasqyrave financiare: Kërkesë ligjore për NVM-të në Kosovë

2019-10-09 - 12:17

Baker Tilly Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës sot organizuan konferencë diskutimi në lidhje me kërkesën e re ligjore për rishikimin e pasqyrave financiare të NVM e cila derivon nga Ligji Për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim në Kosovë.

Sipas kësaj kërkese, shoqëritë tregtare të klasifikuara si ndërmarrje të vogla ose të mesme, me qarkullim neto më pak ose të barabartë me katër milion euro (4,000,000 €) së bashku me pasqyrat financiare dorëzojnë edhe raportin e rishikimit nga auditori i pavarur. Prandaj për këtë kategori të ndërmarrjeve, rishikimi i pasqyrave financiare do të zëvendësojë kërkesën për auditim. Pjesëmarrësit rreth kësaj teme u informuan më shumë gjatë prezantimit të Z. Lulzim Zeka - Auditor Ligjor.

Panelistë në këtë konferencë ishin z. Driton Pustina - Zv. Drejtor në ShKÇAK, z. Berat Rukiqi - Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Ilir Murtezaj - Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Sokol Havolli - Zv. Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Afrim Maloku - Kryetar i Këshillit Kosovar për Raportim Financiar, z. Alban Lufi - Këshilltar i Lartë Guvernatorit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe z. Bejtë Cakaj - Anëtar i Bordit Menaxhues në Bankën ProCredit.

Diskutimet nga panelistët dhe audienca përfshinë temat të cilat kanë të bëjnë me sfidat në zbatimin e kërkesave për raportim financiar dhe efektet e saj në transparencë financiare, ku panelistët nuk hezituan të përgjigjen në pyetjet e pjesëmarrësve.