Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes ShKÇAK-së dhe IKM

2019-09-13 - 03:28

Sot me 13 shtator 2019, gjatë seminarit me temë “Profesionistët e së ardhmes” u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) dhe Institutit të Kontabilistëve të Miratuar në Shqipëri (IKM).

Kjo marrëveshje ka si objektiv vendosjen e bashkëpunimit në mes të dy organizatave profesionale siç janë ShKÇAK dhe IKM, në mënyrë që dy organizatat të shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat e tyre si në fushën e trajnimeve dhe edukimit të vazhdueshëm profesional, të promovimit të cilësisë dhe të etikës profesionale mes anëtarëve të dy organizatave profesionale, po ashtu shkëmbimin e përvojave përmes organizimit të aktiviteteve shkencore dhe profesionale si dhe në fusha të tjera me interes reciprok.

Pasi që të dy organiztatat janë anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe Auditorëve (IFAC), po ashtu do të bashkëpunojnë në përkthimin dhe përshtatjen e literaturës në fushën e kontabilitetit, etikës, SNRF dhe të shërbimeve të tjera të lidhura, të shpallura nga IFAC dhe Standardvënësit tjerë global.